Depozitat e qytetarëve në Bankat e Maqedonisë së Veriut kanë arritur në mbi 6 miliardë euro në muajin shtator. Dhe, përkundër leverdisë së ulët të kursimeve për amvisëritë prej 1.97 për qind, ato gati janë dyfishuar nga afër 3.4 miliardë euro sa ishte vlera e tyre në shtator të vitit 2016. Megjithatë, qytetarët ende preferojnë depozitat bankare, për shkak të besueshmërisë së sektorit bankar dhe kthimit të garantuar si dhe mbrojtjes së aseteve përmes Fondit për sigurimin e depozitave, thonë nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë.
Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, depozitat e ekonomive familjare në bankat e Maqedonisë janë rritur për rreth 35 për qind dhe aktualisht përbëjnë rreth 60 për qind të mjeteve të tyre financiare. Është edhe më domethënëse që pjesëmarrja e depozitave në denarë në kursimet e përgjithshme të amvisërive tashmë tejkalon 50 për qind, që vazhdon me trendin e denarizimit.
“Besimi në sistemin bankar është reflektuar edhe në rritjen e depozitave afatgjata me ritme dyshifrore rritjeje, më e larta në dekadën e fundit, ku pesha e depozitave afatgjata ka arritur në 30 për qind në gusht”, thotë zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Emilia Nacevska. Sipas saj, me proaktivitetin e saj, Banka Popullore jep një kontribut të rëndësishëm në forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit bankar, duke përshtatur në përputhje me masat që ka ndërmarrë në vitet e kaluara.
Sektori bankar ndjek në mënyrë aktive këto sinjale të Bankës qendrore, duke ofruar produkte të përshtatshme depozitash me norma interesi më tërheqëse.
“Një nga parakushtet kryesore për nxitjen e kursimeve në bankat vendase është ruajtja e stabilitetit të sistemit financiar. Megjithëse bankat janë përballur me disa kriza të njëpasnjëshme, pozicionet e tyre kapitale dhe likuiditeti janë forcuar. Sektori bankar ka rritur elasticitetin e tij, gjë që shihet qartë nga disa tregues. Mjaftueshmëria e kapitalit është rritur ndjeshëm në 19%, niveli më i lartë në dy dekadat e fundit. Edhe Likuiditeti bankar është në nivele të larta. Cilësia e portofolit të kredisë është përmirësuar në krahasim me periudhën para pandemisë, me peshën e kredive me probleme në totalin e kredive prej rreth 3 për qind. Këto të dhëna tregojnë se sektori bankar e ka kaluar testin e qëndrueshmërisë, të mbështetur në masë të madhe nga masat makroprudenciale apo të kujdesshme me kohë dhe të duhura të ndërmarra nga Banka Popullore në periudhën e kaluar”, shton Nacevska.
Profesori universitar nga Fakulteti Ekonomik i Prilepit dhe ish-zëvendësministër i Financave, Dimko Kokaroski, siguron se sistemi bankar i Maqedonisë është stabil, dhe qytetarët qëndrojnë konsekuent ndaj kursimeve tradicionale apo kursejnë më shumë në banka dhe investojnë më pak në aksione. Kursimet, thotë ai, janë rritur për faktin se është krijuar Fondi i Sigurimit të Depozitave, me të cilin qytetarët ndjejnë njëfarë garancie.
Sipas tij, qytetarët dinë më pak për aksionet, gjë që siç thotë ai kërkon kohë, njohuri dhe edukim.
“Ne kemi bursë, aksione, por kjo kërkon kohë, njohuri, arsim dhe para. Nga ana tjetër, përveç fondeve pensionale, kursimet janë më shumë në banka. Edukim ka edhe në faqen e Bankës Popullore. Por kjo nuk mjafton. Dhomat e tregtisë, universitetet, madje edhe pushteti vendor duhet të inkurajojnë gjithashtu. Por ky inkurajim është i diskutueshëm”, thotë Kokaroski.
Aksionet, siç sqaron ai, kërkojnë monitorim të përditshëm, për të ditur paraprakisht nëse kompanitë do të paguajnë dividendë. Kjo gjë është e komplikuar.
“Keni nevojë për monitorim të përditshëm, duhet të dini paraprakisht nëse kompanitë do të paguajnë dividendë dhe zor se ndonjë kompani e garanton këtë. E gjithë kjo i pengon qytetarët të kenë një interes më të gjerë dhe më të thellë për aksionet dhe kursimin. Besoj se kurdo t’i pyesni qytetarët, ata nuk do të kenë çfarë të thonë për temën e letrave me vlerë. Njerëzit nuk kanë faj për këtë, nuk janë të informuar dhe shkojnë ndaj tradicionalizmit”, thotë Kokaroski.
Ndryse, në vendet më të pasura, paratë zakonisht investohen në fonde të ndryshme në vend të kursimeve. Ekonomistët thonë se njerëzit tanë kursejnë jashtë fondeve për arsyen e thjeshtë të sigurisë.
“Nuk bëhet fjalë për të ardhura apo fitime siç thonë në ekonomi, por ka të bëjë me sigurinë. Ato që disponojmë me më shumë para e shpërndajnë sigurinë me blerjen e patundshëmrive, që jepen me qira apo përdorin pasurinë e paluajtshme për biznes. Nuk i besohet por edhe nuk njihet mjaftueshëm investimi në bursë dhe mendimi është se vlera e pronave të paluajtshme edhe me kalimin e krizës sërish do të vlejë”, shpjegojnë ekonomistët. /Koha/