Më keq se Zvicra vetëm Bosnja, kur bëhet fjalë për duhanin

    Kur vjen puna te kontrolli i duhanit dhe produkteve të nikotinës, Zvicra ka dështuar pothuajse plotësisht, duke u renditur në fund të listës evropiane. Në raportin e njohur “The Tobacco Control Scale”, shteti helvetik mban pozicionin e parafundit – vendin e 35-të nga 36 shtete të analizuara.

    I vetmi vend në Evropë që performon më keq dhe ku pihet më shumë duhan pa kontroll se në Zvicër, është Bosnjë-Hercegovina. (Kosova dhe Shqipëria nuk janë përfshirë në këtë listë).

    Vendet që udhëheqin për nga masat e rrepta të parandalimit të duhanit janë Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda. Për ekspertët zviceranë të shëndetësisë, ky rezultat është thjesht “turpërues”, njofton gazeta “Tages Anzeiger”.

    Ekspertët e organizatës “Sucht Schweiz” numërojnë disa arsye specifike se pse vendi ka mbetur kaq prapa me ligjet e parandalimit. Çmime të lira për xhepin zviceran: Nëse krahasohen me fuqinë blerëse dhe pagat e larta në Zvicër, cigaret dhe produktet e nikotinës janë jashtëzakonisht të lira.

    Taksat mbi duhanin nuk janë rritur pothuajse fare në dhjetë vitet e fundit. Asnjë ndihmë nga sigurimet shëndetësore: Për dallim nga shtetet e tjera, sigurimet shëndetësore në Zvicër nuk i mbulojnë kostot e terapive apo produkteve që ndihmojnë njerëzit të lirohen nga varësia e duhanit.

    Ndikimi i madh i industrisë: Koncerne gjigante ndërkombëtare të duhanit i kanë selitë e tyre në Zvicër. Këto firma kanë një rrjet të fuqishëm ndikimi te politikanët vendas, andaj në Zvicër nuk janë ndaluar plotësisht reklamat e duhanit.

    Mjekët dhe sidomos pediatrit janë të alarmuar, veçanërisht për popullaritetin e madh që kanë marrë produktet e reja si “Vapes” (cigaret elektronike me aroma) apo qeskat e nikotinës (Snus) te adoleshentët. Truri i të rinjve është shumë më i ndjeshëm ndaj nikotinës, gjë që krijon varësi shumë më shpejt se te të rriturit.

    Zvicra mbetet gjithashtu një nga vendet e pakta në botë që ende nuk e ka ratifikuar Konventën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kontrollin e Duhanit të vitit 2005.

    Përderisa shoqatat e parandalimit bëjnë thirrje urgjente për rritje taksash dhe ndalim reklamash duke paralajmëruar një “valë varësie”, lobet e duhanit mbrohen me idenë se ndalimet e plota vetëm sa do të rrisnin tregun e zi dhe kriminalitetin. Sidoqoftë, statistikat flasin vetë: Zvicra po ecën në një rrugë krejt tjetër nga Evropa, duke qëndruar më afër Ballkanit se sa fqinjëve të saj perëndimorë.

    Lajmi Paraprak

    Nxënësit në Gaza do t’i japin provimet në tenda dhe ndërtesa të shkatërruara

    Lajmi i rradhës

    Blerësit i mashtruan fermerët, KMK-ja gjeti shkelje dhe lëshoi gjoba

    Bashkohu

    Informohu në kohë