Punëtorët në RMV, viktima të mobingut dhe presionit psikik

    Shumë punëtorë në Maqedoninë e Veriut janë viktima të shqetësimeve psikike në vendin e punës apo mobingut, por pak prej tyre guxojnë që ta denoncojnë atë nga frika se mund të ngelin pa punë, e sidomos kur shqetësimi vjen nga pronari. Përderisa hulumtimet e Lidhjes së Sindikatave tregojnë që rreth 40 për qind e punëtorëve të anketuar në vend kanë qenë pre e mobingut, vitin e kaluar vetëm 48 persona e kanë denoncuar atë, nga të cilët 33 të sektorit publik dhe 15 të atij privat. Profesori i të Drejtës së Punës Lazar Jovevski thotë se përskaj shqetësimeve psikike, ky shqetësim mund të jetë edhe seksual.

    “Mund të ju them se në Maqedoni ka numër të lartë të shqetësimeve në vendin e punës, përkatësisht mobing. Në të kaluarën qytetarët më rrallë kanë guxuar, sepse nga njëra anë nuk e kanë njohur këtë ndërsa nga ana tjetër nuk kanë besim tek sistemi se do të mbrohen. Megjithatë, kanë filluar të denoncohen shqetësimet psikologjike në vendin e punës dhe të ketë aktgjykime për këtë, sa më shumë rritet numri i vendimeve gjyqësore, aq më shumë dukshëm qytetarët inkurajohen të denoncojnë mobingun”, deklaroi Lazar Jovevski, profesor universitar.

    Hulumtimet tregojnë që në Maqedoninë e Veriut më i shpeshtë është mobingu politik, që ka të bëje me kërcënimet apo “ndëshkimet” të cilat i marrin punëtorët vetëm për shkak të përcaktimit të tyre politik, i cili mund të jetë i ndryshëm nga ai i punëdhënësit apo drejtorit.

    Profesori Jovevski më tutje shpjegon se mbrojtja nga shqetësimet psikologjike nga kolegu në vendin e punës fillimisht duhet të kërkohet tek punëdhënësi por në qoftë se dhuna psikike vjen nga vetë ai, atëherë punëtori duhet me shkrim t’i drejtohet punëdhënësit.

    “Nuk është gjithçka shqetësim psikologjik, në qoftë se drejtori i thotë punonjësit që të kryejë ndonjë punë, e cila është në kuadër të detyrave të punës, kjo nuk përbën shqetësim psikologjik, gjithashtu shqetësim psikologjik nuk është në qoftë se nuk të jep ndonjë të drejtë të caktuar, për shembull nuk ta jep pushimin vjetor kur e ke kërkuar ti”, tha Lazar Jovevski, profesor universitar.

    Megjithatë, Jovevski shtoi se në qoftë se këto veprime janë sistematike dhe të vazhdueshme, si dhe në kundërshtim me ligjin, atëherë edhe mund të bëhet fjalë për mobing. Kjo pasi qëllimi kryesor i shqetësimit të vazhdueshme në vendin e punës është që punëtori të sjellët në atë gjendje që vetë të jep dorëheqje.

    Ndryshe, kjo dukuri në Maqedoninë e Veriut është e rregulluar përmes Ligjit për Mbrojtje nga Shqetësimet në Vendin e Punës, ndërsa njihet si Ligji për Mobingun. Ndër “nxitësit” e kësaj dukurie është edhe ndryshimi i shpeshtë i drejtorëve ashtu siç ndryshojnë partitë politike qeverisëse, pasi drejtuesit e rinj shpesh herë kanë tendencë të dhunojnë psikikisht të punësuarit nga partitë politike paraprake. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Një ditë pushimi i kushton Zvicrës mbi 350 milionë euro

    Lajmi i rradhës

    Arrestohen dy persona gjatë një bastisje në Tetovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë