Vitet e fundit, çrregullimet e të folurit te fëmijët kanë shënuar një rritje të dukshme. Zakonisht problematikat që fëmijët po hasin kanë të bëjnë me çrregullimet e të folurit, sjelljes, çrregullime kognitive, vështirësi në gëlltitje, çrregullime të gjuhës verbale si dhe çrregullime të rënda ekspresive ose gjuhë të kuptuarit, të tilla si çrregullim të spektrit të autizmit ose çrregullime progresive neurologjike.
Prandaj, përfshirja e logopedëve në identifikimin e problemeve që i kanë fëmijët para se të regjistrohen në shkollë, por edhe në institucionet e arsimit, është një nga kërkesat më të mëdha që logopedët kanë. Sipas logopedëve të vendit, në mënyrë që problemet të identifikohen dhe mënjanohen me kohë, do të duhej që në kopshte dhe shkolla të ketë një logoped, por edhe defektolog.
Logopedia Xhevaire Shabani tha për gazetën KOHA se në kohërat që po jetojmë, prezenca e logopedëve është një nevojë e madhe për institucionet e vendit.
“Logopedët janë ata të cilët kanë ndikim drejtpërdrejtë tek zhvillimi dhe edukimi i fëmijëve. Duke e pasur parasysh faktin që fëmijët janë ardhmëria e një vendi dhe se zhvillimi i duhur i tyre duhet të jetë prioritet i çdonjërit nga ne. Prezenca e një logopedi dhe edukatore speciale në çdo institut shtetëror apo privat në këto kohëra të cilët po jetojmë paraqet nevojë të madhe. Përveç rehabilitimit gjuhësor apo çfarëdolloj problematike gjatë zhvillimit të tyre, logopedët janë ata të cilët i parandalojnë disa nga çrregullimet që mund të paraqiten tek ata”, theksoi ajo, ndërsa bëri thirrje për vetëdijesim deri te prindërit dhe organet kompetente, për të vepruar në kohë, për përmirësimin e moshës së butë si dhe ardhmërinë e vendit.
Mirëpo, në vend – fatkeqësisht ende ekziston një vetëdije e ulët publike sa i përket rolit të logopedëve dhe defektologëve dhe kjo është vërejtur edhe në praktikë kur ndodhë që institucionet nuk e shohin të arsyeshme të thërrasin në ndihmë logopedë, për t’i trajtuar fëmijët në nevojë.
Madje, shumë pak shkolla në arsimin fillore kanë të punësuar logopedë apo edhe defektologë. Kjo, si gjithmonë, me arsyetimin se nuk ka mjete financiare për punësimin e tyre, si dhe mungesa e konsiderueshme e të diplomuarve në këto drejtime. Në Maqedoninë e Veriut, edhe pse ka një rritje të vogël, megjithatë mungojnë të diplomuarit në logopedi dhe defektologji. Edhe ata që kanë diplomuar, punojnë në ordinanca private.
Ndryshe, sipas logopedëve, në moshën katër deri në pesë vjeç, fëmija duhet të përdorë të gjitha format dhe llojet e fjalëve, të hartojë një fjali komplekse dhe fjalori duhet të jetë 500 deri në 1000 fjalë. Dhe pas vitit të pestë, ai duhet të kuptojë metaforat, gjëegjëza, citate, mësime, përfundime… E nëse fëmija nuk flet deri në moshën dyvjeçare, duhet kërkuar mendim, këshilla dhe udhëzime të ekspertëve për logopedi, por edhe të drejtoheni në institucionet për rehabilitim me logopedë dhe defektolog.