LSDM-ja e cilëson peng marrje detyrimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së për të nënshkruar deklarata të vërtetuara me noter

    LSDM-ja e cilëson peng marrje detyrimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së për të nënshkruar deklarata të vërtetuara me noter se nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare, malazeze, kroate dhe egjiptiane në të. Sipas Socialdemokratëve lideri i opozitës Hristijan Mickoski nuk është i sigurt në grupin e tij parlamentar, për këtë arsye edhe i obligon me akte noteriale.

    “Sipas juristëve të cilët kanë dhënë mendimet e tyre profesionale, deklaratat kanë lëshime trashanike që dëshmon se ato janë të pavlefshme, jo ligjore dhe jo Kushtetuese. Kjo dëshmon manipulimin e hapur të Mickoskit njëjtë si me bluzat të cilat i mbante me mbishkrimin “JO”, i ftoi qytetarët në protestë, e ndau popullin dhe në fund në Kuvend as nuk votuan, por lëshuan sallën pa u prononcuar fare. Shtrohet pyetja kë e manipulon Mickoski? Por kjo është VMRO-DPMNE-ja. Gruevski me kambiale, Mickoski me deklarata të rreme noteriale”, tha Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.

    Por VMRO-DPMNE-ja hedh poshtë akuzat. Sipas tyre, deklaratat e deputetëve nuk bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe kanë bazë juridike. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski thotë se nuk janë kundër kroatëve, malazezëve dhe egjiptianëve në Kushtetutë, por vetëm kundër bullgarëve të cilët sipas tij kontestojnë gjuhën dhe identitetin maqedonas.

    “Ato deklarata janë të qëndrueshme dhe kanë bazë juridike. E di që Qeveria po tenton të nxit një fushatë në opinion se gjoja po siguron 80 vota për ndryshimin e Kushtetutës, por ajo nuk do ndodhë sepse se shpejti do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Është e turpshme si Qeveria i keqpërdor bashkësitë tjera etnike. Për ta arritur qëllimin e saj për bugarizimin e Maqedonisë po i keqpërdor malazezët, kroatët dhe egjiptianët. Unë personalisht si deputet kam propozuar para disa viteve që egjiptianët të jeën pjesë e Kushtetutës. Neve nuk kemi problem me këto 3-4 bashkësi sa janë, neve nuk pranojmë që bullgarët të hyjnë në Kushtetutë”, theksoi Aleksandar Nikollovski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Kushtetuta e përcakton deputetin si të zgjedhur e qytetarëve dhe se duhet të jetë në shërbim të tyre dhe jo të grupit të interesit.

    “Deputeti i përfaqëson qytetarët në Kuvend dhe vendos në bazë të bindjes personale”, thuhet në Nenin 62 të Kushtetutës.

    Ekspertët vlerësojnë se në aspektin juridik, notarizimi i një deklarate ku nuk përdoret emri kushtetues nuk bie ndesh me ligjin për shkak se deklarata e palës gjatë aktit noterial nuk është e drejtë e njëanshme dhe nuk kryqëzohet me kompetencat e noterit i cili vetëm verifikon identitetin dhe notarizon aktin.

    Veprimi i partisë së Mickoskit për deklarata noteriale se nuk do të votojnë për ndryshimet Kushtetuese erdhi në ditën kur Kuvendi miratoi konkluzionet mbi propozimin francez i cili paraqet bazë për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë dhe i jep shans nisjes së negociatave me BE-në./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Zaev: Koha është gjykatësi më i mirë, le ta kujtojnë qytetarët se kush kishte të drejtë

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia po ballafaqohet me ulje natyrore të popullsisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë