Kurti: Sulmin në Banjskë e kreu “Klani i Novi Sadit”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se sulmin, siç u shpreh ai, “paramilitar dhe terrorist”, ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit e kreu “Klani i Novi Sadit i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq”.

    Një rreshter i Policisë së Kosovës u vra më 24 shtator në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, pasi policia u sulmua nga një grup serbësh të armatosur.

    “Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkroi Kurti në Facebook të hënën.

    Ekzistimi i një “Klani të Novi Sadit” nuk është i njohur për publikun në Serbi.

    Në përleshjet që pasuan në manastirin e Banjskës, ku u fshehën sulmuesit, u vranë tre nga ta.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha më 1 tetor se gjatë operacionit “tonë brenda manastirit u gjetën 49 persona civilë, 43 pelegrinë dhe gjashtë personel, asnjëri nga këta nuk është dëmtuar apo keqtrajtuar.”

    Duke folur për këtë të hënën, Kurti tha se “rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë.”

    Kosova dhe Serbia kanë nisur hetime paralele për ngjarjet në Banjskë, ndërkohë që Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Beogradit të bashkëpunojë plotësisht për këtë çështje.

    Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

    Policia e Kosovës i arrestoi disa nga sulmuesit, por shumica dërrmuese e tyre ikën nga vendi i ngjarjes.

    Kurti theksoi se “grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.”

    Ai paralajmëroi se në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund “terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.”

    Kurti shtoi: “Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.” /REL/

    Lajmi Paraprak

    Spitali Al-Quds i Gazës përballet në çdo moment me kërcënimin e bombardimeve izraelite

    Lajmi i rradhës

    Khodorkovsky: Putini krijon kaos kudo ku mundet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë