KUR SPECAT KONSIDEROHEN LUKS! / Shtrenjtimet në RMV nuk kanë të ndalur

    Kriza e madhe që ka kapluar vendin e që ndikon shumë thuajse në pjesën dërmuese të dibranëve, nuk mundëson që me standardin aktual të blejnë perime, pemë, mish apo ushqime të tjera në sasi që na nevojiten. Blerjen po bëhen me kokrra apo gram të vogla. Konsumatorët e ndjejnë ndikimin e rritjes të çmimit e veçmas të perimeve, pasi janë ushqime të përditshme.

    Sidomos gjatë stinës së dimrit edhe çmimet janë të larta pos mishit, prodhimeve bujqësore dhe perimeve. Domatet, specat dhe trangujt – dikur ushqime të përditshme – tani janë bërë luks për shumë familje dibrane, ngaqë sidomos gjatë këtij muaji të Ramazanit kur në çdo tryezë ka ushqim të begatë dhe sallata nga perimet janë dominante, konsumatorët e kanë ndjerë shumë rritjen e çmimeve

    Fatmir. J, 43-vjeç, kryefamiljar me 4-anëtarë në shtëpi, thotë për Koha se ka një buxhet të kombinuar prej rreth 400 euro në muaj. Thotë se përpiqet ta menaxhojë me kujdes buxhetin ushqimor, por se rritja e çmimeve e bën atë gjithnjë e më të vështirë.

    “Çmimet janë tepër të larta, në maksimum. Është e tmerrshme. Një kilogram speca kushton deri në 200 denarë, ndërsa domatet dhe trangujt 120 denarë. Ndërsa një kilogram mish më shumë se 700 denarë”, tregon Fatmiri për gazetën Koha.

    Ai shprehet se ka raste kur nga dyqani kthehet me duar të zbrazura, sepse “ndjehet në faj” të shpenzojë shumë për diçka që “do të duhej të ishte bazike” dhe “jo luks”.

    Edhe Drita. T. kryefamiljare e një familjeje 6-anëtarëshe, përballet me sfida të ngjashme. E angazhuar në punë të ndryshme në sektorin privat, ajo tregon se fiton deri në 350 euro në muaj, por shton se vetëm një pjesë e shpenzimet për ushqime e kalojnë këtë shumë.

    “Nuk e di se si ia dalim. Punoj vetëm për ushqim. Tash është shtrenjtuar edhe më shumë, për shkak të Festës së Bajramit që po afrohet”, thotë Drita.

    Për këto çmime të perimeve biseduam edhe me shitësit në tregun e qytetit. Ata na thane se një faktor i madh për rritjen e çmimeve është mungesa e prodhimit vendor gjatë kësaj periudhe. Për shkak të kushteve të vështira të motit dhe infrastrukturës jo të përshtatshme, fermerët tanë e kanë të vështirë të kultivojnë perime jashtë sezonit të rregullt.

    Mungesa, pastaj, plotësohet nga importet, por mallrat e importuara vijnë me çmime më të larta, për shkak të tarifave doganore, kostove të transportit dhe kërkesës në rritje. Ndërsa blegtorët për rritjen e çmimit të mishit thonë se vjen si rezultat i çmimeve të larta të ushqimit për kafshët. Gjithçka lidhet zinxhir e konsumatori e ndjen kur shkon dhe e blen, meqë standardi është i ulët dhe nuk mundëson që të blejnë ushqimet që janë thuajse të përditshme për çdo familje.

    Lajmi Paraprak

    Tragjeditë në RMV / A do të ndëshkohen fajtorët e vërtetë?

    Lajmi i rradhës

    ARKËTIMET REKORD NË 2024 / Përmbarues që rrjepin!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë