Komuna e Tetovës vazhdon me dy aksione paralele, njëri është për largimin e veturave të braktisura nga pronarët që me muaj të tërë qëndrojnë në hapësira publike dhe me largimin e garazheve prej metali që janë shfrytëzuar për parkim. Këto aksione janë ndërmarrë me qëllim që hapësirat publike të jenë të lira për qarkullim dhe në shfrytëzim për qytetarët.
Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se hapësirat publike duhet të jenë të lira dhe të hapura për qarkullim dhe jo të jenë pengesë për automjetet për intervenim të shpejt. Jemi të përkushtuar për të çliruar çdo pjesë të qytetit, vetëm kështu sjellim rend dhe siguri ne qytet. Nga Komuna e Tetovës thonë se nëse pronarët nuk i largojnë vet këta automjete, atëherë largohen nga ana e komunës.
“Inspektorati komunal çdo ditë ka qenë në teren për largimin e veturave që janë pengesë për qytetin për qytetarët. Fillimisht detektohen veturat që janë të avarisura, të prishura të cilat për një kohë të gjatë zënë hapësirat publike më pas njoftohen pronarët që brenda një kohe të largohen dhe ndërkohë Inspektorati komunal pret që ata pronarë vet ti largojnë dhe nëse pronarët nuk ndërmarrin asgjë në këtë drejtim atëherë Inspektorati komunal që bashku me merimangën i marrin këto vetura dhe i dërgojnë tek hapësirat para njësisë së zjarrfikësve”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Në ndërkohë, sa i përket largimit të garazheve prej metali që janë shfrytëzuar për parkim nga komuna e Tetovës thonë se ky aksion kohëve të fundit realizohet në bashkëpunim me qytetarët. Deri më tani janë larguar mbi 150 garazhe prej metali në shumë lagje të Tetovës.
“Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me qytetarët sepse vet qytetarët kanë larguar 150 garazhe për parkim, të cilët kanë qenë pengesë për qytetarët kurse poashtu kanë qenë të vendosura në vende publike. Shpresojmë se qytetarët do të vazhdojnë të jenë bashkëpunues me komunën dhe nëse këto garazhe janë të vendosura në vende publike të largojnë vet ose të njoftojnë Inspektoratin komunal”, tha zëdhënësja Ramadani.
Sipas autoriteteve të komunës së Tetovës, në tre blloqe urbane, vet qytetarët kanë larguar këta garazhe prej metali që janë shfrytëzuar për parkim, ndërsa në të ardhmen këto hapësira mund të transformohen në kënde për lojëra, në parqe dhe gjelbërim të cilët mungojnë në shumë lagje në Tetovë. Këto garazhe janë ndërtuar para 40 viteve dhe prej atëherë e këndej shumë pak prej tyre ishin larguar. Kohëve të fundit, qyteti i Tetovës është duke u pastruar edhe nga këta objekte që zënë hapësirat publike. /Koha/