Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani në Daily Click në TV21 tha se VLEN po përpiqet të blejë kohë me idenë për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Osmani tha se ku do të bazohet ky ligj, kur Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar kërkesën për deklarim të përkatësisë etnike.
“Cilën bazë kushtetuese do ta ketë ai ligj, nëse Gjykata Kushtetuese ka eliminuar përkatësinë etnike në institucione. Kujtoj që ka për qëllim blerje kohe. Kjo është çështje e menaxhimit të presionit publik”, deklaroi tjerash Osmani.
Në lidhje me paralajmërimet se pr/ligji do të dërgohet në Komisionin e Venecias, Osmani tha:
“Çështja e Komisionit të Venecias, edhe kur e miratuam Ligjin për Gjuhën Shqipe, kishte disa që thonin le ta dërgojmë në Komisionin e Venecias për analizë, ne u thamë e miratojmë ligjin, pastaj e dërgojmë në Venecia, edhe ashtu ndodhi. Kaloi ligji në Parlament, e dërguam në Venecia, le të jep mendim Venecia, por ligji është në fuqi, por veç fakti që bisedohet për të dërguar në Venecia është blerje kohe”, shtoi Osmani.
Osmani me propozim për realizimin e ndryshimeve kushtetuese: le të vendosim klauzolë në ligjin për zbatimin e Kushtetutës
Osmani propozoi që ndryshimet kushtetuese të realizohen përmes vendosjes së klauzolës në ligjin për zbatimin e Kushtetutës, respektivisht që nëse Bullgaria në 5 vitet e ardhshme vazhdon ta pengojë RMV-në me çështje tjera në rrugën drejt BE-së, atëherë Parlamenti të ketë të drejtën që t’i suspendojë ndryshimet kushtetuese.
“Ne duhet t’i realizojmë ndryshimet kushtetuese. Ja unë po shkoj një hap para, nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese sot, ne mundemi lirisht në Ligjin për zbatimin e Kushtetutës, ta vendosim një klauzolë, ku thuhet nëse brenda 5 vjetëve vazhdon Bullgaria ta pengojë Maqedoninë e Veriut për çështje që s’kanë të bëjnë me BE-në, Parlamenti ka drejtë t’i suspendojë ndryshimet kushtetuese, por të hyjnë në fuqi tani”, the mes tjerash Osmani. /Nistori/