Kush i financon partitë politike në Maqedoninë e Veriut?

    Në kushtet e thellimit të krizës dhe pasigurisë afatgjate e cila është në rritje, për shkak të së cilës qytetarët janë të detyruar të kursejnë dhe po vështirësohet gjithnjë e më shumë plotësimi i nevojave elementare të jetës, dhe ekonomia mezi mbahet, të krijohet përshtypja se partitë politikë janë jashtë këtij trendi. Domethënë, ata nuk përmbahen të synojnë para nga buxheti i shtetit, për të cilën kanë mundësi ligjore, por në të njëjtën kohë lënë përshtypjen tek opinioni dhe qytetarët se “nuk janë të detyruar t’i dorëzojnë faturat për askënd nga llogaria e buxhetit”, shkruan gazeta Koha.

    Një përshtypje e tillë e përhapur te qytetarët, u mbështet një ditë më parë nga konkluzioni i Qendrës për Hulumtime të Institutit Republikan IRI, sipas të cilit, vetëm një e pesta e qytetarëve besojnë se partitë politike në vend disponojnë në mënyrë transparente paratë e marra nga buxhetin e shtetit. Në të njëjtin kontekst, edhe më të tmerrshme janë konstatimet në konkluzionin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Raportin Special të fundit për keqpërdorimet e konstatuara në financimin e fushatës zgjedhore në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021.

    Edhe pse ekspertët pajtohen në parim për gjetjen e burimeve të keqpërdorimit, por krejtësisht ndryshe janë parashikimet e tyre në raport me atë se si do të mund të rritet transparenca dhe të ulen keqpërdorimet gjatë harxhimit të parave të qytetarëve për qëllime partiake. Vetë fakti që Komisioni për Antikorrupsion u detyrua të nxjerrë një “Raport të posaçëm për keqpërdorimet e evidentuara në financimin e fushatës zgjedhore në zgjedhjet e fundit lokale 2021”, i cili tashmë është dorëzuar në Parlament, sipas njohësve të fushës është mjaft alarmante.

    “Është e qartë se partitë parlamentare dhe koalicionet e udhëhequra prej tyre financimin e fushatës zgjedhore e kanë siguruar nga mjetet buxhetore, gjegjësisht nga mjetet e planifikuara për reklama të paguara politike dhe nga mjetet e marra nga buxheti i RMV-së, të dedikuara për funksionimin e rregullt të partive. Donacionet nga personat juridikë dhe fizikë janë burimet dominuese të financimit për kandidatët e pavarur, si dhe për partitë që nuk kanë mjete të mjaftueshme nga buxheti i RMV-së.

    Vlen të përmendet se në këto zgjedhje mjetet e siguruara nga partitë nga donacionet, qofshin të paguara në llogarinë zgjedhore apo në llogarinë e rregullt, janë minimale në krahasim me fondet e tjera”, thuhet në raport. Por siç konstatoi komisioni, nga 31 parti politike që kanë faqe interneti, vetëm shtatë e kanë përmbushur plotësisht detyrimin e tyre dhe kanë publikuar raportet për paratë e shpenzuara, tre parti kanë dhënë vetëm informacione të pjesshme, 18 prej tyre nuk kanë publikuar asnjë raport ndërsa te tre parti ueb faqet e tyre nuk ishin aktive.

    “Kjo tregon për një mostransparencë të madhe të partive politike ndaj opinionit. Në këtë mënyrë, opinionit i zvogëlohet mundësia të informohet në kohë sa para kanë partitë, ku i sigurojnë ato dhe më e rëndësishmja, për çfarë shpenzohen paratë e qytetarëve, duke qenë se fondet ndahen nga buxheti i shtetit”, konstatojnë nga Komisioni për Antikorrupsion.

    Ndërkohë, komisioni, në bazë të dyshimeve të caktuara, ka paraqitur kërkesë në Drejtorinë për Kundërzbulim Financiar për të kontrolluar 240 transaksione të dyshimta për disa pjesëmarrës në fushatën zgjedhore. Ndryshe, duke analizuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor në lidhje me afatet për zhvillimin e zgjedhjeve në dhjetë vitet e fundit, komisioni ka ardhur në gjetje mjaft interesante.

    “Shumica e ndryshimeve, deri në 14, iu nënshtruan dispozitave që rregullojnë zhvillimin e fushatës zgjedhore, pra dispozitave për mënyrën e reklamimit, financimit dhe raportimit, pak para zgjedhjeve, gjë që krijon pasiguri në veprimet e palëve në procesin zgjedhor, dhe ekziston dyshimi i opinionit se partitë politike, pavarësisht ideologjive kundërshtuese politike, kanë gjithmonë të njëjtin qëndrim dhe interes të përbashkët kur ekziston mundësia që ndryshimet të ofrojnë burime të volitshme për financimin e fushatës, një pozicion më të mirë dhe një rezultat pozitiv të zgjedhjeve”, thuhet në raport.

    Për të gjitha këto, komisioni konsideron se janë të nevojshme një sërë ndryshimesh ligjore dhe Instituti Republikan IRI vlerëson se është e nevojshme që vetë partitë politike me sjelljen e tyre të përpiqen të rifitojnë besimin e humbur.

    “Që një demokraci të jetë e suksesshme, është absolutisht thelbësore që partitë politike të ndërtojnë besim. Ky sondazh tregon se transparenca në partitë politike duhet të jetë një prioritet në të ardhmen”, tha Pol Mekarti, drejtor Rajonal i IRI-t për Evropën.

    Lajmi Paraprak

    Bllazheski: Pakoja e masave të qeverisë nuk mbron qytetarin në plan afatgjatë

    Lajmi i rradhës

    Britania: Pushtimi rus “ka ngecur në të gjitha frontet”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë