Ndryshimet ligjore në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, të cilat mes tjerash parashohin edhe fshirjen e diasporës dhe zvogëlimin e numrit të këshilltarëve nëpër komunat shqiptare, vazhdoi të jetë një temë e nxehtë edhe në seancën për pyetje deputetësh në parlament. Deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti kërkoi përgjigje nga kryeministri se përse kanë vendosur që përmes ndryshimeve ligjore në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale të përjashtojnë mërgatën, konkretisht banorët jo-rezident. Ajo tha se një qasje e tillë e qeverisë është diskriminuese dhe nuk sjell dobi për shoqërinë, ndërsa do tu shkaktojë dëm të madh vendbanimeve shqiptare.
“Fatkeqësisht përfaqësuesit e juaj, nuk na dhanë asnjë argument se përse duhet të qëndrojë në ligjin neni i cili përjashton mërgatën. Nisur nga kjo mosmarrje e përgjigjeve, e ndjej të nevojshme që ta shtroj këtu si çështje. Vazhdoj të insistojë që ai vendimi i qeverisë është tejet tendencioz, përjashtues. E shoh të arsyeshme që një ditë sa më parë ai propozim-ligj të hiqet nga procedura parlamentare. Konsiderojë se kjo çështje ka nisur kështu dhe do të vazhdojë deri në fshirjen e diasporës nga listat e votimit. Nuk mund të ndërtohet ardhmëri e vendit, duke shkelur mbi tjetrin”, theksoi deputetja Dauti, e cila iu drejtua kryeministrit duke thënë se kjo ndarje e qytetarëve duhet të përfundojë.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski fillimisht tha se qëllimi i ligjit nuk është ti fshijë banorët jo-rezident, por miratohet me qëllim që të mund të bëhen ndryshime në përputhje me proceset zgjedhore kur zgjedhen kryetarët e komunave dhe këshilltarët. Megjithatë, ai shmangu të jep përgjigje se përse është i nevojshëm që në këtë ligj të figurojë neni me të cilin banorët jo-rezident do të përjashtohen nga përfaqësimi politikë nëpër këshillat komunal dhe të përjashtohen nga punësimet dhe nga ndarja e buxhetit. Ai në vend se të përgjigjet konkretisht, propozoi që të punojnë në ndryshimin e kodit zgjedhor dhe të ketë vetëm një njësi zgjedhore.
“Kur e hapët këtë çështje, unë ju bëjë thirrje të gjithëve, ejani të ndryshojmë kodin zgjedhor dhe të bëjmë vetëm një njësi zgjedhore dhe në atë njësi zgjedhore të lejojmë edhe diasporën të votojë, të formojmë vendvotime në ato shtete ku lejohet në përputhje me Kushtetutën, jashtë përfaqësive diplomatike”, theksoi Mickoski. Madje, ai tha se është i gatshëm që këtë ta bëjë në mënyrë të shpejtë.
“Unë jam i gatshëm, menjëherë. Të mos filozofojmë, menjëherë ta hapim këtë çështje dhe ta mbyllim. Të kemi një njësi zgjedhore dhe në atë njësi zgjedhore të numërohen edhe votat e diasporës, edhe atë jo vetëm nëpër përfaqësitë diplomatike. Jam i gatshëm që menjëherë të mbështesë atë ligj dhe ju jap fjalën që grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do ta përkrah. Pjesën tjetër që e thatë nuk do ta komentojë, jo se nuk mund ta komentojë, por sepse jeni një zonjë dhe nuk do të doja të hyjë në retorikë të tillë”, theksoi kryeministri Mickoski.
Deputetja Dauti u ndje e zhgënjyer që nuk mundi të marrë përgjigje. Kjo, sipas Dautit, flet shumë.
“Prita se me të vërtetë për përgjigje, por përgjigjen nuk e mora sot, siç nuk e mora edhe në seancën plenare dhe në seancat e komisionit. Që i bie se me të vërtetë ka hamendje të mëdha dhe jeni në situatë pa përgjigje, përballë një teme kaq të ndjeshme siç është përjashtimi i diasporës nga e drejta e përfaqësimit politik përmes këshilltarëve në nivel lokal, nga e drejta e përfaqësimit të tyre në punësime dhe nga e drejta e tyre e përfaqësimit të tyre në buxhet”, theksoi Dauti.
Ajo tha se kryeministri tërë kohës bën thirrje që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë dhe të mos bëhet ndarje, por tërë kohën ndarjen e bën pikërisht ai.
Sa i përket propozimit të kryeministrit për një njësi zgjedhore, Dauti me përgjigje “Për çështjen e kodit zgjedhor, gjithmonë Aleanca për Shqiptarët është e gatshme të bisedojë për tema të tilla,e kemi shprehur edhe publikisht qëndrimin tonë. Kemi thënë se jemi për tetë njësi zgjedhore, aq sa janë edhe rajonet sipas zhvillimit të barabartë. Në qoftë se jeni të interesuar për të vazhduar debatin për këtë temë, ne jemi të gatshëm. Ju e dini se një vendim i tillë i qeverisë ka implikime financiare. Ju thoni se nuk duhet të bëhet ndarja, por ndarjen e bëni ju. Komunat shqiptare si rezultat i ndarjes së kredisë hungareze që është ndarë me 44 euro me kokë banorë ku janë përjashtuar mërgata ka bërë që vendbanimet shqiptare të jenë të dënuara”, theksoi deputetja Dauti.
Deputetja e Frontit Evropian parashtroi pyetje edhe në lidhje me situatën në shkollën Nerovë, ku nxënësit shqiptarë nuk po mund të ndjekin mësimin, pasi shteti nuk lejon që në objektin e ndërtuar me vetiniciativë nga banorët lokal dhe nga donatorë të ndryshëm nga diaspora të ndiqet procesi mësimor.
“Si mund të dalim nga situata e krijuar në fshatin Nerovë të Krushevës ku tashmë edhe opinioni është i njoftuar se bëhet fjalë për nxënës që kanë mësuar dhe vazhdojnë të mësojnë në objekt të ndërtuar për më tepër se 75 viteve”, pyeti deputetja Dauti, kryeministrin Mickoski.
“Banorët atje kërkojnë kushte të dinjitetshme, meqenëse shteti nuk iu ka garantuar këtë, ato kanë ndërtuar vet një shkollë por ju kanë dalur telashe me legalizimin e objektit. Unë besoj se banorët që me vetiniciativë kanë ndërtuar shkollën, vetëm se ia kanë lehtësuar punën shtetit”, tha deputetja Dauti.
Në përgjigjen e tij Mickoski tha se nuk dëshiron që kjo çështje të politizohet dhe se do të angazhohet personalisht që të gjendjet zgjidhje.
“Siç kujdesem për nxënësit e Nerovës, kujdesem edhe për nxënësit në Kiril Pejçinoviç në Tetovë, edhe për ato në Leshok. Për nxënësit e Kirill Pejçinoviçit u gjet një investitor dhe shumë shpejtë do të fillojë rekonstiruimi dhe do të mundësohet që ato do të mësojnë në kushte të mira. Përndryshe ai investitorë që donoi, vendosi ta donoj nëpërmjet procedurave legale, duke e informuar kryetarin e komunës dhe Këshillin dhe për atë donacion votuan të gjithë këshilltarët komunal. Ka procedura, ka rregulla, ka ligje, ka Kushtetutë dhe duhet ti respektojmë të gjithë këtij dhe ju këtë më së miri duhet ta dini. Unë personalisht do të shkojë atje dhe do të bisedojë me prindërit dhe unë personalisht do të bëjë gjithçka që ato fëmijë të ndjekin procesin arsimor. Ju jap fjalë që personalisht do të angazhohem që ky problem të tejkalohet, pa u keqpërdorur në mënyrë politike”, theksoi Mickoski.
Ai tha se megjithatë fajtorë për këtë situatë janë investitorët të cilët kanë vendosur që në mënyrë ilegale të ndërtojnë objekt.
“Përgjegjëse është komuna, por përgjegjëse është që edhe ato që me donacione, kanë vendosur që në parcelë të parregulluar ligjërisht të ndërtojnë objekt. Pa dallim se ato kanë thënë se ky objekt do të jetë për ndjekjen e procesit arsimor, ka ligje në këtë shtet dhe duhet ti respektojmë ligjet. Vetëm ju lutem nga kjo të mos bëjmë retorikë politike”, theksoi kryeministri Mickoski.
Ndërkohë, pavarësisht që tërë kohës Mickoski theksonte se kësaj çështjeje mos ti jepet konotacion politik, nuk ngurroi që ai vet ta bëjë atë, duke akuzuar pushtetin e kaluar, konkretisht BDI-në për këtë situatë.
“Ato që i kanë vjedhur paratë nga i pari te i fundit do të japin përgjegjësi dhe kjo nuk është kërcënim. Për shkak se edhe mua më dhemb kur i shoh se në çfarë kushtet këto fëmijë mësojnë”, theksoi kryeministri Mickoski. /Koha/