Lajçak: Na duhet qartësi se si do të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit

    I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak, tha se zhvilloi “diskutim të rëndësishëm” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm në Prishtinë.

    “Erdha në Prishtinë sot për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin [Besnik] Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave (që do të ndërmerren), kështu që patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd”, tha Lajçak.

    Duke folur para gazetarëve pas takimit, emisari evropian tha se qëllimi i takimit ishte të krijohet një kuptim i qartë se si do të veprohet tani e tutje.

    “Ne kemi Marrëveshjen, kemi Aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, u shpreh ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte “shumë intensiv, por shumë i rëndësishëm”.

    I pyetur për modelin kroat për Asociacionin, për të cilin Qeveria e Kosovës insiton, Lajçak u shpreh se ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është diçka që “bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane, e cila është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

    “E kemi thënë që në fillim. Nuk do të them më shumë për këtë. Unë mendoj se jam mjaft i qartë”, u shpreh ai.

    Çfarë është modeli kroat?

    Draft-vizioni i propozuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që do t’i siguronte komunitetit serb një nivel vetëmenaxhimi, bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht në modelin e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci (SNV).

    Siç shkruan në ueb-faqen e tij zyrtare, ky këshill “është një person juridik jofitimprurës”. Ai ka vulën dhe simbolet e veta, të cilat janë krijuar në përputhje me Ligjin Kushtetues Kroat për të Drejtat e Pakicave Kombëtare. Gjithashtu ka kryesinë, kuvendin, bordin mbikëqyrës, presidentin dhe këshillin.

    Disa nga qëllimet e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci përfshijnë: promovimin dhe realizimin e të drejtave në fushën e kulturës, arsimit, ekonomisë dhe interesave të tjera të serbëve, si dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar, kulturor, gjuhësor dhe fetar.

    Statuti specifikon se ky këshill vepron në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave dhe lirive fetare, të zhvillimit të komunitetit lokal, të zhvillimit të qëndrueshëm, të zhvillimit të zonave rurale dhe bujqësisë etj.

    Ai bashkëpunon me institucionet shtetërore, qendrore dhe lokale, me organizata dhe institucione qeveritare dhe joqeveritare, si dhe me organizata ndërkombëtare.

    Anëtarë të këtij këshilli janë përfaqësues të pakicës kombëtare serbe. Ai financohet nga buxheti kroat, por edhe nga mjetet e marra nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, donacionet, të hyrat vetanake, fondet e BE-së dhe aranzhime të tjera që janë në përputhje me ligjin kroat.

    Sipas Qeverisë së Kosovës, modeli kroat është zgjedhur për faktin se Kosova me Kroacinë “kanë ndarë një të kaluar të përbashkët” me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë.

    “Për më tepër, një model i tillë është pranuar në të kaluarën nga Serbia. Prandaj, besojmë që përbën referencë të duhur për rrugën përpara në raport me Serbinë”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për Radion Evropa e Lirë.

    Lajçak bëri të ditur se do të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin të hënën e 15 majit.

    Në anën tjetër, kryeministri Kurti përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se në takim me zotin Lajçak ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazë të arritur në Ohër me Serbinë.

    “Theksova nevojën që Marrëveshja Bazë të zbatohet në tërësi dhe nevojën që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të kësaj Marrëveshjeje”, shkroi ai.

    Emisari evropian, pas vizitës në Kosovë, pritet të shkojë edhe në Serbi.

    Çfarë tha Lajçak në veri?

    Gjatë vizitës së tij në Mitrovicën e Veriut, Miroslav Lajçak, u pyet në lidhje me çështjen e hapjes për qarkullim të urës mbi lumin Ibër, mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

    Hapja e kësaj ure u diskutua ditë më parë me inicitivën e disa asamblistëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

    “Është në duart e dy palëve, ato duhet të pajtohen. Ne duam që hapja e urës të kontribuojë në një stabilitet më të madh se sa në destabilizim. Prandaj, insistoj që duhet ta përdorim platformën e dialogut për t’u pajtuar për një rrugë përpara”, tha Lajçak.

    Lajçak pritet të takohet me pjesëtarë të shoqërisë civile nga komuniteti serb në veri të Kosovës.

    Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij në veri është që të marrë ” informacionin e dorës së parë nga njerëzit që jetojnë këtu për të parë se si e shohin situatën ata”.

    Ai tha se ka dëgjuar për shumë çështje që komuniteti atje i sheh si problematike, pa treguar se cilat janë ato.

    Ndërkaq, i pyetur se cilat janë pritjet e tij dhe kur pritet që kryetarët e zgjedhur në komunat veriore të Kosovës të fillojnë të ushtrojnë detyrat e tyre, ai tha se pritja e vetme e tij është që “do ta gjejmë një zgjidhje që nuk do të çojë në eskalim”.

    “Ka përfaqësues politikë që kanë autoritet, ne jemi duke folur me ta dhe presim të gjejmë një zgjidhje”, shtoi ai.

    Më 23 prill të këtij viti, në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë u mbajtën zgjedhjet lokale për kryetarë komunash. Këto zgjedhje u shpallën pasi shumica e serbëve të asaj zone dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

    Serbët, në përgjithësi, i bojkotuan zgjedhjet dhe në katër komuna u zgjodhën përfaqësues shqiptarë përmes votave nga një dalje shumë e ulët e votuesve.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhje dolën 1.567 votues apo 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të qytetarëve atje me të drejtë vote.

    Zyrtarët nga Bashkimi Evropian kanë thënë se vizita e Lajçakut në Kosovë e Serbi synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

    Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të Zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

    Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

    Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Dyshime për pedofili, ndalohen biznesmenë të njohur nga Tetova dhe Gostivari

    Lajmi i rradhës

    Miliona njerëz janë zhvendosur nga luftërat dhe fatkeqësitë natyrore në mbarë botën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë