LSDM me kabinet të ri qeveritar?!

    Nënkryetari i LSDM-së, Fatmir Bytyqi paralajmëron Qeverinë “Zaev 3” me format të ri. Bytyqi thotë se të paktën 7 ministra të kabinetit qeveritar mund të ndryshohen, por duke mos treguar nëse resorët e LSDM-së do të këmbehen me partnerët e koalicionit dhe subjektet e reja që mund t’i bashkohen shumicës parlamentare. Sipas tij, për momentin Zaev është i rëndësishëm për proceset që pasojnë.

    “Së shpejti do të kemi “Qeverinë Zaev 3” e udhëhequr nga kryetari Zaev. Pa dallim nëse bëhet fjalë për 2,3,5 ose 7 ministra të ndryshuar ajo do të jetë “Qeveria Zaev 3”. Nëse do të kemi Qeveri Zaev 4 kjo varet nga periudha e ardhshme dhe unë besoj se ai do t’i mbetet besnik vendimin për dorëheqje, por në këtë periudhë është shumë me rëndësi dhe na duhet”, deklaroi Fatmi Bytyqi, Nënkryetar i LSDM-së.

    Nga BDI sot nuk kishin qëndrim nëse në kuadër të riformatimi të kabinetit qeveritar priten ndryshime edhe në radhët e integristëve. Ndërkohë Alternativa zvarrit përgjigjen ndaj kryeministrit Zoran Zaev i cili ditë më parë përmes bisedës telefonike ka kërkuar nga Afrim Gashi të caktojë ditën kur duan të bisedojnë për zgjerimin e shumicës. Nga mbledhja e kryesisë së ngushtë si organ këshillues i partisë Alternativa nuk ka dalë asnjë rekomandim konkret. Kryesia Qendrore e partisë së Gashit mblidhet javën e ardhshme.

    “Javën që vjen do të kemi mbledhje të Kryesisë Qendrore në të cilën do të vendosim nëse do t’i nisim negociatat për t’u bërë pjesë e shumicës së re parlamentare ose jo”, njoftojnë nga Alternativa.

    Opozita maqedonase e cilëson si akt mashtrimi paralajmërimin e Socialdemokratëve për reforma brenda kabinetit qeveritar. Sipas VMRO-së, Zaev dëshmoi se është njeri i mashtrimeve pasi përveç që nuk dha dorëheqjen e paralajmëruar, tani kthehet duke tentuar të mashtrojë qytetarët se gjoja po sjell reforma në kabinetin Qeveritar. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Mikroplastika gjendet dhjetë herë më shumë te fëmijët se tek të rriturit

    Lajmi i rradhës

    Ibrahimi: Nuk kemi interes të bëhemi pjesë e kësaj qeverie

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë