Kur Qeveria përzihet në punët e gjyqësorit!

    Deklarata e ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, se Qeveria dhe opozita do të diskutojnë në ditët në vazhdim për të gjetur një zgjidhje për përfundimin e mandatit të përbërjes aktuale të Këshillit Gjyqësor (KSH) ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, por edhe vet brenda Këshillit Gjyqësor.

    Ndërkohë edhe kryeministri Kovaçevski ka deklaruar se duhet të bëhet një remont, në momentin kur u pyet për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor. Kovaçevski theksoi se përgjegjësia duhet kërkuar nga individët.

    “Nuk kemi diskutuar detaje me Llogën, pasi KSH bie në resorin e tij. Në drejtësi ka persona që janë profesionistë të lartë, ka njerëz që mund të përmirësojnë punën e tyre përmes trajnimeve, por ka edhe individë, si në çdo sistem, që nuk performojnë në nivelin që duhet të kenë. Prandaj duhet të ketë një sistem në drejtësi që do të jetë në gjendje të diagnostikojë përgjegjësinë, ka emër dhe mbiemër”, u shpreh Kovaçevski.

    Deklaratat e tilla llogariten edhe si presion dhe shtypje politike mbi Këshillin Gjyqësor dhe tentim për ndikim. Anëtari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa në një prononcim ekskluziv për gazetën Koha, ka thënë se deklaratat e tilla janë përzierje e drejtpërdrejt dhe presion në punët e Gjyqësorit, nëse flasim sipas parimeve të ndarjes së pushteteve. “Gjyqësori duhet të lihet i lirë të funksionojë, kurse pushteti ekzekutiv nëse do ta ndihmojë punën e Gjyqësorit le të krijojë klimë pozitive, duke bërë ndarjen e buxhetit për Gjyqësorin ashtu siç e parasheh Ligji për buxhetin. Gjyqësori dekada me radhë është viktimë e zbrazëtirave buxhetore dhe shkurtimeve buxhetore për interes të pushtetit ekzekutiv. Kur flasim për pavarësi veprimi mendojmë edhe për pavarësi financiare. Formacioni i Këshillit gjyqësorë është problemi më i vogël në funksionimin e gjyqësorit”, ka deklaruar Mustafa.

    Ai tha se mandati që po rrjedh ka qenë një periudhë delikate për shtetin tonë, por nën drejtimin e këtij Këshilli Maqedonia e Veriut ka marr vite me radhë raporte pozitive nga BE-ja dhe ShBA-të. Sipas tij, publiku duhet ta dijë se mandati i numrit më të madh të anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë është nga fundi dhe për një vit e gjysmë afërsisht do të kemi formacion të ri të KGj. “Për këtë mendoj se akrobacionet e çfarëdolloj qofshin shkojnë në dëm dhe në paralizim të funksionimit të gjyqësorit, që të gjithë e dimë përvojën e Shqipërisë ku si rezultat i reformës në drejtësi për gati një dekadë nuk kemi sistem funksional të drejtësisë. Dy anëtaret i deponuan dorëheqjet e tyre dhe i arsyetuan ato. Është e drejte e tyre. KGJ ka hapur shpallje për dy vendet e lira të krijuara dhe së shpejti do të jemi të kompletuar dhe të vazhdojmë me punët prioritare si zgjedhjen e gjykatësve të rinj që për gati se gjashtë muaj po presin për zgjedhje”, tha ai.

    Nga ana tjetër, partia opozitare VMRO-DPMNE është e gatshme të mbështesë ndryshimet ligjore për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Ndryshe, para 10 ditësh dorëheqje në Këshillin Gjyqësor kanë dorëzuar vetëm dy anëtarë – gjykatësit Zoran Gerasimovski dhe Mirjana Radeva-Stefkova. 

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut ka nevojë për rreth 10 mijë punëtorë!

    Lajmi i rradhës

    Në qendrën e parë tregtare në Dibër, dyqanet në dry

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë