Krerët e Kosovës dhe Serbisë hodhën akuza të ndërsjella për bllokim të dialogut. Kurti pas deklaratës së fundit të Trumpit tha se duhet bërë presion mbi Serbinë. Beogradi kundërshton.
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur, por për t’u arritur kjo, duhet t’i bëhet trysni Beogradit që të zbatojë Marrëveshjen e vitit 2023, për rrugën drejt normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.
Nga ana tjetër, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, që është edhekryenegociatori Serbisë në dialog me Kosovën, tha se se “de-përshkallëzimi urgjent dhe formimi i Asociacionit është parakusht për çdo përparim në dialog”.
Trumpi, akuzat dhe kundërakuzat
Këto deklarata në distancë Kosovë-Serbi u bënë pas një postimi të presidentit amerikanDonald Trump, që shkroi të dielën në “Truth Social” se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, “Kosova dhe Serbia ishin duke shkuar drejt një lufte”, por “ai e ndaloi atë”. Trump akuzoi pasardhësin e tij Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.
Postimi i presidentit amerikan u bë mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, ku Trump ka sugjeruar se SHBA-të janë duke ndërmjetësuarbisedime për paqe mes Izraelit dhe Iranit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në pyetjen e gazetarëve pas deklaratës së Trump, nëse mund të ketë shpejt ndonjë marrëveshje me Serbinë, tha se “Kosova dhe Serbia veçse e kanë arritur një marrëveshje për normalizim”, por ajo “po shkelet nga Beogradi”.
“Unë besoj qënormalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat paraqesin aleatin tonë kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special në tri fusha kryesore: e para është mbrojtja, e dyta diplomacia dhe e treta është zhvillimi”, deklaroi Kurti në Prishtinë.
Kushtet e Kurtit
Por Kurti tha se për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, ka disa kushte. “Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata, pikë së pari, t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen Bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.
Menjëherë ka reaguar edhe Serbia. Shefi i Zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, tha se “Kurti nuk dëshiron marrëveshje, as dialog”, duke e akuzuar atë se “Kurti ka 12 vjet që refuzon të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit”.
“Është qesharake që Kurti lavdëron rolin e SHBA dhe sulmon Beogradin. Të gjithë e dinë se personalisht Kurti e ka refuzuar Marrëveshjen e Uashingtonit, duke kundërshtuar ashpër presidentin Trump dhe që tashmë 12 vjet refuzon të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit”, shkroi Petkoviq në platformën X.
Sipas tij, “Kurti nuk dëshiron as marrëveshje, as dialog, por dëshiron t’i dëbojë serbët! Prandaj de-përshkallëzimi urgjent dhe formimi i Asociacionit është parakusht për çdo përparim në dialog”, shkroi Petkoviq në X.
Marrëveshja Hoti-Vuçiq
Në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, si president i SHBA-së, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik që nuk është zbatuar në tërësi. Kjo marrëveshje përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Në vitin 2023, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje tjetër në Ohër të Maqedonisë së Veriut që parasheh normalizimin e marrëdhënieve, por kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga Serbia.
Bashkimi Evropian insiston që marrëveshja është obligative për palët. Marrëveshja, që brenda saj ka 11 nene, ndër të tjera, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, dhe që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Po ashtu parashihet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2011 kur zhvillojnë dialog. Beogradi zyrtar vazhdimisht kërkon në radhë të parë zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ndërsa Kosova pohon se marrëveshjet duhet të zbatohen në tërësi. /DW/