“Kur vdes bleta, vdes edhe njerëzimi” – Fuat Jakupi rrëfen pasionin e tij për bletarinë

    Fuat Jakupi në vitin 1987 përfundoi shkollën e lartë Elektroteknike në Manastir. Si mjeshtër i elektroteknikës Jakupi punoi rreth 23 vite në vendin e tij dhe më gjërë. Tani që 12 vite merret me bletari në mënyrë profesionale, ku dhe të ardhurat dhe ekzistencën e ka nga vet bletaria. Jakupi tashmë disponon edhe filialet e tij në qytetin e Shkupit, të Tetovës dhe në vendin ku jeton dhe vepron, në Pirok të Tetovës. Ai për Nistori flet rreth profesionit dhe pasionit të tij për bletarinë, për sfidat në të cilën hasen gjatë periudhave të ndryshme. Ai tregon për përkrahjen e shtetit nëse ndodh në sferën e blertarisë. Bletaria tashmë është shndërruar në biznes familjar, ku me shumë zell dhe dashuri e punojnë që të gjithë. Ai udhëheq kompaninë Asel – e cila merret me veprimtarinë e bletarisë.

    Intervistoi | Sumeja Hamzi

    Nistori: Si lindi ideja për bletari?

    Fuat Jakupi: Gjithmonë kam ëndërruar të ushtroj këtë profesion, të jem bletar. Duke e dashur veprimin e bletës, lindi pasioni që ta ushtroj edhe si profesion, duke e ditur se kërkon angazhim dhe përfitime jo aq të sigurta pasiqë janë disa faktorë për zhvillimin e bletarisë. Pavarësisht kësaj, sepse në fillim nuk jam nisur me idenë e përfitimit, por kushdo që të lexojë për bletarinë, filozofinë e bletës, nuk ka mundësi sesi mos të bjerë në dashuri me bletarinë.

    Nistori: Si fillon dita e një bletërritësit?

    Fuat Jakupi: Asnjëherë nuk i ngjan dita ditës, mirëpo janë ditë shumë atraktive dhe sfiduese për një bletarë. Në ora 09:00 të mëngjesit, çdo ditë gjendem në bletishte duke kontrolluar bletët, gjithmonë duke e pasur parasysh dëmtuesin – ariun. Në fillim të sezonit – muaji prill, përgatitën bletët për vjelje të mjaltit edhe atë në muajin maj, andaj duke u përgatitur kornizat me dyll të freskët që ata të mund t’i mbushin kornizat me dyll nga vet natyra. Brenda kohës ata sjellin edhe polen në kornizat me dyll, e gjithë kjo harmoni në familjen e bletës rezaton nga amza ose mbretëresha.

    Nistori: Çka e dallon mbretëreshën nga bletat?

    Fuat Jakupi: Mbretëresha është nëna, nëna e jep fermonin në familje dhe bletët janë në harmoni-mbledhje të polenit dhe nektarit. Bletarët me përvojë janë të gatshëm të kultivojnë mbretëresha në disa mënyra të ndryshme. Mbretëresha apo mëmëza, e cila është vetëm një, dallohet prej bletëve të tjera, sepse ka trup më të madh, bark më të gjatë dhe krahë më të shkurtër. Varësisht nga sezoni ajo pjell deri në dy mijë vezë, mirëpo mëmat e seleksionuara e arrijnë edhe deri në tre mijë numrin e vezëve. Bleta mbretëreshë ka një instinkt i cili e bën të dallojë larvat që do bëhen bletë punëtore. Meshkujt mbyten në dimër nga bletët punëtore për arsyen se nuk janë të aftë të sigurojnë ushqim. Kjo bën që ata të hanë sasinë e mjaltit që bëjnë bletët.

    Nistori: Si duket një bletë punëtore?

    Fuat Jakupi: Bletët punëtore kanë trup më të vogël me ngjyrë pak a shumë të murrme dhe të mbuluar me push. Ato bëjnë ushqimin e larvave, ajrosjen e zgjoit dhe punë të tjera. Gjatë verës kur bën shumë nxehtë ato rrahin krahët për të mbajtur të freskët folenë. Edhe bleta trupin e ka të ndarë në kokë, kraharor dhe bark. Kur bleta thumbon, thumbi shkëputet nga trupi me gjëndrën e helmit të ngjitur dhe funksionuese. Thumbi i shkëputur lëshon një aromë që njofton dhe bletët e tjera në nxitje për sulm.

    Nistori: Cila është distanca më e largët që udhëton bleta për të mbledhur nektarin?

    Fuat Jakupi: Për ta analizuar distancën janë dy faktorë, faktori i parë është kur ka kullot në afërsi dhe ujë, si dhe kur mungon nektari bleta largohet maksimum 8 kilometra, por rrezikshmëria është më e madhe që bleta mund të mos kthehet përsëri, të humbas.

    Nistori: Sa herë në vit nxirret mjaltë dhe sa sasi mjaltë nxirret nga një koshere?

    Fuat Jakupi: Dy herë në vit nxirret mjaltë, eventualisht deri tre herë në vit. Varësisht nga kushtet klimatike. Prej një koshereje, varësisht nga kushtet klimatike, ngase pranvera me shumë shi dhe stuhi rrëzon lulet nga drunjtë dhe poashtu bletët në këto kushte nuk dalin nga kosherja, por në ditën tjetër me diell edhe po të dalin drunjtë, ato janë pa lule dhe nuk mund të mbledhin nektarin.

    Nistori: Çfarë mjetesh i nevojiten një bletari?

    Fuat Jakupi: Mjetet e përditshmërisë së një bletari janë: Xhaketa me kapelë dhe rrjet, doreza, elementi për tymosje dhe një thik për t’i hapur kornizat, pastaj si mjete të tjera që nevojtiten pas daljes së mjaltës janë sita të ndryshme për kullimin e mjaltës dhe një makinë për shtrydhjen e mjaltës.

    Nistori: Si ushqehen bletët në stinën e dimrit?

    Fuat Jakupi: Prej në muajn shtator bëhet planifikimi i rënditjes së kornizave të atyre me mjalt dhe polen në skajet e kosheres, kurse në mes ndodhet bleta me pjellë. Bletët ushqehen me mjaltin që nuk ua marrim, domethënë katër korniza me mjalt dhe dy kilogram pogaçe në formë të petizuar.

    Nistori: Cili rajon i vendit tonë ka pozicion më të mirë për bletari?

    Fuat Jakupi: Pozicioni i Malit Sharr. Sepse ka ujë me bollëk, rrezet e diellit shtrihen plotësisht në çdo cep të malit. Është i pasur me lugina të ndryshme, që i mundëson bletës të mbledh nektarin nga bimët dhe pemët e ndryshme. Është me rëndësi të theksohet – me aq sa kam njohuri, dushku nuk ka nektar për bletët në rajonin e Malit Sharr. Përballë Malit Sharr është Mali i Thatë, i cili është aktiv dhe briliant në pranverë deri në muajin qershor, sepse e ka si bimë Trumzën nëpër disa vende, prandaj nuk mundemi me e nda pjesë-pjesë, sepse pollogu në përgjithësi është shumë i mirë, ka ujë dhe kushte të tjera të cilat i ceka dhe më lartë, por dua ta pranoj një gjë se, kullota nuk zgjatën si në disa rajone tjera të vendit. Për me qenë bletar në Malin Sharr duhet bletat me i ecë në mënyrë nomade.

    Nistori: A sjell përfitime ky profesion?

    Fuat Jakupi: Çdo profesion i ka sfidat e veta, poashtu edhe ne si bletar hasim në vështirësitë tona, mirëpo i tejkalojmë me lehtësi. Kur ia arrijmë qëllimit, atëherë fitojmë një vullnet të jashtëzakonshëm për të vazhduar tutje, andaj konsideroj se të jesh bletar është një profesion fisnik. Sigurisht ka edhe përfitime, por kërkon angazhim dhe disiplinë gjatë punës.

    Nistori: Sa i mbështet bletarët shteti?

    Fuat Jakupi: Vëmendja e shtetit nuk mjafton për ne si bletarë, por pasiqë u sprovuam nga pandemia ne e pranojmë këtë sfidë duke shpresuar në të ardhmen të kemi vëmendjen dhe përkrahjen më të madhe nga shteti, pasiqë kur vdes bleta vdes edhe njerëzimi. /Nistori/

    *Artikull i sponsorizuar

    Lajmi Paraprak

    WBO do t’i heqë të gjithë boksierët rusë nga renditja, pas pushtimit të Ukrainës

    Lajmi i rradhës

    ORL Kumanovë pa anesteziolog | Qytetarët për operacione detyrohen të udhëtojnë në spitalet e qyteteve tjera

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë