Pas disa viteve, liqeni i Dibrës u bë me koncesioner të ri. Ministria e Bujqësisë vendosi që koncesioner i ri i Liqenit të Dibrës të jetë Shoqata e peshkatarëve sportiv “Trofta” nga Dibra. Koncesioni i është dhënë për 12 vitet e ardhshme. Këtë vendim e përshëndetën jo vetëm anëtarët të shoqatës, grupet e interesit, por edhe mbarë dibranët.
Liqeni i Dibrës ishte pa koncesioner më se 5 vite, meqë kompetentët disa herë anulonin konkurset për të dhënë koncesionin, por njëkohësisht kaloi periudha ku koncesioner në Dibër ishte një biznes nga Struga. Atëkohë, liqeni pësoi dëme të mëdha sidomos në fondin e peshkut, meqë peshkimi bëhej pa kritere, kurse shumimi i peshkut u harrua.
Kryetari i shoqatës të peshkatarëve sportiv “Trofta”, në Dibër, Beli Haliti për gazetën Koha thotë se Ministria e Bujqësisë solli një vendim shumë të rëndësishëm, meqë shoqata “Trofta”, do të respektojë tërësisht kontratën për respektimin e koncesionit dhe do të kujdeset për liqenin.
“Është një vendim i rëndësishëm për promovimin e peshkimit në Dibër dhe paraqet në moment shumë domethënës për zhvillimin e Dibrës dhe rajonit kur është në pyetje zhvillimi i turizmit. Me vendimin për dhënien e koncesionit mundësohet vetëm peshkim sportiv dhe mbrojtje të biodiversitetit të liqenit. Ky koncesion është një mundësi për të ofruar një përvojë për peshkatarët dhe vizitorët, dhe rritjen e turistëve në rajon. Do të angazhohemi maksimalisht për të siguruar një menaxhim të suksesshëm dhe garantojmë që liqeni do të përdoret vetëm për peshkim sportiv. Do të promovojmë edhe aktivitetet mes peshkatarëve sportiv dhe mbrojtësve të mjedisit jetësor vetëm në interes të liqenit, i cili ka bukuri të mëdha dhe një biodiverstitet të pasur”, tha Haliti.
Me këtë rast, në mbledhjen e fundit të kryesisë së shoqatës “Trofta” ju ndanë mirënjohje të gjithë individëve dhe institucioneve që mundësuan dhënien e koncesionit shoqatës nga Dibra.
Shoqata e peshkatarëve sportiv “Trofta” edhe pse nuk e kishte koncesionin , gjatë viteve kur liqeni mbeti pa koncesioner, dha një kontribut shumë të madh në mbrojtjen e liqenit nga peshkatarët e papërgjegjshëm, të cilët gjuanin peshk me mjete të palejuara. Së bashku me institucionet kompetente u realizuan shumë aksione për të ndaluar peshkimin e egër. Po ashtu, anëtarët e shoqatës merrnin pjesë në kontinuitet në aksionet ekologjike për pastrimin e mbeturinave të shumta në bregun e liqenit, së bashku me shoqatat e tjera qytetare, si dhe me pushtetin vendor.
Kryesia e shoqatës ka konkluduar se me një dinjitet profesional do të mbrojë liqenin, në përputhje me kontratën me ministrinë, dhe do të bëjë shumimin e peshkut, nuk do të lejojë peshkim ekonomik , dhe do të mbrojë biodiverstitetin e liqenit. Ndotjet e liqenit të cilët ishin prezent viteve të kaluara, do të jenë histori e kaluar, thonë në shoqatë.