Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku i kanë reaguar emisarit për dialogun Kosovë-Serbi të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili të mërkurën kur u pyet në një tryezë diskutimi për liberalizimin e vizave për kosovarët mes tjerash tha “Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”.
Kusari-Lila dhe Çitaku e kanë quajtur arrogant Lajçakun, teksa shefja e GP të LVV-së, ka thënë se nëse atij nuk i pëlqen puna e tij, ndoshta do të ishte më mirë të shkonte diku tjetër.
“Një moment për t’iu përgjigjur Miroslav Lajçakut, nëse nuk e doni punën tuaj, ndoshta më mirë është të shkoni diku tjetër. Çfarë deklarate arrogante nga dikush që supozohet të ndihmojë dy shtete për tu afruar me Bashkimin Europian dhe të mos shikoj tutje”, shkruan Kusari-Lila.
Arrogant e ka quajtur edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Arrogant. Ekstremisht arrogant. Zgjerimi nuk është projekt altruist. Për më tepër, nëse Bashkimi Evropian dështon në fqinjësi, atëherë si presin burokratët e BE-së, të merren seriozisht me vende më të largëta dhe shumë më komplekse”, shkruan Çitaku.
Ndryshe gjatë të mërkurës, Samir Behariq, hulumtues në Forumin Ballkanik, ka thënë se emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, është përgjigjur në mënyrë arrogante kur ia ka parashtruar pyetje për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“E pyeta Lajçakun se pse liderët e Ballkanit Perëndimor duhet t’iu besojnë premtimeve të BE-së, përderisa BE-ja ka dështuar që të liberalizojë vizat për Kosovën dhe të nisë bisedimet për pranimin e Maqedonisë së Veriut. Përgjigjja e tij ishte e neveritshme: “Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”, ka shkruar Behariq në Tëitter, transmeton Telegrafi.
Lajçak kishte shtuar se “është bërë trend që të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave, por se liderët e Kosovës duhet të shkojnë të kërkojnë pajtim në shtetet që po e bllokojnë lirinë e lëvizjes”.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka kritikuar BE-në duke thënë se vendet e Ballkanit gjithmonë përballen me thirrjen “nëse e përmbushni këtë, ne do t’i përmbahemi zotimeve”, por se në realitet “BE-ja s’po i përmbahet zotimeve”. Ka përmendur këtu çështjen e ndryshimit të emrit të shtetit, por ka theksuar se BE-ja s’ka kryer zotimet që i kishte dhënë.
Behariq në një postim tjetër në Twitter ka publikuar një billbord të presidentit kinez në Serbi, duke thënë se nuk mund ta gjesh një tjetër ku mund të shkruajë “Faleminderit Von der Leyen”.
Në seancën plenare të Parlamentit Evropian në mars të këtij viti janë miratuar raportet për katër shtete të Ballkanit Perëndimor. Më herët, më 23 shkurt, të njëjtat raporte ishin miratuar në Komisionin e politikës së jashtme.
Raporti për Kosovën në pjesën më të madhe flet për problemet me të cilat përballet Kosova, nga nevoja për një reformë të sistemit zgjedhor, mungesa e transparencës në pronësinë e mediave, sfidat në ruajtjen e mjedisit, nevojën për depolitizimin e administratës publike dhe reformën e gjyqësorit.
Nga Kosova kërkohet që të bëjë më shumë edhe në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu bëhet ftesë për një angazhim më të madh të autoriteteve të Kosovës edhe në komunikim me shoqërinë civile. Nga Kosova, sikur edhe nga Serbia, kërkohet përkushtim dhe qasje konstruktive edhe në dialog.