Ende s’ka epilog zyrtar nga prokuroria bullgare për aksidentin tragjik

    Vazhdon hetimi mbi tragjedinë ku mbetën të vdekur 45 persona nga zjarri i shkaktuar në autobus. Por, ende nuk ka një epilog zyrtar të prokurorisë bullgare mbi shkaqet e shpërthimit të zjarrit. Prokuroria në Shkup po merret me faktorët indirekt që kanë ndikuar në ndodhjen e kësaj tragjedie. Procedura para hetimore është shtrirë edhe në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, nga ku janë marrë të gjitha dosjet e Agjencisë “Besa Trans”. Ministri Bllagoja Boçvarski tha se secili duhet të bartë përgjegjësitë për këtë.

    “Ne i kemi verifikuar të dy shoferët që ishin në autobus. A të tjerët? Kur të marrim informacione nga organet kompetente hetues si Prokuroria apo Policia kush janë ata shoferët tjerë të turnit që kanë vozitur në autobusët tjerë, menjëherë do ti verifikojmë. Ne kemi dhënë të gjitha dokumentet e nevojshme në Prokurori që i posedon baza jonë e të dhënave që kanë të bëjnë me këtë subjekt juridik, kështu që iu qëndrojmë në dispozicion, por nuk dua që ne si ministri të shndërrohemi në organ hetues”, tha Bllagoja Boçvarski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

    Ministri Boçvarski tha se do të formohet një organi i ri për të ulur rastet e aksidenteve me fatalitet dhe për të siguruar infrastrukturën rrugore.

    Por, paralajmërimi i njëjtë ishte edhe para tre viteve në kohen e Ministrit Sugarevski do të formohej Agjencia për Siguri të Rrugëve, e cila ngeci në procedurë si rëndom.

    Ndonëse një organ i ngjashëm ekziston si Këshilli Republikan për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, kreu i Ministrisë së Transportit tha se deri në fund të dhjetorit do të bëhet propozimi në Qeveri. Për të krijuar dispozitat ligjore, propozimi do të dërgohet në Kuvend që pritet të miratohet në tremujorin e parë 2022.

    Nga delegacioni i BE-së në Shkup thanë se ka shumë mangësi në sigurinë e trafikut rrugor në vend.

    “Nuk është një, por më shumë faktorë luajnë rol këtu si infrastruktura e keqe rrugore, mos rregullimi teknik i automjeteve, Inspektorati që duhet ta kryej punën siç duhet. Unë e përkrahi formimin e Agjencisë për Siguri të Rrugëve që do të jetë një subjekt duke përfshirë të gjitha aspektet në vend se përgjegjësia të jetë e fragmentuar në institucionet ekzistuese”, u shpreh Steffen Hudolin, Delegacioni i BE-së në Shkup.

    Nga e enjtja është kthyer në fuqi kërkesa për Certifikatë të shoferëve, për të detektuar secili shofer punën që bënë nëse është i kualifikuar edhe për vozitje në linjat ndërkombëtare apo vetëm vendore.

    Numri mesatar vjetor i viktimave të aksidenteve rrugore në Maqedoni është ndërmjet 160 dhe 200.

    Ndryshe, 8 qytetarë në 100 mijë banorë vdekjen e gjejnë nga aksidentet në trafik. Statistikat tregojnë se nga viti 1991 deri në vitin 2017 në Maqedoni nga aksidentet e trafikut kanë humbur jetën 5550 persona. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Stomatologët në RMV kërkojnë rritjen e çmimit të shërbimeve që ofrojnë

    Lajmi i rradhës

    ASh dhe AAA ndajnë rrugët, PDSh: Ky është lajmi më i mirë i kohëve të fundit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë