LSM para Kuvendit: të ndryshohet Ligji për pagën minimale

    Pjesëmarrësit në protestën e 1 Majit, organizuar nga Lidhja e sindikatave të Maqedonisë (LSM), para Kuvendit kërkuan nga deputetët të miratojnë ndryshime në Ligjin për rrogën minimale në mënyrë që ajo të rritet në 500 euro, raporton AIM.

    Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov kërkoi nga të tubuarit t’ia kthejnë kurrizin Kuvendit, në mënyrë që, siç tha, të ndjejnë se si është kur punëtori e kthen kurrizin.

    “Sot në këtë anë të barrikadave jemi ne të cilët kërkojmë rrogë dinjitoze për punë dinjitoze, nga ana tjetër e barrikadave janë ata të cilët gëzojnë privilegje. Luksi juaj është mundi ynë. Ju lutemi, së paku edhe simbolikisht, t’ua ktheni kurrizin siç ua kthej unë, që të ndjejnë se si është kur punëtori ua kthen kurrizin. U premtuam se do të vijmë më shumë, nëse nuk miratojnë ndryshime të Ligjit për rrogën minimale dhe nuk i rrisin të gjitha rrogat e tjera, nëse jo – ne në minimale, ata në minimale”, theksoi Trendafillov.

    Siç tha, është për keqardhje që më 1 Maj, kur shënohet lufta e punëtorëve për orar prej tetë orëve, “disa nga këta prapa nesh sollën ligj me të cilin mundësohet që në Maqedoni të kemi ditë pune prej 12 orëve, diçka që nuk ka pasur në botë që prej vitit 1886”.

    “Është për keqardhje të gëzojnë privilegje, 79 për qind rroga të rritura, përqindje për transport më të larta se rroga minimale, byfe të Kuvendit më lirë se mensa e studentëve, ndërkaq të refuzojnë të miratojnë ndryshime dhe plotësime të Ligjit për rrogën minimale, rritje të saj në 500 euro, për 100 euro rritje të rrogave për të gjithë punëtorët, të kenë të drejtë edhe punëtorët, si deputetët, për shpenzime të transportit dhe shpenzime të ushqimit. Kërkojmë sa më shpejtë të tregojnë se janë për punëtorët dhe se janë me punëtorët”, tha Trendafillov.

    Marshi protestues para Shtëpisë së punëtorëve, ndërkaq pas Kuvendit pjesëmarrësit u nisën drejt Odës ekonomike ku u porositën punëdhënësit “të mos fshihen” sepse punëtorët “ua fitojnë bukën, ndërsa për ta nuk mbetet asgjë” dhe se edhe më tej sindikata do të jetë “në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve”.

    Protesta e 1 Majit me të cilën LSM kërkon rroga minimale të jetë 500 euro, të gjitha rrogat e tjera të rriten për 100 euro dhe të respektohen marrëveshjet kolektive dhe të drejtat e punëtorëve përfundoi para Qeverisë.

    Lajmi Paraprak

    Punëtorët në Kosovë protestojnë për të drejtat e tyre, kërkojnë rritjen e pagave

    Lajmi i rradhës

    Të rinjtë e Kosovës përballë papunësisë: diploma në dorë, punë në sektorë të tjerë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë