Ligji për masat restriktive për personat në listën e zezë, akoma enigmë

    Asnjë detaj më shumë nuk japin institucionet për ligjin për masat restriktive të cilin një ditë më parë e paralajmëroi ministri i Jashtëm Bujar Osmani, e i cili duhet të rregullojë trajtimin nga organet hetimore, të personave që futen në listën e zezë amerikane.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se ligji ka qenë edhe kërkesë e NATO-s.

    “Kjo është edhe kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare sepse gjithsesi ne jemi anëtare e NATO-s dhe NATO nuk nënkupton vetëm të vendosni flamurin dhe të thoni se jeni vend anëtar por ka edhe standarde që duhet të plotësohen. Një nga standarded do të jetë edhe ky. Për persona që janë të sanksionuar nga partneri ynë më i madh strategjik SHBA-të, BE-ja edhe pse ajo nuk ka listë me sanksione si SHBA-ja, si dhe Britania e Madhe, atëherë ajo duhet të bartet edhe tek ne sepse nuk mundesh dikush në mëngjes të lavdërohet se është mik me SHBA-të dhe pasdite të bëj gjithçka kundër tyre”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

    Por pavarësisht deklaratave të kryeministrit dhe personave të tjerë të pushtetit, individët që së fundmi janë shpallur në listën e zezë amerikane dhe janë sanksionuar nga SHBA-të vazhdojnë të ushtrojnë funksione publike dhe të udhëheqin bizneset e tyre milionëshe në vend, pa asnjë pengesë nga organet hetuese dhe pa asnjë sanksion nga institucionet tjera të vendit.

    Shembulli i fundit ishte ai me Ramiz Merkon i cili pavarësisht shpalljes në listën e zezë, nuk u tërhoq nga udhëheqja e komunës, lëndët gjyqësore i vjetërsohen një nga një dhe nuk ka vuajtur asnjë sanksion.

    Njëjtë ishte rasti me ish zv.kryeministrin Koço Angjushev i cili vijon pa asnjë pengesë punën me bizneset e tij, edhe pse është sanksionuar për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare gjatë mandatit si zv.kryeministër.

    Në listën e zezë amerikane u fut edhe ish shefi i shërbimit sekret Sasho Mijallkov, për të cilin vjetërsohen një nga një lëndët që janë në hetim prej vitesh.

    Ish kreu i Komisionit për parandalimin e korrupsionit Arif Musa, thotë se personat që futen në listën e zezë amerikane duhet të pezullohen nga funksionet publike dhe të hetohen nga prokuroria.

    “Personat që janë në listën e zezë duhet të trajtohen dhe të hetohen nga ana e prokurorisë deri në momentin sa nuk konstatohet se ata kanë bërë ndonjë shkelje të natyrës penale ose të natyrës së korrupsionit, ata duhet të pezullohen prej funksioneve publike. Mirëpo për ta pasur prezumimin e pafajësisë personat e tillë duhet të trajtohet sikurse i trajton legjislatura vendore dhe pastaj të jepet edhe informacion për faktorin ndërkombëtar, atyre që i kanë vënë në listën e zezë. Prokuroria duhet të hapë sytë dhe të shohë se çfarë duhet dhe si duhet të veprohet me këta persona”, u shpreh Arif Musa, ish kryetar i Antikorrupsionit.

    Ambasada amerikane ka paralajmëruar që lista e personave që ushtrojnë ose kanë ushtruar funksione publike, biznesmenëve dhe personave nga sektori i drejtësisë të cilët do të marrin sanksione nga SHBA-të do të zgjerohet në periudhën në vazhdim. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rruga Tetovë-Prizen / RMV dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëfinancim

    Lajmi i rradhës

    Gjithçka që duhet të dihet për tokën e ‘uzurpuar’ të spitalit të Tetovës (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë