Teksa forcat ushtarake ruse i afrohen rajonit Dnjipropetrovsk të Ukrainës, shumë familje veçse të zhvendosura nga lufta, po detyrohen që të lëvizin sërish.
Evakuimet janë në proces e sipër dhe linja e frontit sa shkon e zgjerohet, prandaj banorët e fshatrave që gjenden në kufi me rajonin e Donjeckut nuk e dinë nëse do të kthehen ndonjëherë nëpër shtëpitë e tyre.
Damiri, gjashtëvjeçar, nga rajoni i Pokrovskut, zonë e shkatërruar nga lufta, nuk mund t’i mbajë lotët teksa familja e tij largohet prej shtëpisë së gjyshërve në Dnjipropetrovsk.
“Pse po qan?”, e pyet Mykola, gjyshi i Damirit.
“Nëna jote është me ty, edhe motrat edhe vëllai, do t’i mbash të gjithë në këmbë”, i thotë ai, duke shpresuar se do të shohë të buzëqeshur nipin.
Familja e Damirit është larguar nga Pokrovsku një vit më parë, ku e kishin ndërtuar një shtëpi, para se të niste lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë.
Tani, duke ikur për të dytën herë, familja ka pak shpresa që do të kthehet ndonjëherë aty.
“Nuk e di nëse apartamenti im është ende i paprekur. E di që tjerat në afërsi janë krejtësisht të djegura”, ka thënë Valentyna, gjyshja e Damirit për Current Time – kanalin televiziv në gjuhën ruse të Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës.
“Lagjja ku jetonin fëmijët e mi tani është rrafshuar me tokë”, ka shtuar ajo.
Këtë verë autoritetet në rajonin e Dnjipropetrovskut kanë urdhëruar evakuime të detyrueshme në disa zona kufitare. Grave dhe fëmijëve u është kërkuar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në muajt e fundit, ky rajon – së bashku me qendrën e vullnetarëve dhe refugjatëve në qytetin e Dnjipros – është kthyer në shënjestër të shpeshtë të sulmeve ruse me dronë dhe raketa.
Serhiy Lysak, udhëheqës i administratës ushtarake lokale, ka thënë se rajoni goditet nga sulmet ruse “pothuajse çdo ditë” dhe që infrastruktura civile dhe zonat e banimit janë në rrezik të vazhdueshëm.
Në tentim e sipër për të kapur gjithë rajonin e Donjeckut, forcat ushtarake ruse janë duke çuar përpara ofensivën e tyre, duke sulmuar disa zona që janë në kufi të Dnjipropetrovskut.
“Lufta sa vjen e afrohet”, ka thënë motra adoleshente e Damirit, Amelia.
“Mund t’i dëgjosh të shtënat dhe shpërthimet. Duam të jemi sa më larg prej gjithë kësaj”.
Teksa gratë dhe fëmijët largohen, burrat qëndrojnë aty, me shpresën që situata do të stabilizohet dikur dhe familjet do të kthehen.
“Më vjen keq për nipat, mbesat dhe fëmijët, jo për veten”, shprehet Mykola.
“Do ta ruaj këtë vend me grabujën time”, shton ai teksa buzëqeshet. /REL/