KUSHTETUESJA E PARALIZUAR! Parlamenti nuk e ka prioritet propozimin për gjykatës të ri

    Vështirë që Gjykata Kushtetuese të ekipohet me tre gjykatës të tjerë deri në fund të vitit dhe në vend të gjashtë të punoj me përbërje të plotë prej nëntë gjykatësve, sepse as Këshilli Gjyqësor dhe as Parlamenti nuk saktësojnë se kur do t’i fillojnë procedurat për propozime të gjykatësve të ri. Gjykatëses Vangelina Markudova javën e kaluar i skadoi mandati dhe Gjykata sërish apeloi për përshpejtimin e zgjedhjes së gjykatësve të rinj. Nuk dihet se kur do të vazhdojë diskutimi i komisionit për zgjedhjen e prokurorit publik të shtetit Lubomir Joveski për gjykatës kushtetues, sidomos pas përplasjeve të hapura mes zëvendëskryeministres për qeverisje të mirë Sllavica Grkovska dhe prokurorit, e as nuk dihet nëse Parlamenti ka filluar procedurën për zgjedhjen e një gjykatësi tjetër kushtetues me propozim të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.

    “Këshilli Gjyqësor promovon vazhdimisht përkushtimin për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, i cili do të jetë objektiv dhe i përgjegjshëm në marrjen e vendimeve. Ju njoftojmë se në një nga seancat në vijim, Këshilli Gjyqësor do të diskutojë të gjitha propozimet që do të evidentohen nga çdo anëtar i Këshillit. Me rastin e nxjerrjes në pah të propozimeve do të kërkohet një analizë dhe shpjegim i detajuar i meritave të propozimit në mënyrë që propozimi për gjykatës kushtetues të Këshillit Gjyqësor të jetë një gjykatës i cili me dijen, ndërgjegjen dhe integritetin e tij do të kontribuojë në punën e Gjykatës Kushtetuese”, thonë nga Këshilli Gjyqësor

    Këshilli Gjyqësor duhet të dërgojë propozimin për zgjedhjen e gjykatësit të ri dy muaj para skadimit të mandatit të gjykatësit kushtetues, që do të thotë se propozimi për gjykatësin e ri kushtetues është tashmë dy muaj me vonesë. Pas spekulimeve se në Këshillin Gjyqësor ka mosmarrëveshje dhe ndikime se kush duhet të plotësojë vendin në Gjykatën Kushtetuese dhe për këtë po pritet propozimi i tyre, ata sigurojnë se do ta marrin vendimin pa asnjë ndikim.

    Sipas mediumeve maqedonase, dyshohet se po lobojnë që Sllavica Andreeva të propozohet për gjykatëse të re kushtetuese.

    Edhe kryetarja e Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime, Marija Georgievska, nuk saktëson se kur do të vazhdojë seanca për propozimin që Joveski të jetë gjykatës i ri kushtetues. Ajo përsëriti se prioritet në Parlament tani është miratimi i buxhetit të shtetit për vitin 2023. Por, përkundër debatit të komisionit për buxhetin, në Parlament janë edhe komisione të tjera. Georgievska nuk u përgjigj nëse planifikohet të tërhiqet propozimi që Joveski të jetë gjykatës kushtetues. Pakënaqësi për punën e tij si prokuror i shtetit shprehën Grkovska, por edhe avokatë të njohur. Zgjedhja e Joveskit për gjykatës kushtetues ka disa muaj që ka ngecur në Komision, ndërsa grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së disa herë ka thënë se nuk do ta lejojnë që Joveski të bëhet gjykatës në Gjykatën Kushtetuese.

    Edhe profesori universitar, Gordan Kallajxhiev ka dal kundër prokurorit Lubomir Joveski.

    “Jo vetëm Grkovska, askush nuk është i kënaqur me Lubomir Joveskin. Nuk ka njeri që është i kënaqur me rezultatet e tij si Prokuror i Përgjithshëm. As nuk ka treguar ndonjë rezultat më parë, nëse jemi të sinqertë dhe e pranojmë. Këto janë disa nga ambiciet e tij personale, për të vazhduar karrierën pa asnjë autokritikë. Nuk ka dyshim se Prokuroria ka probleme serioze dhe për këtë fajin e ka vetë prokurori”, ka deklaruar profesori universitar, Gordan Kallajxhiev. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria emëroi Zarko Milloshevskin drejtor të ri të Agjencisë për Siguri Kombëtare

    Lajmi i rradhës

    RMV me çmimet më të larta në rajon sa i përket produkteve bazë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë