Pragu për përfaqësimin sindikal do të ndryshohet nga 10 në 5 për qind. Javën e kaluar me 65 vota “pro” dhe 10 “kundër”, deputetët dhanë dritën jeshile për uljen e pragut për përfaqësimin sindikal, dhe propozimi i dorëzohet Komisionit për Çështje Ekonomike. Sindikatat janë në kundërshtim lidhur me ndryshimet e fundit, LSM i kundërshton përderisa ato përshëndeten nga sindikatat tjera. Sipas presidentit të Konfederatës së Organizatave Sindikale, Marjan Risteski, kjo do t’u lejojë një pjese të madhe të sindikatave të marrin pjesë në dialogun ekonomik dhe social. Ai shpreson se do të ketë edhe ndryshime të tjera. Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi thekson se është shumë e rëndësishme që të ketë përfaqësim të barabartë të sindikatave në aftësinë për të marrë vendime.
“Për sa di unë, Komisioni për Përfaqësim po punon vazhdimisht, duke numëruar kandidatët për anëtarë sindikalë dhe është një proces më kompleks, por mendoj se është në fazën e tij përfundimtare. Në të njëjtën kohë, po e ulim përqindjen e përfaqësimit nga 10 në 5 për qind me qëllim që ta demokratizojmë dialogun në Këshillin Ekonomik Social. Përndryshe, ne formuam Komisionin që duhet të bëjë numërimin dhe të vendosë se cila sindikatë është përfaqësuese. Nëse do ta kishte përfunduar këtë punë, supozoj se duhej të na kishte informuar” theksoi Durmishi.
Sipas tij, me një prag shumë të lartë përfaqësimi, mund të futet një pengesë indirekte për sindikatat. “Ka edhe punonjës të tjerë nga sindikata të tjera, do t’u japim atyre mundësinë të veprojnë, të marrin vendime në Këshillin Ekonomik dhe Social dhe ky është qëllimi i Këshillit, si dhe të mos ketë vetëm një sindikatë”, shton Durmishi.
Kryetari i Konfederatës së Organizatave Sindikale, Marjan Risteski, pret që së shpejti të miratohen ndryshimet ligjore për përfaqësimin e sindikatave dhe që Këshilli Ekonomik dhe Social të mbajë seancë. Me këtë, Qeveria i ka hapur rrugën Konfederatës së Sindikatave të Lira për t’u anëtarësuar në Këshillin Ekonomik dhe Social. Sipas Risteskit, numri i shtuar i sindikatave do të kontribuonte në një dialog më të mirë social në interes të punëtorëve. Kur u pyet se si e sheh debatin në Parlament për Këshillin Ekonomik dhe Social, Risteski u përgjigj se së pari duhet të formohet këshilli, i cili do të përfshijë disa sindikata.
“Kur të vijë momenti për të vendosur për rritjen e pagës minimale ose miratimin e ligjeve në interes të punëtorëve, publikut, mediave do të jenë aty – dhe atëherë do të shohim se si do të reagojmë. Le të mos paragjykojmë. Nëse ka më shumë sindikata, do të ketë dialog më të mirë social në favor të punëtorëve. E patë se ku na ka çuar praktika me një sindikatë në 30 vitet e fundit – një sindikatë i nënshtrohet presioneve politike, nga të cilat përfiton vetëm lidershipi i brendshëm”, theksoi Risteski.
Pas konfliktit të hapur midis Qeverisë dhe Sindikatave të Maqedonisë për pagën minimale, puna e Këshillit Ekonomik dhe Social është bllokuar dhe seancat nuk po mbahen sepse Qeveria ka muaj që numëron anëtarët e Konfederatës së Sindikatave për të përcaktuar përfaqësimin e tyre.
Lidhur me çështjen e përfaqësimit, numri një i Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafilov, tha se Qeveria po e vonon qëllimisht përcaktimin se cila sindikatë është përfaqësuese, që do të thotë të jesh pjesë e Këshillit Ekonomik dhe Social ku ulen përfaqësuesit e Qeverisë, punëdhënësve dhe sindikatave dhe ku merren vendime për pagën minimale. Kreu i LSM-së theksoi se nuk e di se kur do të përcaktohet përfaqësimi, por tha se Qeveria duke sulmuar sindikatën, po bën gjithçka për të penguar arritjen e një marrëveshjeje për pagën minimale.
Në ndërkohë, numërimi i anëtarësisë për LSM është përfunduar dhe është konfirmuar se ato janë mbi pragun ekzistues ligjor prej 10 për qind të numrit të përgjithshëm të punëtorëve në vend, ndërsa Konfederata e Sindikatave do të duhet të konfirmojë se do të përmbushë pragun e ri prej pesë për qind.
Demokratizimi i lëvizjes sindikale sipas rekomandimit të organizatave ndërkombëtare dhe ulja e pragut në pesë për qind ka qenë një kërkesë e bërë në grupet e punës për vite me radhë, thonë nga KSS. “Rekomandimi ishte të demokratizohej organizimi sindikal dhe në ato grupe pune që hartuan planin ose projektligjin për marrëdhëniet e punës, gjithmonë kishte një konsensus për të ulur pragun e përfaqësimit me kërkesë të sindikatave më të vogla”, tha Blagoja Ralpovski, president i Konfederatës së Sindikatave të Lira (KSS).
Kreu i KSS-së, Ralpovski, thotë se kjo ishte një kërkesë nga sindikatat më të vogla që zëri i tyre të dëgjohet.
“Nuk do të thoja se dikush do të fitojë ose dikush do të humbasë. Sindikatat e mëdha do ta gjejnë veten përfaqësuese. Ato më të vogla do të kenë mundësinë të luftojnë për përfaqësim. Nuk do të ketë kaos sepse duhet të respektojmë liberalizimin dhe pluralizmin në organizimin sindikal, ashtu siç respektojmë zgjedhjen e qeverive politike në Maqedoni”, tha Blagoja Ralpovski, President i KSS-së.
LSM beson se këto ndryshime mund të ishin propozuar nga Këshilli Ekonomik dhe Social, por ata janë gjithashtu skeptikë nëse sindikata e dytë që do të fitojë përfaqësim do të përfaqësojë interesat e punëtorëve. “Pyesim veten se kë do të përfaqësojnë dhe si do t’i përfaqësojnë ata atje nëse bëhen ndryshime të shpejta në ligjin e punës pa dialog social, vetëm për të kënaqur KSS-në që të marrë pjesë në Këshillin Ekonomik dhe Social. Nga rruga, ata kanë marrë pjesë në të deri më tani, por nuk kanë kërkuar asgjë për punëtorët, presim që ata të kërkojnë rritje page, nëse jo tjetër”, tha Sllobodan Trendafilov, president i LSM-së .
Propozuesi i ndryshimeve, Bojan Stojanovski nga VMRO DPMNE, beson se me sindikata më përfaqësuese në KES, do të ketë presion më të madh nga punëtorët mbi Qeverinë dhe punëdhënësit.
“Në të ardhmen, ne do të sjellim edhe zgjidhje ligjore që do të ndikojnë në organizatat sindikale në këtë formë, sepse për sa kohë që kemi një dialog argumentues, nuk është e frikshme të mos biesh dakord. Por për sa kohë që flasim, besoj se mund t’i zgjidhim problemet dhe të ecim në atë drejtim. Me më shumë sindikata në Këshillin Ekonomik dhe Social, mund të ushtrohet presion më i madh si mbi punëdhënësit ashtu edhe mbi Qeverinë për të përmbushur më shumë kërkesa të sindikatave dhe punëtorëve”, thotë Bojan Stojanovski, kryetar i Komisionit për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike.
Ndryshe, përfaqësimi i sindikatave skadoi në dhjetor dhe seanca e fundit e Këshillit Ekonomik dhe Social u mbajt në shkurt. /Koha/