Vetëm në tremujorin e parë të 2025-tës janë regjistruar 391 viktima të dhunës në vendin tonë! Viktimat janë 284 gra, 53 burra dhe 54 fëmijë, tregojnë të dhënat e Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Dhuna është kryer nga 286 autorë, prej të cilëve 266 burra dhe 20 gra. Për nga lloji, 221 raste janë dhunë fizike, 345 psikologjike, 9 ekonomike dhe 2 seksuale.
Për ta luftuar dhunën, Ambasada e Britanisë në bashkëpunim me Ministrinë e Politikës Sociale dhe zyrën e UNFPA-së, nisën fushatën nën sloganin “Ka ndihmë për jetë pa dhunë”.
Ministri Fatmir Limani u bëri thirrje institucioneve që të mos e shohin një grua të dhunuar si rast me një dosje, por t’i japin ndihmë konkrete.
“Gratë që ndihen të pafuqishme dua t’u them nuk jeni vetëm! Keni ndihmë keni rrugëdalje, ka jetë pa dhunë! Ti ke të drejtë të jetosh një jetë pa dhunë, ti ke të drejtë të jetosh me dinjitet, të duash pa u frikësuar, të jesh e sigurt në shtëpinë tënde”, deklaroi Fatmir Limani – ministër për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.
Zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Daniel Filler, tha se ligji dhe policia nuk janë të mjaftueshme por duhet të ndryshohet mentaliteti, gjersa shtoi se së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri ku nuk tolerohet dhuna.
“Në 4 vitet e fundit kemi bashkëpunuar me UNFPA-në, zyrtarë nga ministria dhe partnerë nga institucionet, për të përgatitur një kuadër drejtësie për shërbime të përmirësuara në lidhje me dhunën me bazë gjinore. Dy, për të krijuar një protokoll shumësektorial për shërbimet, për të mbijetuarit. Tre, për të ofruar një model të integruar të mbledhjes së të dhënave, dhe katër që është rezultati më domethënës, në partneritet me Ministrinë e Politikave Sociale, Demografisë dhe Rinisë për të filluar zbatimin e një qasjeje strategjike komunikimi ndaj kësaj lloj dhune”, u shpreh Daniel Filler – zëvendësambasador i Mbretërisë së Bashkuar.
“Ndërsa të gjithë viktimat do t’i porosis edhe unë do të bashkohem rreth mesazheve të panelistëve të mëparshëm, ka ndihmë për jetë pa dhunë”, tha Zhaklina Geshtakovska Aleksovska – Specialiste për Çështje Gjinore në UNFPA.
Përmes kësaj nisme, institucionet u bëjnë thirrje jo vetëm viktimave që të kërkojnë ndihmë, por edhe shoqërisë që të mos heshtë, të mos kthejë kokën anash dhe të reagojë. Sepse dhuna nuk është çështje private – është përgjegjësi e përbashkët dhe lufta ndaj saj nis me vetëdijësim, solidaritet dhe veprim. /TV21/