Aleanca për shqiptarët vlerëson se kryetari i kuvendit Talat Xhaferi qëllimisht po bën obstruksione duke anuluar mbledhjen e Komisionit Anketues për të drejtat edhe liritë e njeriut. Xhaferi, duke tentuar t’i përgjigjet kolegut Halil Snopçe dje, vetëm se deklaroi disa arsyetime boshe dhe konfirmoi se ka bërë obstruksion duke e anuluar mbledhjen, deklaroi deputetja Ilire Dauti.
“Paramendoni, kërkon procedurë 5 ditë para, njeriu që thërret seanca sot për sot. E pyesim kryeparlamentarin, përse sipas procedurës nuk i janë përgjigjur as ai dhe as sekretari gjeneral kërkesës me shkrim të kryetarit të Komisionit Anketues? Pasi ai ka vendosur të injorojë kryetarin e Komisionit dhe pasi kryetari ka qenë në pamundësi komunikimi, tek pastaj ka pasuar caktimi i mbledhjes nga ana e kolegut Halil Snopçe. Xhaferi dje tha edhe diçka qesharake, se gjoja nuk lejon që Kuvendi të shndërrohet në pazar politik. I gjithë opinioni e di mirë se sa herë, pikërisht Talat Xhaferi e ka shndërruar këtë institucion jo vetëm në pazar, por edhe në mejhane politike”, tha deputetja Ilire Dauti.
“Kulmi i konferencës së djeshme skandaloze të Talat Xhaferit ishte kërcënimi i tij i drejtpërdrejtë ndaj Muhaedin Belës se mund të humb vendin e punës në armatë, vetëm se kërkon një të drejtë të tij dhe të shfrytëzon një mekanizëm parlamentar që ky ia mohon. Vet kërcënimi që ju i bëni zotit Bela flet për vërtetësinë e shkeljes që i bëni lirive dhe të drejtave individuale të këtij qytetari, ashtu siç ju bëni edhe qindra e mijëra qytetarëve të tjerë. Mjaft më me arsyetime banale se opozita politizon rastet dhe me kërcënime ndaj qytetarëve! Opozita dhe qytetarët kërkojnë drejtësi dhe të vërtetën. Politizimi i institucioneve nga ana juaj tanimë ka sjellë shumë padrejtësi, dhjetëra e qindra viktima, amnisti dhe fshehje e falje për kriminelët”, tha Dauti.
Ajo tha se opozita dhe qytetarët kërkojnë drejtësi dhe të vërtetën. Politizimi i institucioneve nga ana juaj tanimë ka sjellë shumë padrejtësi, dhjetëra e qindra viktima, amnisti dhe fshehje e falje për kriminelët.