Premtimet dhe deklaratat për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Maqedoninë e Veriut po përsëriten dita ditës, ndërsa nuk ka asgjë konkrete në opinion. Përfaqësues nga koalicioni VLEN vazhdimisht thonë se ky ligj do të jetë gati shumë shpejtë, të njëjtën e ritheksoi në paraqitjen e fundit edhe Bilall Kasami kryetar i Lëvizjes Besa.
“Jemi në biseda intenzive si partner të koalicionit dhe unë besoj se shumë shpejtë ky ligj do të jetë për diskutim në qeveri dhe besoj që të kalojë edhe qeverinë për të shkuar edhe në fazat tjera. Fatkeqësisht, ky ligj është vonuar edhe për shkak debatit të brendshëm që kemi pasur dhe largimit të Arben Taravarit. Dhe sot, po i njëjti person po na akuzon si zëdhënës i BDI-së dhe Artan Grubit. Po na akuzon pse nuk u miratua deri më sot. Ne garantojmë se shumë shpejtë, tani më të çliruar nga ky faktor destruktiv, shumë shpejtë ky ligj do të jetë para opinionit”, tha Kasami në intervistën e tij në AlsatM.
Kasami komentoi edhe akuzat e fundit në adresë të VLEN, sipas të cilave nga 205 të punësuar të rinj në administratë vetëm dy janë shqiptarë.
“Ne nuk duam të futemi në debatin politik, sepse kemi dakordrsi si partner koalicioni. Dhe, duhet të jemi korrekt që nuk do të futemi në këtë debat se në një institucion punësohen më shumë maqedonas apo shqiptarë, sepse kishte edhe kështu situata ku kishte disa publikime me kahje të kundërt. Ku në një institucion shumica e të punësuarve ishin shqiptarë dhe jo maqedonas. Pra, ne flasim për ruajtjen e përfaqësimit adekuat në nivel të punësimeve në të gjitha institucionet dhe mund të ndodh në institucione të caktuara në një konkurs të caktuar të ketë më shumë shqiptarë apo maqedonas, por ne me marrëveshje politike duam të ruajmë konform kushtetutës, sepse përfaqësimi adekuat është kategori kushtetuese”, tha Kasami.