Lajmet e rreme dhe eskalimi i protestave për “Propozimin francez” – Çka pritet të ndodhë tash?

    Gjithçka nisi më 30 qershor. Një takim mes kryeministrit të atëhershëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski me kryeministrin e atëhershëm të Bullgarisë Kirill Petkov. Një “Propozim Francez” do hap rrugën që Maqedonia e Veriut të nis negociatat për antarësim në BE. Propozim ky, i cili vendit do t’i zgjidhte kontestit me Bullgarinë dhe hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

    Konkluzionet mbi “Propozimin Francez” u miratuan në Kuvend me 68 vota për, dhe asnjë kundër, ky miratim u bë në mungesë të opozitës maqedonase.

    Konkluzionet u miratuan më 16 korrik.

    Por, të kthehemi prapa për pak më shumë se dy javë të korrikut të 2022-së.

    “Ultimatum, JO faleminderit”, ishte protesta gjithëpopullore e thirrur nga opozita maqedonase kundër këtij propozimi.

    Kjo protest u karakterizua me shumë dhunë, e deri në eskalim të situatës në pikën e përplasjes etnike mes shqiptarëve dhe maqedonëve. Kjo e fundit s’ka një arsye konkrete, por, edhe gjuajtjet me armë ishin pjesë e gjithë kësaj katrahure.

    Për më shumë se dy javë, qytetarët maqedonas bllokuan rrugën para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Aty ata dolën edhe me tenda, makina, karrige. Ata u përgatitën edhe me ushqim e ujë. Ishin të këmbëngulur se do qëndrojnë aty, derisa Qeveria e asaj kohe të tërhiqet nga pranimi i këtij propozimi.

    “Nuk pranojmë bullgarizimin”, “Ne jemi maqedonas”, “Gjuha maqedonase nuk rrjedh nga gjuha bullgare”, e shumë e shumë thirrje të tjera karakterizuan protestën dy javore në vend.

    E në këtë pikë, ne do të shohim në detaje, se çka ishte ajo që shtyu këta njerëz të bëjnë gjithë këtë.

    Propozimi francez” shkaktoi një vërshim të dezinformatave, manipulimeve mediatike dhe teorive të konspiracionit në mediat dhe komunikimet publike në Maqedoni.

    Në dokumentin e njohur si ‘propozim francez’, të cilin e ka publikuar Qeveria e Maqedonisë së Veriut në faqen e saj zyrtare, thuhet se “lidhur me përkthimet e legjislacionit të Bashkimit Evropian, BE-ja nënvizon deklaratat e përshtatshme të njëanshme të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për sa i përket gjuhës maqedonase”.

    Në këtë dokument gjithashtu theksohet se në procesin e zgjerimit të BE-së, thelbësor mbetet bashkëpunimi rajonal dhe raportet ndërfqinjësore.

    “Ia rikujtojmë rëndësinë e rezultateve të prekshme dhe zbatimin e marrëveshjeve bilaterale, përfshirë këtu dhe Marrëveshjen e Prespës, si dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”, janë pjesët kryesore të dokumentit të publikuar në faqen e Qeverisë.

    DOK1

    DOK2

    DOK3

    Por, duket se këto dokumente u injoruar tërësisht, fillimisht nga mediat online të cilat nuk e bënë publikimin e tyre në asnjë shkrim kur thuhej e kundërta e këtij dokumenti, e më pastaj edhe nga qytetarët që nuk gjetën rrugën për të lexuar këtë propozim dhe për të dhënë vet një vlerësim të situatës.

    Në këtë pikë, media online, bartë mbi supe gjysmën e përgjegjësisë.

    Duke analizuar thirrjet e protestuesve, ne kemi parë shumë lajme të tilla të shpërndara në rrjete sociale në lidhje me “Propozimin Francez”.

    Kjo ishte një ‘fryrje në zjarrë’, që frustroi edhe më shumë qytetarët, duke mos dëgjuar më as thirrjet e Qeverisë, as sqarimin, as leximin e drejtë të “Propozimit Francez”, por vetëm disa scrolle në rrjete sociale, që shtynë ata të dalin në rrugë dhe të dëmtojnë objektin e kuvendit dhe jo vetëm.

    Duke u nisur edhe nga analiza mediatike “Gjuha e urrejtjes, dezinformatat, manipulimet mediatike” që u bë nga Instituti për Media dhe Analitikë IMA Shkup, shohim se fillimisht një dezinformatë që ‘mobilizoi’ popullin maqedonas, ishte nga një komunikatë e partisë opozitare maqedonase asokohe (VMRO-DPMNE) se “Gjuha maqedonase nuk është në propozim” e cila u zbulua nga Vërtetëmatësi. Sipas kësaj analize, lideri i VMRO-DPMNE-së dezinformoi se pranimi i një propozimi të tillë nënkupton “se gjuha maqedonase është dialekt i bullgarishtes”, “ndërsa edhe partia “Levica” (E Majta) e kundërshtoi publikisht me qëndrimin se “gjuha maqedonase nuk është një dialekt dhe fusnotë”. Megjithatë, siç theksohet në përmbajtjen e Vërtetëmatësit, “në vetë propozimin francez nuk përmenden fusnota dhe dialekte, siç synohet të imponohet në statusin e partisë E Majta”, thuhet tutje në këtë analizë.

    Një lajm tjetër interesant dhe që na la disa dyshime, ishte i publikuar në mediumin kurir.mk. Ky medium, gjatë protestave publikoi një shkrim duke cituar ish-ambasadorin Ivica Bocevski, ku bëhej thirrje për bllokadë në gjithë vendin, pasi sipas tij, vija e tyre e kuqe, ishte Kushtetuta dhe mbrojtja e gjuhës. Ani pse, para kësaj thirrje, në një prononcim për media presidenti francez Macron theksoi se “Kjo marrëveshje nuk e vë në dyshim ekzistencën zyrtare të gjuhës maqedonase, e cila është pjesë përbërëse e identitetit tuaj”.

    “Propozimi francez, në të cilin protokollet dypalëshe me Bullgarinë bëhen pjesë integrale e procesit të negociatave, do ta reduktojë popullin maqedonas dhe gjuhën maqedonase në një deklaratë të njëanshme që nuk ka vlerë para institucioneve të BE-së”, thotë “Manifesti i mësuesëve maqedonas”, ku tregohet qartë se këto janë  dezinformata dhe manipulime mediatike që bien ndesh me dokumentin e propozimit, ku në asnjë vend nuk përmendët ‘reduktimi i popullit maqedonas dhe gjuhës maqedonase”.

    Sa i përket webit se ku është publikuar ky shkrim, ai duket të jetë një web faqe e pa mirëmbajtur, pasi që, nuk kanë shkrime të publikuara në vazhdimësi.

    Duke parë e analizuar pak nga shumë dezinformatat dhe manipulimet mediatike që janë bërë asokohe për “Propozimin Francez”, shohim dhe ‘arsyetojmë’ eskalimin e protestave më 6 korrik të 2022, ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve.

    Protestuesit që ishin në një numër shumë të madh, me gjithë këto informata të paverifikuara dhe të thëna sipas qëndrimeve personale të personave me ndikim në vend ku hapësirën mediatike e kishin të siguruar marr parasysh webfaqet që janë krijuar kohëve të fundit, nga Kuvendi ia mësynë rrugës për në sheshin Skënderbeu në Shkup.

    Aty, ndodhi një përplasje midis protestuesve dhe një grupi të shqiptarëve, ku njëri nga këta të fundit, gjuan me armë në ajër.

    Pas kësaj, plasin raportime të ndryshme.

    Një nga to është “Qëlloi me armë në ajër për të mbrojtur pronën nga protestuesit, arrestohet Isuf Koka”, i publikuar nga webi news33.tv. Tashmë ky shkrim nuk ekziston në këtë faqe ndërsa me një kontroll të thjeshtë shohim se ky portal është regjistruar në vitin 2019 ndërsa e kanë të regjistruar në shtetin e Izraelit. Ndërsa me një shikim të thjesht, shohim se prapa këtij portali qëndron dikush që na la përshtypje që qëllimisht shpërndan lajme të rreme dhe gjithçka duket se ka bërë private. Po ashtu, aty nuk ka as email e as ndonjë emër të ndonjë personi përgjegjës.

    Në disa media tjera, madje pati edhe raportime me motive etno – folklorike, pasi në to thuhej se Koka, i njohur në opinion si Cufi, me armë e ka mbrojtur statujën e Skënderbeut. Ky shkrim është i botuar në web-in Faxweb.

    Në lidhje me këtë lajm, ka pasur edhe shumë raportime të ndryshme në rajon. Me theks të vecantë në Kosovë e Shqipëri, ku lajmet ‘bombastike’ për shqiptarin që mbrou me armë pronën e vet, zunë ballinat e tyre. Në këtë ‘fake neës’, ranë edhe mediat serioze e me ndikim në këto dy shtete.

    Shqiptari që mbrojti pronën e tij në Shkup rrezikon 5 vjet burg

    Shqiptari që zmbrapsi huliganët maqedonas anti-shqiptarë, arrestohet nga Policia. Kryebashkiakja i shkarkon edhe vëllain

    Gazetari dhe autori i emisionin “Program 200” në Alsat, Nazim Rashidi, tregon në detaje se pse është bërë kjo ‘vërsulje’ e lajmeve të rreme për këtë çështje.

    “Në botën modern si metodë për të luftuar ide apo çfarëdolloj gjëje nuk përdorën më vetëm armët por përdoret edhe informacioni, dhe në këtë kontekst nuk është kjo diçka e re, është përdorur gjithmonë në historinë e njerëzimit, por kësaj radhe, specifika është se teknologjia lejon që këto informacione të përhapen sa më shpejtë, si ato të rreme si ato të rregullta. E ajo çfarë ndodhte në atë kohë (kohën kur u shfaq “Propozimi francez”), përdornin pikërisht teknologjinë për të përhapur një informacion, një narrativë që do të shkonte kundër linjës që ekzistonte në atë kohë në vendin tonë. Sigurisht që kjo është bërë nga qarqe politike, nga qarqe të grupeve të interesit jashtë Maqedonisë së Veriut, sepse siç dihet, vendi jonë është përdorur edhe si një mënyrë, si një mekanizëm tensioni në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në atë kohë ekzistonin edhe kampe të tjera që mundoheshin ta sqarojnë situatën dhe çfarë kishte ndodhur, por puna e lajmeve të rrejshme mund të sqarohet edhe në mënyrë figurative, me një jastëk me pupula, pra nëse ti e merr atë jastëkun me pupula edhe e hedhë në erë, këto pupula përhapen gjithandej, dhe pastaj e ke shumë vështirë për t’i mbledhur bashkë, në këtë rrafsh e njëjta është me informacionin, imagjinoni një shpërthim lajmesh në rrjetet sociale të cilat nuk janë të vërteta, dhe sa vështirë është pastaj për t’i bindur njerëzit se cili ishte narracioni kryesor, ose cilat ishin informacionet kryesore”, thekson Rashidi.

    Sipas Rashidit, rrjetet sociale në kontekstin e situatave, apo interneti në përgjithësi mund të përdoret edhe për të mirë edhe për të keq, siç tha ai, ajo çfarë vëmë re, është që grupe të caktuara, qarqe të caktuara politike, sidomos keqinformimet që përdoren për të krijuar tensione të brendshme, i përdorin rrjetet sociale me informacione te rrejshme.

    “RMV është multikombëtar dhe multipartiak dhe sigurisht që ka shumë sfera të ndryshme të interesit. Pra është një lloj qendre që e lidhe Ballkanin dhe pikërisht kjo, dhe ky moment i “Propozimit francez” nuk ka qenë e njëjta gjeopolitikë, e njëjta strukturë politike siç është sot, dhe ka qenë më e lehtë për të hapur informacione të cilat pastaj kanë krijuar tension të brendshëm, dhe duke krijuar tension të brendshëm duke parë çështjet ndryshe nga aspekti etnik, ti në fakt ke krijuar një tension rajonal e pastaj edhe një tension ndërkombëtar”, thotë Rashidi.

    Për të pasur një pasqyrë më të qartë se pse persona të caktuar përdorin për qëllime dashakeqe, dhe cilat janë arsyet pse ata e bëjnë këtë, nga tregon Korab Keqekolla, haker etik i certifikuar dhe konsulent i sigurisë kibernetike.

    Ai, tha se zhvillimi i hovshëm i teknologjisë infromative është mirëpritur nga të gjithë, por duke u rritur numri i përdoruesve, sipas tij, kemi hasur në përdorues që nuk kanë qëllime të mira.

    “Përdorues të teknologjisë që kanë nganjëherë qëllim cenimin e të drejtave të privatësisë, keqinformim masiv, e deri tek paralizimi i sistemeve tjera kompjuterike. Se si të kemi një masë preventive, ne rekomandojmë sistemin zero besim tek të gjitha kompanitë, bizneset apo individët që kërkojnë konsulencë nga ne. Njëri nga tiparet kryesore të këtij parimi është, asnjëherë mos beso gjithmonë verifiko”, tha ai.

    “Fake news, është mjaft e përhapur jo vetëm tek ne në Ballkan, por është problem global. Fake news është shumë  e përhapur sepse jemi duke jetuar në kohën e internetit, në kohën digjitale, të gjithë jemi të pranishëm, dhe për këtë arsye targetohemi që të influencohemi përmes rrjeteve sociale, përmes portaleve që për t’i hapur ato, kushton shumë pak pra vetëm dhjetëra dollarë, dhe për këtë arsye kemi një influencë masive duke përdorur, pak dollarë, pak përkushtim, por shumë keqinformim”, u shpreh Keqekolla.

    Duke nisur nga krejt kjo që paraqitëm deri tani, dhe duke u nisur nga rekomandimet e ekspertëve të kësaj çështje, na mbetet të kuptojmë se kjo kohë e lajmeve të rreme do na ndjekë edhe për shumë gjatë.

    Me një kthim tjetër tek ngjarja e para dy vitesh, vendi ynë, pritet që ta kalojë edhe një fazë tjetër, shumë të rëndësishme drejt rrugës për BE.

    Konkluzionet janë miratuar, por mbetet hapja e Kushtetutës.

    Çfarë pritet të ndodhë pas marrjes së Qeverisë nga ish-partia opozitare VMRO-DPMNE? A do kemi sërish tensione të tilla, kur të vije puna për ndryshimet që janë kërkuar?

    Rashidi, këtë gjë e tregon duke thënë se kjo duhet parë në dy çështje.

    “Sigurisht edhe këtu publiku duhet ë jetë vigjilent për të parë se nga vijnë informacionet. Kur do të vijnë çështjet që janë me interes për opinionin atëherë shfaqen shumë këto sulme, që janë sulme me lajme të rrejshme që tentojnë ta kanalizojnë ose ta orientojnë publikun. Duhet parë në dy çështje, një është për t’i dhënë publikut një informacion të gabuar dhe ata t’i reagojnë autoriteteve në një formë të caktuar por mbi lajme të rrejshme dhe e dyta është diktimi i një lloj narrativi, i cili ndoshta sheh pak më afatgjatë, nuk ka reagim të menjëhershëm por tenton të ndryshojë kursin e vendit nëse grupet e caktuara në gjeopolitike, mund të jenë Rusia mund të jenë vendet e tjera, duan që në afatgjatë RMV-në ta rreshtojnë në grupe të tjera. Ne kemi parë që ka anëtare të BE-së dhe edhe pse janë anëtare të BE-së, janë kundër gjithë BE-së siç është Hungaria, apo raste të tjera, ku raste që vendet që nuk janë pjesë e BE-së, frenojnë informacionet për të moslejuar mirëinformimin e publikut për një qëllim të caktuar. Sfida jonë është për të sqaruar se jo çdo gjë çfarë është në rrjet, është lajm i verifikuar. Mirë është që publiku informacionet t’i marrin nga mediat profesioniste, se aty sido që të jetë ka filtrime derisa informacionet publikohen në formën e lajmeve”, përfundon Rashidi.

    Lajmi Paraprak

    Viber-i, aplikacioni që shfrytëzohet nga maturantët për të kopjuar në provim

    Lajmi i rradhës

    Antikorrupsioni ka hapur lëndë për tenderin për softuerin e përditësuar për pajisjet për shenjat e gishtërinjve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë