Liqeni i Dibrës mbytet nga mbeturinat

    Ditëve të fundit është shënuar rritje e ndjeshme e prurjeve të lumenjve Radika dhe Drini i Zi, si dhe e përroskave të Komunës rurale Qendër Zhupë, të cilat derdhen në Liqenin e Dibrës. Reshjet e dendura të shiut dhe borës kanë dyfishuar sasinë e ujit, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të liqenit. Sipas autoriteteve dhe ekspertëve lokalë, deri më tani nuk ka pasur probleme me përmbytje në zonat e banuara, ndërsa prurjet konsiderohen të mirëseardhura, veçanërisht për shkak të funksionimit të hidrocentralit “Spilë”, i cili varet nga niveli i akumulacionit.

    Lumi Radikë aktualisht ka prurje pothuajse dyfish më të larta se zakonisht dhe derdhet në Liqenin e Dibrës në zonën e Urës së Kosovrastit. Deri tani, përgjatë rrjedhës së tij nuk janë evidentuar dëme serioze. Dalje e përkohshme nga shtrati është shënuar vetëm në dy lokacione pranë fshatit Jançë, në rajonin e Rekës së Poshtme, por pa pasoja për banorët apo infrastrukturën. Rritje të nivelit të ujit është vërejtur edhe në derdhjen e Drinit të Zi në liqen, ndërsa nga Komuna rurale Qendër Zhupë raportohet për prurje të shtuara të përroskave që kalojnë nëpër fshatrat Ballancë dhe Breshtan. Banorët e këtyre zonave theksojnë se prej dy ditësh prurjet janë dukshëm më të mëdha dhe se të gjitha këto ujëra përfundojnë në akumulacionin e Liqenit të Dibrës.

    Nëse reshjet vazhdojnë, pritet që liqeni të arrijë edhe kuotën maksimale, por sipas ekspertëve, nuk priten probleme serioze për shkak të ekzistencës së pusetës speciale për derdhjen e ujërave të tepërta. Sipas tyre, konfiguracioni gjeografik i qytetit të Dibrës minimizon rrezikun nga përmbytjet, me përjashtim të mundshëm të disa zonave më të ulëta si Qeranicë dhe Konjarë.

    Megjithatë, reshjet e shumta kanë sjellë edhe pasoja negative për mjedisin jetësor. Me rritjen e prurjeve, në Liqenin e Dibrës kanë përfunduar sasi të mëdha mbeturinash, kryesisht plastike, të bartura nga lumi Radikë. Në zonën ku ky lumë derdhet në liqen, janë krijuar sipërfaqe të konsiderueshme të mbuluara me mbeturina. Sipas shoqatave qytetare dhe aktivistëve mjedisorë, reshjet e mëdha kanë aktivizuar deponitë e egra në disa fshatra të Rekës, si Zhirovnicë, Rostushë, Jançë, Skudrinjë dhe zona të tjera, duke i transportuar mbeturinat drejt Radikës e më pas në Liqenin e Dibrës. Ata paralajmërojnë se ndotja me plastikë paraqet rrezik serioz për ekosistemin e liqenit dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria me ligj dëshiron të ndalojë duhanpirjen edhe në vetura!

    Lajmi i rradhës

    Pse pijet dhe ushqimet “e shëndetshme” janë armiku juaj i fshehtë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë