Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet në Statutin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, duke mundësuar funksionalizimin dhe zyrtarizimin e tre fakulteteve të reja në kuadër të këtij institucioni të arsimit të lartë, përcjell Nistori.
Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, i cili theksoi se me këtë vendim është zgjidhur një çështje që, sipas tij, për vite me radhë ka penguar funksionimin e plotë institucional të universitetit.
Sipas njoftimit, ndryshimet statutare janë miratuar me 59 vota “për” dhe asnjë votë kundër.
Me miratimin e tyre, mundësohet funksionalizimi i Fakultetit Juridik, Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Shkencave Humane, në përputhje me procedurat ligjore dhe organizimin e universitetit.
Sali vlerësoi se ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm për zhvillimin e Universitetit “Nënë Tereza”, duke theksuar se ai kontribuon në forcimin e kapaciteteve akademike dhe zgjerimin e ofertës arsimore për studentët.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup është një nga institucionet publike të arsimit të lartë në vend, i themeluar për të ofruar programe studimi në disa fusha akademike. /Nistori/






