LD: Maqedonia sot nuk ka shtet ligjor, por pushtet individësh

    Komunikata e Lëvizjes Demokratike (LD) dega Bërvenicë për Nistorin:

    Populli po bashkohet me OPOZITËN SHQIPTARE dhe po vepron drejt një qëllimi të përbashkët, ndërtimin e Shtetit të së Drejtës dhe mirëqenies ekonomike!

    Kaluan gati 22 vite ku qytetarët shpresonin për shtet të së drejtës, shtet me ekonomi solide por fatkeqësisht dita ditës rinia po ikën dhe shteti po ngel pa njerëz dhe pa prespektivë.

    -Kërkuam lirinë.

    -Kërkuam një ekonomi që prodhonte vende pune me paga dinjitoze si çdo vend tjetër europian.

    -Kërkuam një shtet ku ligji është i shenjtë dhe të gjithë janë të barabartë përpara tij.

    -Kërkuam demokracinë e vërtetë, ku pushteti është i njerëzve dhe përfaqësuesit të ishin të deleguarit e tyre.

    -Kërkuam të ndërtonim një vend me prosperitet .

    -Kërkuam një shtet që siguronte shërbim dinjitoz shëndetësor, e ku fëmijët arsimoheshin si bashkëmoshatarët e tyre në Europë.

    -Kërkuam një drejtësi që i garantonte gjithësecilit të drejtën e vet.

    -Kërkuam as më shumë, as më pak, por jetën që meritonim të jetonim në një vend në zemër të Europës me pasuri të pafundme natyrore.

    Por megjithëse kanë kaluar plot 22 vjet prej atëherë, pothuaj asgjë nga ato që u menduan atëherë nuk na është dhënë.

    -Ne si qytetar sot nuk jemi të lirë. Prangat fizike të diktaturës janë zëvendësuar me pranga ekonomike, dhe diktatura politike është zëvendësuar me diktaturë ekonomike.

    Ne si qytetarë e në veçanti si shqiptarë sot nuk kemi punë dhe aty ku kemi pagat janë më të ulëtat në Europë.

    Maqedonia sot nuk ka shtet ligjor, por pushtet individësh.

    -Përfaqësuesit e zgjedhur sot nuk janë shërbyes të qytetarëve.

    -Pasuritë natyrore sot i shërbejnë vetëm një grusht njerëzish që nëpërmjet korrupsionit i ngjiten si shushunja çdo pushteti dhe thithin gjakun e shqiptarëve deri sa t’ua mbarojnë atë komplet.

    -2% të qytetarëve sot zotërojnë më shumë pasuri se 98% të marrë së bashku.

    -Pabarazia dhe padrejtësia janë shndërruar në sistem.

    -Qindra mijë njerëz të talentuar e me guxim për të çuar këtë vend përpara, të detyruar nga realiteti që ky vend ofronte, u larguan e po largohen në masë rrugëve të Europës.

    -Sot, më shumë se 40% e qytetarëve të lindur në Maqedoni jetojnë jashtë saj dhe 62% e atyre që jetojnë këtu duan të ikin.

    Shēndetësia sot ështē në gjendjen e saj më të mjeruar historike dhe arsimi është kthyer në një sistem që prodhon kartona diplomash pa asnjë pikë vlere.

    Ndërsa drejtësia sot është më e padrejtë se kurrë më parë ku jo ligji, por pushteti dhe paraja janë ato që vendosin çfarë është e drejtë dhe çfarë jo.

    Të gjitha këto kanë ndodhur për një arsye të vetme. Një grusht njerëzish që u vendosën në krye të këtij vendi që 33 vjet më parë dhe u ngulën aty si gozhda në dërrasë, ndërtuan një sistem që ua mundësonte atyre të kishin pushtet absolut, të gjithanshëm, të paprekshëm dhe të patjetërsueshëm.

    Është pikërisht ky sistem ai që ua mundëson atyre mbretërimin e këtij vendi me rrotacion, pasurimin e tyre, të familjeve të tyre dhe një grushti oligarkësh rreth tyre, ndërkohë që populli paguan dhe vuan në varfëri të plotë.

    Sot kemi vendosur të hedhim një hap përpara përmes një fillimi të ri

    Sepse, nga gjithë këto eksperienca, kuptuam që nëse nuk ndryshojmë sistemin, ne do të mbetemi në bulevard duke protestuar gjithë jetën. Kuptuam që nëse duam vërtet të ndryshojmë këtë realitet që të paktën fëmijëve tanë t’u lëmë një shtet tjetër, ku ata mund të jetojnë në dinjitet,duhet të ndryshojmē sistemin.

    Duhet të shkulim gozhdën nga dërrasa, të heqim shushunjat nga trupi i Maqedonisë.

    Maqedonia nuk është aspak e varfër, por është thellësisht e vjedhur.

    Për këtë kemi vendosur të nisim një debat publik, të hapur, pa censurë ku secili të japë idenë e tij sesi duhet ndryshuar ky sistem. Qoftë nga pikpamja politike, apo dhe ekonomike. Çfarë duhet bërë që Maqedonia të mos endet më në llumin e kënetës.

    Ne besojmë se ndërmarrja e një veprimi konkret është mënyra e vetme sesi mund të ndryshojmë realitetin.

    Për të arritur këtë duhet të jemi sa më shumë, pasi vetëm nëpërmjet numrave mund t’i imponohemi këtij kanceri që është ngulitur thellë në trupin e dobët të Maqedonisë së veriut.

    Dhe kjo nuk mund të bëhet vetëm nga një grupim njerëzish, sado të aftë e të zëshëm të jenë ata. Duhet bashkim i çdo shqiptari që mendon se meriton një jetë më të mirë. Duhet bashkim përtej ndasive që na kanë përçarë për të na sunduar për 22 vite rresht.

    Prandaj kërkojmë ndihmën e gjithësecilit, pasi vetëm nëse bëhemi shumë zëri ynë do të dëgjohet.

    Boll ndenjëm duke u ankuar.

    EJA BASHKOHEMI!

    EJA TA NDRYSHOJMË!

    Lajmi Paraprak

    Mariçiq: masat kufizuese të ShBA-së për ndëshkimin e politikanëve të korruptuar në Ballkani Perëndimor janë të rëndësishme

    Lajmi i rradhës

    Izraeli paralajmërohet për katastrofë nëse nis ofensivë tokësore në Rafah

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë