Kuvendi i Shqipërisë miraton projektin për portin e Durrësit

    Kuvendi i Shqipërisë miratoi marrëveshjen për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, që sipas Qeverisë do të jetë porti më i madh turistik i Mesdheut.

    Në seancën e së enjtes, e cila zgjati rreth 14 orë, pas mesnate u miratua marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe investitorit nga Dubai, Mohamed Alaabar.

    Pro kësaj marrëveshje votuan 76 deputetë, ndërsa 35 deputetë votuan kundër këtij projekti.

    Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë, ndërsa në momentin e votimit në sallë ishin 111 deputetë.

    Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në momentin e votimit.

    Seanca u shoqërua me debate të forta dhe u ndërpre dy herë, për shkak të tensioneve të krijuara gjatë fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

    Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend mbrojti projektin, duke e cilësuar atë si historik

    “Investimi kap vlerën 1.2 miliardë euro. Do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë”, tha ai duke iu përgjigjur kritikave dhe akuzave të opozitës për marrëveshjen.

    Opozita e konsideron projektin e Portit të Durrësit si një nga aferat më të mëdha të Qeverisë Rama.

    “Marrëveshja shkel me të dy këmbët marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, shkel Kushtetutën e Shqipërisë. Marrëveshja është një mashtrim fund e krye ligjor”, tha Berisha.

    Shefi i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se në Portin e Durrësit do të pastrohen paratë e krimit.

    Marrëveshja për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina” u nënshkrua më 11 gusht të këtij viti mes Qeverisë shqiptare dhe investitorit arab, Muhammed El Alabbar.

    Disa ditë pas nënshkrimit, pati një reagim nga zyra e delegacionit të Bashkimit Evropain në Tiranë, duke kërkuar më shumë transparencë dhe qartësi.

    Dy ditë më parë zyra e BE-së në Tiranë njoftoi se është anuluar granti i Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor për portin e Durrësi, për shkak të modifikimit të projektit.

    Vlera e këtij granti ishte 28 milionë euro.

    Por, të enjten gjatë fjalës së saj para deputetëve, zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, tha se anulimi i grantit ishte kërkuar prej saj në vitin 2019.

    “E kam kërkuar personalisht sepse nuk kishte pse Shqipëria të merrte një grant 28 milionë euro për të përmirësuar kalatat 1 dhe 2 në portin e Durrësit, për të futur më shumë çimento, grurë apo qymyr, se nuk bënte më asnjë sens ekonomik dhe teknik. U ulëm, diskutuam me BE-në, pasi ishte një aplikim i bërë 12 vjet më parë, dhe në kaq kohë Shqipëria ka ndërruar prioritete dhe strategji”, tha ajo.

    Zyra e BE-së në Tiranë ka deklaruar se “sa i përket marrëveshjes tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë rëndësinë për MSA-në dhe pajtueshmërinë me të, në dialog me institucionet shqiptare”.

    Pas miratimit në Kuvend, marrëveshja shkon në Presidencë për dekretim.

    PD-ja ka depozituar padi në Gjykatë Kushtetuese dhe ka informuar partnerët ndërkombëtarë, pasi pretendon se projekti shkel Marrëveshjen e Asociim- Stabilizimit.

    Me nisjen e zbatimit të marrëveshjes me investitorin arab në Durrës, porti tregtar do të duhet të zhvendoset në Porto Romano.

    Sipas Ballukut, ky port i ri nuk do t’i përgjigjet vetëm nevojave të Shqipërisë, por edhe të Kosovës.

    Ajo tha se ky port do të lidhet përmes linjës hekurudhore me portin e thatë të Prishtinës, por edhe me një port të thatë në Strugë të Maqedonisë së Veriut, duke u vënë kështu në shërbim të gjithë Ballkanit Perëndimor. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Schulz: Më shqetëson rajoni i brishtë në Ballkan

    Lajmi i rradhës

    Përfitimet financiare të gjeneralit rus nga minierat siriane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë