Lëvizja Besa do të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike, përveç BDI-së

    Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në lidhje me takimin e fundit me kryetarin e VMRO-DPMN-së para medias tha se është biseduar për situatën aktuale politike në vend dhe imponimin e zgjedhjeve të parakohshme, njofton Nistori.

    “Pas tradhtisë që i ndodhi Lëvizjes Besa apo mos realizimit të marrëveshjes së nënshkruar me të cilën ne u bëmë pjesë e qeverisë dhe me të cilën ish-kryeministrit Zaev i dhamë një mundësi që të jetë në krye të qeverisë, ne do të mendojmë dy herë për ndonjë marrëveshje të re eventuale për ndonjë koalicion parazgjedhor. Ne jemi parti politik, nuk i mbyllim dyert e bashkëpunimit me asnjë parti politike, por në këtë rast përvoja e hidhur me koalicionin paraprak zgjedhor, parazgjedhor na imponon që vendimi të jetë shumë më mirë i paramenduar”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

    Ai tha se Lëvizja Besa çdoherë ka bashkëpunuar me partitë shqiptare, ka insistuar për homogjenizimin e faktorit politik shqiptar, sepse është tepruar kjo situatë politike 20 vjeçare dhe rotacioni politik në kampin shqiptar është më se i nevojshëm.

    “Ne si lëvizje Besa jemi të përkushtuar që t’i bëjmë të gjithë kompromiset e nevojshme me të gjitha partitë shqiptare opozitare jashtë BDI-së, që të ulemi dhe të ndërtojmë një bllok të fuqishëm opozitar. Këtu mund të shfrytëzoj rastin për ftesë publike të gjitha partitë jashtë Bashkimit Demokratik për Integrim të ulemi, të dakordohemi, t’i largojmë kërkesat personale për pozicionim eventual dhe njëherë e përgjithmonë ta sjellim ndryshimin dhe të ketë rotacion edhe tek pjesa shqiptare”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

    Si kusht të bashkëpunimit paszgjedhor Kasami e ceki vazhdimin e avancimit të çështjes shqiptare dhe realizimi i projekteve investuese në tërë territorin, pa marrë parasysh se kush ku jeton.

    Lëvizja Besa në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi katër deputetë, ndërsa tani funksionon vetëm me dy deputetë, sepse Kastriot Rexhepi është përjashtuar nga partia dhe vetë Bilall Kasami ka deponuar mandatin dhe deputeti në listën e përbashkët i ka kaluar LSDM-së, pasi Kasami u bë kryetar i Komunës së Tetovës. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Rrogat e mësimdhënësve me përvojë do të jenë mbi 500 euro

    Lajmi i rradhës

    Pse Turqia është kundër Finlandës dhe Suedisë në NATO?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë