“Lufta” nis me Lotarinë Shtetërore

    Ekipet e policisë paraditen e sotme po kryejnë kontrolle në disa lokacione për shkak të dyshimeve për krim të organizuar në Lotarinë Shtetërore. Siç bëhet e ditur, policia ka kryer bastisje në shtëpitë e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami. Bastisjet janë bërë rreth dyshimeve për krim në Lotarinë e Maqedonisë, ndërsa dy të apostrofuarit nuk janë gjetur në shtëpi. Ndryshe, është raportuar se dje ish/zv.kryeministri Grubi ka kaluar kufirin në drejtim të Kosovës, pas çka disa media pretenduan se Grubi është arratisur. Megjthatë, Grubi këto pretendime i cilësoi si shpifje, duke thënë se gjendet në Kosovë për punë private. “Ju lutem mos shpifni dhe shpekuloni. Kam udhëtuar me dokumentat e mia dhe sigurimi im personal policor është i njoftuar. Unë sa po të kryej obligimet, do të kthehem në shtëpi pranë familjes”, kishte shkruar Grubi në Facebook.

    Kryeministri Hristijan Mickoski u tregua i rezervuar për të treguar nëse disponon me detaje rreth operacionit në fjalë. Megjithatë, këto veprime të policisë i konsideroi si fillim të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    “Ne thamë që do të ketë një luftë të ashpër kundër krimit dhe korrupsionit, për të cilat ekzistojnë dyshime bazë që kanë ndodhur. Mund të them se ai proces ka filluar me eliminimin e qelisë terroriste tek ne, për të cilët ka pasur dyshime serioze për të rrezikuar ose cenuar gjendjen e sigurisë në shtet. Nga ato informacione që kam e di se ekzistojnë dyshime serioze për keqpërdorime dhe krim në Lotarinë Shtetërore dhe të funksionarëve të lartë të qeverisjes së kaluar dhe se është hapur hetim. Megjithatë, nuk kam informacione tjera”, theksoi Mickoski.

    Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti pohoi se edhe kolonat e gjata mbrëmjen e djeshme në pikën kufitare “Bllacë” ndërlidhen me aksionet e fundit të policisë. Mexhiti shtoi se autoritetet nuk do të bëjnë spektakle në lidhje me aksionet, por që çdo kush që ka shkelur ligjin do të përgjigjet. “Mendoj që ka lidhshmëri me kolonat e gjata mbrëmë në “Bllacë” dhe aksioneve policore, sipas informatave që i jep MPB. Edhe njëherë e potencoj që lufta kundër korrupsionit do të jetë pa kompromise, mirëpo jo revanshiste, jo monoetnike, dhe jo me parada para fëmijëve dhe familjarëve të tyre, sepse nuk kemi nevojë të bëjmë filma, por thjesht procedurat të shkojnë deri në fund për secilin që e ka thyer ligjin dhe askush nuk është mbi ligjin”, është shprehur zv/kryeministri Mexhiti.

    Nga VLEN vazhdojnë të kërkojnë që Artan Grubi të përjashtohet nga Universiteti i Tetovës, për shkak se sipas koalicionit në pushtet, Grubi nuk ka kredibilitet moral për të edukuar studentët.

    Ndërkohë Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një komunikate lëshuar mediave, i ka bërë thirrje VMRO-DPMNE-së që të ndalojë me instrumentalizimin e institucioneve të shtetit. Nga BDI, tutje theksojnë VMRO-DPMNE po keqpërdor momentin kur sipas tyre shqiptarët nuk kanë përfaqësues të mirëfilltë në Qeveri, por siç thonë integristët, disa politikan të zgjedhur nga VMRO-ja për të luajtur rolin e “përfaqësuesve” të shqiptarëve. “Përdorimi i kësaj histerie nacionaliste për të luajtur atë që ju e quani në takimet tua koha për ‘vtoro poluvreme’ kundër shqiptarëve është tepër e rrezikshme. Helmimi i hapësirës publike me propagandë anti-shqiptare dhe përhapja e urrejtjes përmes mediave tuaja po dëmton në mënyrë të pariparueshme bashkëjetesën. Shfrytëzimi i ndjenjave të atyre që nuk janë të gatshëm për bashkëjetesë dhe që çdo ditë bërtasin nëpër media ‘Kush do shqip, le të shkojë në Shqipëri’ është aventurë e rrezikshme”, theksojnë nga BDI, nga ku shtojnë se kjo qasje së pari do të ju dëmtojë ju që mendoni se mund të ushqeni egon tuaj dhe fitoni vota përmes “hakmarrjes së pjesës së dytë” kundër shqiptarëve.

    Përndryshe javën e kaluar Prokuroria në një brifing me gazetarët, njoftuan se prokurorë të ndryshëm po vepronin pas tre kallëzimeve të ardhura nga Policia Financiare dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me krime të dyshuara në Lotarinë Shtetërore. Siç u bë e ditur në konferencë, janë konstatuar disa raste të ndërlidhura për të cilat është treguar se ekziston një sasi e madhe e dokumentacionit.

    Lajmi Paraprak

    Mickoski: ka një kohë të gjatë që drejtori i Lotarisë nuk gjendet në RMV

    Lajmi i rradhës

    HIMNI MONOETNIK / Arsimi nën kthetrat e nacionalizmit!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë