Lufta në Serbi për mbikëqyrje të stilit kinez

    Përhapja e teknologjisë kineze të mbikëqyrjes që është duke u bërë sot në Serbi, filloi me një vdekje misterioze në vitin 2014.

    Në një natë të qetë vere në Beograd, një i ri i quajtur Lluka Jovanoviq u godit nga një automjet, teksa po shtynte makinën e tij në korsinë emergjente në Urën e Brankos.

    Kjo urë lidh qendrën historike të qytetit me lagjen Beogradi i Ri, përtej Lumit Sava.

    Shoferi i automjetit u largua nga vendi i ngjarjes. Ndonëse policia serbe veproi me shpejtësi, ai arriti të arratisej nga qyteti e më pas edhe nga Serbia.

    Pas një muaj hetimesh, zyrtarët serbë zbuluan se shoferi iku në Kinë, nëpërmjet Hong Kongut dhe Turqisë.

    Policia serbe ndau fotografitë e të dyshuarit me homologët e saj kinezë. Dhe, pas vetëm tri ditësh, ata e gjetën dhe e arrestuan atë, falë teknologjisë së mbikëqyrjes, e cila përfshin softuerin e njohjes së fytyrës.

    Arrestimi i shpejtë dhe mjetet e sofistikuara në dispozicion të forcave kineze u lanë përshtypje zyrtarëve serbë, të cilët mbështeteshin në pajisje më të vjetra të vëzhgimit.

    Interesimi shkoi aq larg saqë Serbia nënshkroi një marrëveshje të partneritetit strategjik me gjigantin kinez të telekomunikacionit, Huawei, në vitin 2017.

    Marrëveshja parasheh zhvillimin e projektit Qyteti i Sigurt në Beograd – një koncept ky i eksportuar nga Pekini dhe kompanitë e tij teknologjike, e që fokusohet në shtimin e mbikëqyrjes me kamera dhe teknologji të tjera digjitale.

    I gjithë ky zhvillim u bë i njohur si “rasti Countryman”, për shkak të makinës Mini Countryman që goditi dhe vrau Jovanoviqin dhe i hapi rrugë zgjerimit të teknologjisë së mbikëqyrjes në Serbi.

    Sot, përpjekjet e Qeverisë serbe për të shtuar mbikëqyrjen biometrike përballen me rezistencë të ashpër nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe ata të privatësisë. Sipas tyre, autoritetet mund ta keqpërdorin këtë mbikëqyrje për të frenuar pakënaqësitë me Qeverinë.

    “Komuniteti i organizatave joqeveritare në Serbi ka qenë efektiv me bisedat për këtë çështje dhe me presionin mbi autoritetet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Stefan Vlladisavlev, ekspert për rolin e Kinës në Ballkan dhe drejtor i Fondacionit BFPE, me seli në Beograd.

    “Por, Qeveria duket se synon të gjejë mënyra për ta përdorur gjithë këtë teknologji”, shton ai.

    Zhvillimi i ngadalshëm i projektit

    Kur autoritetet serbe në vitin 2019 vendosën kamerën e parë të mbikëqyrjes nga rreth 8.000 sa kishin blerë, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, tha me mburrje se çdo rrugë dhe çdo ndërtesë rreth Sheshit të Republikës në Beograd do të mbulohet me kamera vëzhgimi, që identifikojnë fytyrën.

    “Ne do të dimë se nga cila rrugë ka ardhur [një i dyshuar], nga cila makinë dhe kush ka qenë i ulur më parë në atë makinë”, tha Stefanoviq.

    Kamerat e vëzhgimit përballë logos së Huaweit në qendër të Beogradit, 2020.
    Kamerat e vëzhgimit përballë logos së Huaweit në qendër të Beogradit, 2020.

    Komentet tërhoqën vërejtjen e grupeve të të drejtave digjitale në Serbi, të cilat argumentuan se instalimi i kamerave të vëzhgimit dhe përdorimi i softuerit të njohjes së fytyrës nuk kanë bazë ligjore sipas ligjit në Serbi.

    Këto veprime, sipas tyre, janë edhe jashtë legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave, të cilin Serbia po përpiqet ta harmonizojë me Bashkimin Evropian.

    Brukseli ka rregulla të rrepta për mbrojtjen e të dhënave dhe përdorimi i teknologjisë së njohjes së fytyrës është rreptësisht i kufizuar. Edhe pse po debatohet për ndalimin e plotë, aktualisht ka përjashtime për organet e zbatimit të ligjit brenda bllokut.

    Rezistenca brenda Serbisë, deri më tani, arriti ta pengojë zbatimin e plotë të projektit. Reagimi nga shoqëria civile bëri që Qeveria t’i kërkojë Ministrisë së Brendshme të zhvillojë një kornizë ligjore për përdorimin e teknologjisë. Mijëra kamera tashmë janë të vendosura, por funksioni i njohjes së fytyrës në kamera nuk është aktivizuar.

    “Qeveria ka qenë mjaft e ngathtë me këtë përpjekje që nga fillimi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Andrej Petrovski, drejtor i teknologjisë në Fondacionin Share – një organizatë për të drejtat e njeriut me qendër në Beograd.

    “Fillimisht, ata kanë blerë pajisjet dhe më pas kanë tentuar t’i legalizojnë. Ky është një problem i madh në vetvete”, thotë Petrovski.

    Simulimi i një ekrani të kamerave televizive me qark të mbyllur, duke përdorur softuer të drejtpërdrejtë të njohjes së fytyrës.
    Simulimi i një ekrani të kamerave televizive me qark të mbyllur, duke përdorur softuer të drejtpërdrejtë të njohjes së fytyrës.

    Tensionet u rritën derisa Ministria e Brendshme u përpoq të zhvillonte legjislacionin për mbikëqyrje biometrike. Në vitin 2021, ajo kërkoi bazë ligjore për këtë mbikëqyrje përmes një ligji të ri të propozuar për policinë.

    Projektligji do t’u jepte autoriteteve mundësi të mëdha për mbikëqyrje masive dhe nuk do t’i merrte parasysh çështjet e privatësisë, të ngritura nga grupet e të drejtave të njeriut.

    Për shkak të polemikave të vazhdueshme, si brenda Serbisë, ashtu edhe jashtë, Qeveria e tërhoqi projektligjin, por shumë ekspertë presin një tjetër përpjekje ligjore në të ardhmen e afërt.

    “Fakt është se Serbia nuk ka mekanizëm ligjor se si ta përdorë këtë teknologji duke i mbrojtur të drejtat e njerëzve dhe duke i kontrolluar të dhënat që mblidhen”, thotë Vlladisavlev.

    Se si do të zbatohet marrëveshja e Qytetit të Sigurt me Kinën dhe sa do t’u kushtojë taksapaguesve, nuk është shumë e qartë.

    Gazetarët dhe grupet e shoqërisë civile kërkuan informacione për vendndodhjen e kamerave dhe prokurimet publike, por Ministria e Brendshme tha se të gjitha dokumentet janë konfidenciale, për shkak të konsideratave për sigurinë kombëtare.

    Ministria e Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj as kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar përdorimin e teknologjisë kineze të mbikëqyrjes, projektin Qyteti i Sigurt dhe zhvillimin e një kornize ligjore për këtë çështje.

    Ministria tha më herët se teknologjia është e nevojshme për t’i gjurmuar kriminelët dhe terroristët.

    Petrovski dhe kolegët e tij në Fondacionin Share argumentuan se softueri i përdorur për njohjen e fytyrës, shkel rëndë të drejtat dhe liritë themelore civile.

    Derisa kamerat e vëzhgimit, të prodhuara nga Kina, u instaluan gjithnjë e më shumë gjatë pandemisë COVID-19, Fondacioni Share filloi një projekt për grumbullimin e fotografive të kamerave, duke u kërkuar banorëve të dërgojnë imazhe në një bazë të të dhënave.

    Projekti, deri më tani, identifikoi rreth 2.000 kamera anembanë Serbisë – shumica prej tyre në Beograd, thotë Petrovski.

    Andrej Petrovski, drejtor i teknologjisë në Share Foundation, një organizatë e të drejtave të njeriut me qendër në Beograd, e cila ka qenë në krye të përpjekjeve për të kundërshtuar vendosjen e kamerave për njohjen e fytyrës në Serbi.
    Andrej Petrovski, drejtor i teknologjisë në Share Foundation, një organizatë e të drejtave të njeriut me qendër në Beograd, e cila ka qenë në krye të përpjekjeve për të kundërshtuar vendosjen e kamerave për njohjen e fytyrës në Serbi.

    Pesë muaj përpara se Stefanoviq të fliste për përdorimin e kamerave në Sheshin e Republikës, Huawei publikoi një rast studimi në faqen e tij të internetit, ku tha se ekipi i tij kishte filluar fazën e parë të projektit të Qytetit të Sigurt dhe se kishte instaluar më shumë se 100 kamera dhe sisteme të menaxhimit të videove në 60 lokacione në Beograd.

    Pasi Fondacioni Share dhe aktivistë të tjerë tërhoqën vërejtjen për këtë studim, ai u hoq nga faqja e Huaweit.

    “Fakti që artikulli u hoq nga faqja e internetit e Huaweit, do të thotë se kjo është një çështje me shqetësim të madh politik për Qeverinë tonë”, thotë Petrovski.

    “Kur ata e kanë planifikuar këtë, qartazi nuk kanë pritur ndonjë reagim nga shoqëria”, shton ai.

    Një pikë ndezëse në të ardhmen

    Në anën tjetër të përpjekjeve për të zhvilluar një kornizë ligjore për përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës është Millan Marinoviq, komisionari i Serbisë për informacionet me rëndësi publike dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.

    Në rolin e tij si zyrtar qeveritar i pavarur nga Ministria e Brendshme, Marinoviq është autoriteti kryesor për krijimin e një ligji për mënyrën se si mblidhen të dhënat biometrike përmes njohjes së fytyrës dhe mbikëqyrjes masive në Serbi.

    Zyra e tij u bë pengesë në përpjekjet e Ministrisë së Brendshme për të miratuar legjislacionin. Marinoviq ishte, po ashtu, kritik ndaj përpjekjeve për të përfshirë mbikëqyrjen biometrike në projektligjin e vitit 2021, i cili u tërhoq më vonë.

    “Ju keni një bazë të të dhënave policore për personat e zhdukur dhe kriminelët, por keni edhe një tjetër për njerëzit e thjeshtë, e cila funksionon përmes letërnjoftimeve, pasaportave dhe dokumenteve të tjera të tyre”, thotë Marinoviq për Radion Evropa e Lirë.

    “Detyra jonë kryesore është t’i ndajmë dy bazat e të dhënave [dhe] të sigurohemi që baza e të dhënave të qytetarëve të zakonshëm ruhet nga afër dhe qasja në të është e kufizuar”, thotë ai.

    Oficerët e policisë kineze në Sheshin e Republikës në Beograd gjatë patrullimit të përbashkët me oficerët e policisë serbe në vitin 2019.
    Oficerët e policisë kineze në Sheshin e Republikës në Beograd gjatë patrullimit të përbashkët me oficerët e policisë serbe në vitin 2019.

    Ministria, deri më tani, nuk arriti t’i plotësojë këto kërkesa. Marinoviq thotë se nuk do të nënshkruajë asnjë ligj derisa të vendoset diçka që i mbron siç duhet këto të dhëna.

    Pas kundërshtimeve të projektligjit të vitit 2021, Ministria e Brendshme filloi të konsultohej edhe me ekspertë të huaj dhe mblodhi një grup pune joformal për të diskutuar mënyrat e konceptimit të një kornize ligjore, që do të mund t’i adresonte shqetësimet e zbatuesve të ligjit dhe të aktivistëve të të drejtave të njeriut.

    Grupet përfshinë edhe zyrën e Marinoviqit dhe Fondacionin Share.

    “Ne kemi mbajtur konsultime joformale me Qeverinë, por vazhdojmë të besojmë se çështja e abuzimit është diçka që nuk mund të parandalohet”, thotë Petrovski.

    “Ne kemi histori jo vetëm të abuzimit me pushtetin në këtë vend, por edhe për mungesën e përgjegjësisë për ato abuzime”, shprehet ai.

    E ardhme e pasigurt

    Përtej shqetësimeve të ngritura për historikun e Ministrisë së Brendshme, mungesën e transparencës dhe përdorimin e njohjes së fytyrës në tërësi, disa ekspertë paralajmërojnë se teknologjia kineze vjen edhe me rreziqe të tjera shtesë.

    Shitësit dhe Qeveria në Kinë nuk shqetësohen se kujt ia shesin teknologjinë e tyre dhe si do të përdoret ajo. Kompani si Huawei deklarojnë se përgjegjësia i takon përdoruesit përfundimtar.

    Ka, po ashtu, shqetësime se shitësit kinezë, të cilët janë të lidhur ngushtë me Qeverinë, mund t’i ofrojnë sigurisë shtetërore kineze qasje në të dhëna të ndjeshme.

    Disa qeveri perëndimore paralajmërojnë tash e sa vite për këtë gjë. Ato kanë sjellë shembuj të kompanive kineze në dhjetëra vende, që, sipas tyre, janë implikuar në spiunazh dhe keqpërdorim të të dhënave.

    “Kompanitë kineze nuk janë unike në ofrimin e softuerëve për njohjen e fytyrës ose të teknologjive të tjera të mbikëqyrjes, por ato janë problematike kur u shërbejnë kërkesave të tregut të brendshëm të sigurisë në Kinë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Dahlia Peterson, analiste kërkimore në Qendrën për Siguri të Universitetit Georgetown.

    “Ky është një mjedis shumë ndryshe. Do të thotë, teknologjia e tyre është zhvilluar për t’u përdorur për diçka që kompanitë e tjera do ta konsideronin joetike apo edhe të paligjshme”, shton ajo.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ruan marrëdhënie të ngushta me Pekinin. Megjithatë, ka pasur disa sinjale nga Beogradi se është duke shikuar për alternativa të mundshme, që do ta zvogëlonin mbështetjen te Kina.

    Një polic duke bërë rojë pranë një pankarte me fotografinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe të udhëheqësit kinez, Xi Jinping, në Beograd, në vitin 2020.
    Një polic duke bërë rojë pranë një pankarte me fotografinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe të udhëheqësit kinez, Xi Jinping, në Beograd, në vitin 2020.

    Në shtator të vitit 2020, Vuçiq dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, u takuan në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar një marrëveshje me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump.

    Marrëveshja përcaktoi një sërë dispozitash ekonomike dhe politike – mes tjerash, të përmbajturit nga instalimi i infrastrukturës 5G nga të ashtuquajtur “shitës të pabesueshëm”. Në marrëveshje nuk u emërua asnjë firmë, por besohet që kjo të ketë qenë referencë për kompaninë Huawei.

    Mbetet pikëpyetje se sa e detyrueshme është marrëveshja, por Beogradi, që atëherë, ka shtyrë tenderin e tij për infrastrukturën 5G nga kompania kineze.

    Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) raportoi në prill se Ministria e Brendshme e Serbisë po përpiqet të negociojë blerjen e softuerit për njohjen e fytyrës – të prodhuar nga Suedia – nga firma Griffeye.

    Raporti, i cili përmendi kërkesat për prokurim nga ministria, nuk konfirmoi ndonjë blerje, por vuri në dukje se Qeveria serbe po eksploron ofrues të tjerë softuerësh për projektin e saj të Qytetit të Sigurt.

    Softueri i Griffeyet përdoret nga Europoli, agjencia e zbatimit të ligjit të BE-së, dhe ekspertët thonë se teorikisht mund të jetë i pajtueshëm me harduerin Huawei.

    Pavarësisht se çfarë lloj softueri përdoret, Marinoviq thotë se derisa të krijohet një kornizë e duhur ligjore, njohja e fytyrës në Serbi do të mbetet e paligjshme. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Shkalla e varfërisë në Maqedoni mbetet e lartë, hendek i dukshëm gjinor në tregun e punës

    Lajmi i rradhës

    Parisi përpiqet të përshtatet me rolin e ri të Berlinit në Europë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë