Lajçak i konsideron mashtruese deklaratat se BE-ja është kundër hapjes së urës së Ibrit

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë të mërkurën vonë që sugjerimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, ose që ka ndryshuar pozicion në këtë temë, janë mashtruese.

    “Marrja e një vendimi kundër vullnetit të njerëzve të prekur, nuk kontribuon në normalizim marrëdhëniesh. Qeverisja e mirë e kupton ndjeshmërinë e minoriteteve”, ka thënë Lajçak, duke paralajmëruar që çështja e zbatimit të marrëveshjes për urën do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel, por pa përmendur ndonjë datë.

    Kjo urë – që ndan Mitrovicën Jugore me shumicë shqiptare me Mitrovicën Veriore me shumicë serbe – është e hapur për këmbësorët, por jo për vetura.

    Çështja e urës është aktualizuar në javët e fundit pasi autoritetet e Kosovës kanë nisur të kryejnë inspektime në urë dhe kanë paralajmëruar hapjen e saj, pavarësisht se faktori ndërkombëtar beson se tani nuk është koha e duhur.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 13 gusht se hapja e urës në këtë kohë rrezikon ushtarët amerikanë, andaj nuk duhet të hapet.

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë, dhe që secili vendim për urën duhet të merret përmes dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga dialogu në Bruksel.

    Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme në urë.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryenegociator i Kosovës për dialogun në Bruksel, Besnik Bislimi, ka thënë të mërkurën se çështja e hapjes së urës mbi Ibër as “nuk është vendim i njëanshëm” i Qeverisë, e as “çështje e pazgjidhur e dialogut”.

    “Një partner i QUINT-it shtoi edhe kërkesën për inspektime teknike. Ne ndoqëm dy rekomandimet. Tani BE-ja po e kërcënon Kosovën, nëse ajo e zbaton marrëveshjen e ndërmjetësuar nga vetë blloku dhe rekomandimet shtesë”, ka thënë Bislimi përmes një postimi në X.

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka pretenduar të mërkurën se Kurti dhe Bislimi “duan vetëm konflikte të reja” dhe që nuk janë të interesuar në marrëveshje.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë, po ashtu, të mërkurën se do t’i vazhdojë konsultimet me partnerët ndërkombëtarë për hapjen e kësaj ure.

    Kjo deklaratë është mirëpritur për njohësve të çështjeve politike. /REL/

    Lajmi Paraprak

    OBSh shpall sërish linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publik

    Lajmi i rradhës

    Pse duhet t’u mësojmë mirënjohjen fëmijëve?

    Lajme tjera

    Moti për sot

    Moti gjatë ditës së sotme do të jetë me diell dhe me vranësira mesatare lokale. Do të fryjë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë