Kurti: Partnerja jonë tregtare është BE-ja, s’duam të bashkëpunojmë me Rusinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se partnerët kyçë tregtarë të Kosovës janë shtetet e Bashkimit Evropian.

    Në samitin për investime në Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Londër, Kurti u pyet për partneritetin tregtar me shtetet që nuk e njohin Kosovën. Ai tha se një nga to është Rusia, me të cilën, Kosova, sipas tij, nuk do partneritet.

    “Partnerja jonë kyçe tregtare është BE-ja dhe ne duam që ta forcojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim”, tha Kurti në samitin e organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

    “Ne nuk kemi raporte me Federatën Ruse, ne i kemi vendosur sanksione Federatës Ruse. Ne duam që Ukraina të fitojë dhe na duhet e gjithë Evropa demokratike dhe bota të shohim Kremlinin dhe presidentin despotik [Vladimir] Putin të mposhtur. Nuk jemi duke bashkëpunuar me ta, edhe nëse ata do të donim, ne nuk duam. Kemi disa importe nga Kina, por shtetet e BE-së janë partneret tona kyçe tregtare”, shtoi ai.

    Gjatë panelit të diskutimit, ku morën pjesë gjashtë kryeministrat e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor u tha se përmirësimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore e detare, tranzicioni në energji të gjelbër, por edhe zbatimi i reformave për përmirësimin e mjedisit biznesor janë tri prioritetet kyçe të këtyre shteteve, sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja.

    Në Londër, udhëheqësit e gjashtë shteteve ballkanike thanë se pozita gjeografike e tyre, që shërben si lidhje me pjesë të ndryshme të Evropës, bën që rajoni të jetë tërheqës për investitorë të huaj.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në shtetin e tij ka fuqi të re punëtore dhe kosto konkurruese tregtare.

    “Qeveria jonë është e fokusuar në sundim të ligjit, në luftimin e korrupsionit dhe në linjë të plotë me SHBA-në, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar në aspektin gjeopolitik dhe në vlera edhe në aspektin e të bërit biznes”.

    Pas panelit, kryeministri Kurti po ashtu njoftoi për nënshkrimin e një memorandumi të mirëkuptimit me BERZH-in në vlerë prej 400 milionë eurosh investime “në sektorët tanë prioritarë” për periudhën 2024-2027.

    “Mbi 340 milionë euro në kredi sovrane dhe grante në 11 vjetët që kur jemi bërë anëtar” të BERZH-it, shkroi Kurti në X, që më herët njihej si Twitter.

    Gjatë panelit, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha se shteti i saj është i fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, në shndërrimin në një ekonomi të inovacionit teknologjik.

    Nga BERZHI, Shqipëria dhe Serbia u vlerësuan për punën e tyre sa i përket tranzicionit në energji të gjelbër. Shqipëria tha se tashmë varet krejtësisht nga energjia diellore dhe ajo me erë, ndërkaq edhe shtetet e tjera të rajonit, përshirë Kosovën, njoftuan për planet e tyre për të përdorur resurset e ripërtërishme për energji.

    Kryeministri Kurti përmendi përmbylljen e ankandit për një park të energjisë diellore në Kosovë, me kapacitet prodhimi prej 100 megavatësh në orë. Ai paralajmëroi për një projekt të ngjashëm, por me energji të erës, më vonë gjatë këtij viti.

    “Na duhen më shumë investime [të huaja direkte]. Por, Kosova është vend ku mund të bëhen investime, sepse ato veçse po ndodhin”, tha Kurti.

    Lidhjet më të mira mes shteteve të rajonit, gjatë samitit, u tha se ndihmojnë Ballkanin Perëndimor të lëvizë drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, të gjashtë shtetet ballkanike përmendën projektet e tyre rrugore, hekurudhore që lidhin më mirë me njëra-tjetrën dhe me pjesën tjetër të Evropës.

    Gjatë samitit, kryeministrja serbe Bërbaniq teksa iu referohej shifrave për investime dhe rritje ekonomike, tha se ato iu referohen Serbisë Qendrore, pa përfshirë “Kosovën dhe Metohinë”, që tha se është pjesë e Serbisë.

    Kësaj deklarate iu përgjigj Kurti:

    “Emri i shtetit tim është Republika e Kosovës. Nuk është ashtu siç iu referua këtu si ‘Kosovë e Metohi’. Po të ndiqja këtë shembull, do t’iu merrja shumë kohë sepse në vend të Serbi do të thosha: Serbia dhe Vojvodia dhe Sanxhaku, Toplica, Rashka, Lugina e Preshevës dhe rajoni i Timokut”, tha Kurti, teksa Bërnabiq u dëgjua duke thënë se një deklaratë e tillë nuk përkon me realitetin.

    Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe njihet nga 117 shtete, por Serbia vazhdon ta konsiderojë pjesë të saj.

    Tensionet mes dy shteteve janë rritur së fundmi për shkak të një vendimi të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa me para të gatshme.

    Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka kërkuar që çështja të zgjidhet në këtë proces.

    Shtetet e Bashkuara, që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në proces por e mbështesin atë, kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke thënë se vendimi nuk ka marrë parasysh efektet negative që ka te komuniteti serb.

    SHBA-ja dhe BE-ja po ashtu i kërkojnë palëve që përmes dialogut të arrijnë deri te një zgjidhje, me SHBA-në që ka thënë se një marrëveshje nga dialogu, eventualisht do të çonte drejt njohjes së ndërsjellë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Politika bujqësore e BE-së – Protesta pavarësisht ndihmave

    Lajmi i rradhës

    Gjermania, drejt qeverisjes nga ekstremi i djathtë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë