Zyra e Kryeministrit i është drejtuar përmes një letre Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, brenda zyrës së tij në Qeveri.
Më 19 shkurt, Gjykata Themelore konfirmoi se Prokuroria Speciale i ka kërkuar asajqë ta urdhërojë kryeministrin Kurti që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.
Në letrën dërguar Gjykatës, Kryeministria përsëriti qëndrimin e shprehur më parë se Kurti nuk i ka refuzuar kërkesat për të dhënë dëshmi, por ai ka kërkuar që dëshminë ta japë në ambientet e Qeverisë.
“Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në letër.
Katër ditë më vonë, Kurti kishte marrë sërish ftesë nga Prokuroria, të cilës prapë nuk i ishte përgjigjur pozitivisht.
Por, ftesa e Kurtit që të intervsitohet në zyrën e tij është kritikuar nga ekspertë ligjorë. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se “nëse prokurorët nuk kanë guxim profesional”, atëherë jo vetëm kryeministri, por edhe qytetarët e zakonshëm “mund të tallen dhe të mos e respektojnë autoritetin e Prokurorisë”.
Ndryshe, në Kodin e Procedurës Penale thuhet se një gjyqtar, sipas detyrës zyrtare, apo me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet.
Nëse pas urdhrit gjyqësor, i ftuari nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.
“Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një muaj”, thuhet në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.
Rasti i rezervave shtetërore
Në vitin 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin. /REL/