Lojërat olimpike në Berlin – më 2036?

    Berlini dëshiron përsëri Olimpiadën, saktësisht 100 vjet pas “lojërave të Hitlerit” në vitin 1936. Ja disa fakte të rëndësishme…

    Qyteti i Berlinit ka informuar zyrtarisht Komitetin Olimpik të Gjermanisë (DOSB) se është gati të organizojë Lojërat Olimpike Verore në vitin 2036. Deklarata përkatëse u nënshkrua javën e kaluar nga kryetari i bashkisë së Berlinit, Kai Wegner dhe senatori sportiv i qytetit-shtetit, Iris Spranger. Kryebashkiaku shpreson në një festë sportive në të cilën do të marrin pjesë të gjithë: “Ne nuk i duam Lojërat vetëm si manifestim, por duam që ato t’i kalojmë së bashku me të gjithë qytetarët e Berlinit”.

    Pse ka kritika?

    Vetë viti është një problem – është saktësisht një shekull pas “Lojërave Olimpike të Hitlerit” në vitin 1936. “Ka pashmangshmërisht një përshtypje të rreme se bëhet fjalë për një lloj shënimi të njëqindvjetorit,” tha historiani Oliver Hilmes për ARD. Pra, nëse ato ndodhin, atëherë do të jetë i nevojshëm një interpretim i veçantë historik i asaj që ndodhi në vitin 1936 dhe asaj se çfarë është Berlini sot.

    Krahas kësaj barre të rëndë të historisë, nuk mungojnë as kritikat që tashmë janë dëgjuar nga kandidatë të tjerë për Lojërat Olimpike në Gjermani – sepse dukej se Mynihu i donte sërish Lojërat Olimpike, e kishte edhe një iniciativë për mbajtjen e Olimpiadës në Rheinland. Por kishte dhe kundërshtarë të një ngjarje kaq të madhe dhe të shtrenjtë. Kështu politikania e të Gjelbërve, Klara Schedlich thotë: “Para se të shpenzojmë miliarda për një event të tillë sportiv, duhet të fokusohemi në përgatitjen e terreneve sportive për shfrytëzim nga klubet lokale”. Sepse sallat sportive, pishinat dhe këndet e lojërave të Berlinit janë gjithsesi në gjendje të keqe.

    Si ishin Lojërat Olimpike në Berlin në 1936?

    Megjithëse Berlinit iu dhanë Lojërat Olimpike në vitin 1931, pra para se nazistët të vinin në pushtet, Hitleri dhe nazistët e pritën këtë ngjarje me krahë hapur për t’i treguar të gjithë botës forcën dhe fuqinë e Rajhut. Në fakt, Berlini duhej të organizonte Lojërat në vitin 1916, por për shkak të Luftës së Parë Botërore, ato nuk u mbajtën.

    Edhe atëherë, në Berlin u ndërtuan disa salla dhe vende për garat sportive, por pothuajse asnjë prej tyre nuk ishte monumentale dhe mjaft e madhe për nazistët. E tani të gjithë duhet të habiteshinn me atë që Gjermania është bërë vetëm pak kohë pas krizës së madhe ekonomike, nën drejtimin e Hitlerit.

    Lojërat Olimpike të Berlinit ishin vërtet një rekord – morën pjesë gati 4000 atletë nga 49 vende, por deri në momentin e fundit ekzistonte mundësia e bojkotit të atyre lojërave nga atletët nga SHBA. Menjëherë para dhe gjatë Lojërave, nazistët u përpoqën të jepnin përshtypjen se Berlini ishte ende një qytet kozmopolit, por ishte vetëm një iluzion. Në fund, në Berlin erdhën edhe atletët e SHBA-së, edhe sikur të ishin të vetmit që nuk përshëndetën me “përshëndetjen e Hitlerit” në ceremoninë e hapjes – e bënë atletët e të gjitha kombeve të tjera.

    Por Lojërat u shndërruan në një fiasko për nazistët: ylli i Lojërave dhe i preferuari edhe i audiencës gjermane ishte suksesi i paparë i atletit nga SHBA – Jesse Owens. Me ngjyrën e tij të errët të lëkurës, ligjet racore naziste treguan gjithashtu shkallën në të cilën ishin absurde dhe të pakuptimta.

    Nga lindi ideja për të pritur Lojërat Olimpike në Berlin?

    Kryebashkiaku i Berlinit Wegner mendon se pikërisht 100 vjet pas atij shfaqje naziste, qyteti ka një mundësi për të treguar se sa i larmishëm dhe i hapur është sot. Paraardhësi i tij dhe senatorja aktuale e qytetit për ekonominë, Franziska Giffey, i donte tashmë Lojërat: “Tashmë me Olimpiadën Speciale të këtij viti, është treguar se sa ka një efekt pozitiv në qytet, por edhe nga numri i mysafirëve që erdhën dhe ndihmuan turizmin e Berlinit.”

    Në fakt, sjellja përsëri e OI në Berlin mbështetet nga Jens-Christian Wagner, president i Fondacionit Memorial të Kampit të Përqendrimit Buchenwald – por vetëm si një mundësi për të kujtuar krimet e nazistëve: “Nga njëra anë, fushat sportive që u përdorën në vitin 1936 do të përdoren”. Tashmë atje do të jetë e mundur të tregohet e kaluara e errët: “Duhet ta përballojmë këtë me mjaft vetëdije dhe të shtrojmë pyetjen se deri në çfarë mase sporti keqpërdoret për qëllime politike”. Dhe megjithëse nazistët garantuan Komitetin Olimpik Ndërkombëtar se Lojërat do të ishin “të hapura për të gjitha racat dhe fetë”, disa sportistë kryesorë të besimit hebre dhe racës “jo-ariane” nuk mund të ishin fare anëtarë të klubeve sportive, e lëre më të përfaqësonin Gjermaninë.

    Cilat janë shanset që Berlini të fitojë Olimpiadën?

    Shansat janë të vogla. Presidenti i IOC Thomas Bach tha se do të ishte “shumë i lumtur” nëse Lojërat Olimpike do të mbaheshin përsëri në atdheun e tij, por aktualisht Gjermania nuk diskutohet për shkak të qëndrimit të saj ndaj atletëve nga Rusia pas sulmit të saj kundër Ukrainës dhe ndalimit të hyrjes së atletëve rusë në Gjermani. “IOC mund t’i japë një vendi Lojërat vetëm nëse respektohen rregullat e saj, që përfshin edhe mundësinë e pjesëmarrjes së të gjithë sportistëve që e kanë fituar këtë të drejtë.”

    Edhe “orari” i Lojërave Olimpike tashmë dihet: vitin e ardhshëm do të jetë Parisi në renditje, pastaj më 2028 do të jetë Los Angeles,  e në vitin 2032 Brisbane. Ndërsa për Lojërat Dimërore dihet se më 2026 do të mbahen në Milano, në Cortina d’ Ampezzo. Ndërsa nikoqirët e lojërave të viti 2030 dhe 2034 do të përcaktohen vitin e ardhshëm. Po cili do të jetë vendimi për Lojërat Olimpiadën verore të vitit 2036. Një prej favoritëve kryrsor, sipas Bach, është – India. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Si OpenAI krijoi “kushtet perfekte për kaos”

    Lajmi i rradhës

    10 arsye për t’u dashuruar me landin NRW

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë