Kurti kundër mbajtjes së referendumit për ndryshim të Kushtetutës së Serbisë

    Foto: AFP

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se janë kundër mbajtjes së një referendumi për ndryshim të Kushtetutës së Serbisë, që po synojnë ta mbajnë serbët më 16 janar në Kosovë.

    Kurti gjatë konferencës për medie, theksoi se Qeveria e Kosovës nuk është dakord me një synim të tillë, pasi ndër të tjera kjo do të ishte edhe shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    “E dimë që Serbia synon ta mbajë një referendum në Kosovë, me datë 16 janar, për çështje të saj të brendshme, mirëpo Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është dakord me një synim të tillë, jo vetëm për shkak që kjo është në kundërshtim me Ligjin dhe Kushtetutën tonë, por edhe për shkak se konsiderojmë që praktikat e mëhershme që i kanë aplikuar qeveritë e mëparshme, kanë qenë po ashtu shkelje të ligjit dhe Kushtetutës sonë”, tha Kurti gjatë konferencës për medie.

    Tutje, ai shtoi se, “sikur kjo të mos mjaftonte, 16 janari është mes 15 e 17 janarit, ku më 15 është përvjetori i Masakrës së Reçakut, të cilët në vazhdimësi e mohojnë zyrtarët e Serbisë, deri te presidenti i fqinjit tonë verior. Ndërkaq më 17 janar është përvjetori i vrasjes së Kadri Zekes dhe vëllezërve Gërvalla, e njëkohësisht edhe katër vjetori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit”.

    “Datë më të mbrapsht për të synuar të mbajnë referendum në Kosovë për çështje të tyre të brendshme nuk kanë mundur të zgjedhin. Ne jemi kundër dhe natyrisht që si Qeveri, qëndrimi jonë është edhe veprim i yni”, theksoi kryeministri.

    Po ashtu, në lidhje me dialogun, Kurti tha se nuk varet nga ai se kur do të mbahen takimet dhe se për marrëveshjen ligjërisht obliguese duhet të ndryshojë qasje Serbia.

    “Nuk ka qenë i padobishëm procesi në Bruksel sa i përket bisedimeve, kemi arritur një marrëveshje për reciprocitetin e targave. Për marrëveshjen ligjërisht obliguese duhet të ndryshojë pakrahasimisht më shumë Serbia, kur zhvillohen takimet nuk varet prej meje, besoj që vitin e ardhshëm do të ketë ftesë për një dialog që i kontribuon paqes së qëndrueshme, stabilitetit afatgjatë e sigurisë rajonale ku përfitues janë qytetarët e jo politikanët”, u shpreh Kurti.

    Sa i përket vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti tha se vizitën e tij atje që pritet të mbahet në fillim të vitit 2022 është duke e përgatitur shefi i stafit të tij, dhe kurdo që ka diçka konkrete në këtë aspekt do të njoftojnë. 

    Lajmi Paraprak

    Për cilin ekip do të vendos të luaj Attila Szalai?

    Lajmi i rradhës

    Si ta dalloni mjaltin origjinal

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë