Kush botoi dezinformatë për takim mes Taravarit dhe Mickoskit?

    Zakonisht para zgjedhjeve shpeshtohen takimet mes liderëve të partive politike, për të cilat ka interes të madh në media dhe në opinion. Megjithatë, ndodh që mediat të botojnë edhe informacione për takime që nuk kanë ndodhur. I tillë është rasti me informacionet e pasakta për takimin e pretenduar të liderëve të Aleancës për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE-së, Arben Taravari dhe Hristijan Mickoski.

    Më 31 janar 2024, TV Klan Maqedonia publikoi tekstin me titull: “Arben Taravari në selinë e VMRO-DPMNE-së, takohet me Mickoskin!”. Kjo përmbajtje u transmetua edhe nga portale tjera në gjuhën shqipe, e më pas u transmetua edhe nga portale në gjuhën maqedonase.

    Mirëpo ky lajm i pasaktë u përgënjeshtrua nga Aleanca për Shqiptarët, e cila kumtoi se nuk ka pasur fare një takim të tillë. “Lajmi i publikuar në disa media për gjoja takim mes kryetarit Arben Taravari me Mickoskin është i rremë, pasi makina të cilën e sjellin si “fakt” këto media, ajo nuk është e kryetarit të ASH-së. Makina në fjalë është e kryetarit të Degës së VMRO-DPMNE-së nga Komuna Mavrovë-Rostushë, Haris Ibrahimi”, thuhet në kumtesën e kësaj partie.

    Pas demantit, TV Klan e fshiu përmbajtjen me lajmin e pasaktë. Ky televizion botoi edhe një “Sqarim për lexuesit dhe opinionin”, në të cilin u kërkoi falje Taravarit, Mickoskit dhe lexuesve, duke sqaruar se teksti është publikuar pa dijeninë e redaktorëve përgjegjës dhe menaxhmentit të ri në televizion. “Punonjësi përgjegjës pa u konsultuar me menaxhmentin dhe redaktorët e ka publikuar lajmin në web faqen e televizionit. Gjithashtu ka bërë edhe një veprim akoma më të papërgjegjshëm duke e shpërndarë lajmin në disa email adresa të redaksive të tjera”, thuhet në botimin e TV Klanit.

    Në këtë rast, informacioni i botuar i pasaktë dhe i pavërtetuar paraqet shkelje të standardeve gazetareske, ndërsa veprimi i redaksisë është ajo që duhet të bëjë çdo media pas vërejtjes së një gabimi të tillë – të botojë korrigjim, falje dhe shpjegim për lexuesit. Vetëm në këtë mënyrë mediat mund të ruajnë besimin e publikut. /IMA/

    Lajmi Paraprak

    Raporti i OBSh: Rastet e të prekurve me kancer do të rriten me 77% deri në vitin 2050

    Lajmi i rradhës

    Punëtorët e kualifikuar: Racizmi është pjesë e Gjermanisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë