Luma: Më së shumti pësojnë qytetarët nga ndërrimet e shpeshta të ministrave

    Edhe një tjetër ministër i Shëndetësisë largohet nga posti pa mbaruar mandatin. Bekim Saliu trashëgoi projekte të lëna përgjysmë, ndërsa premtoi edhe të tjera, por nuk arriti t’i realizojë. Gjithë ministrat e Shëndetësisë, ndër zotimet kryesore e kanë pasur realizimin e projektit për ndërtimin e një Qendre të re Klinike. Por përveç deklaratave të vazhdueshme se do bëhet, asnjëri prej tyre nuk arriti, të paktën ta përurojë gurë-themelin. Ish zv/ministri i Shëndetësisë Ilir Luma thotë se ndërrimi i shpeshtë i ministrave pamundëson realizimin e projekteve si dhe krijon pengesa të shumta në funksionim.

    “Nga ndryshimi i ministrit fillojnë dhe ndryshimet tjera, drejtoritë, shefat. Drejtorët në kuadër të Spitaleve të veta bëjnë ndryshimet e veta. Dhe ai në periudhën kohore prej 1 viti e më tepër nëse Qeveria funksionon deri në fund të mandatit, nuk e di se çfarë rezultatesh mund të tregojë një ministër apo një drejtor. Shkurt thënë, pësojnë qytetarët, pëson vetë institucioni, bëhen dëme të ndryshme materiale, në resurset njerëzore dhe që është shumë me rëndësi, është se kemi dëme në shëndetin e njerëzve. Ministrin e deritanishëm nuk mund ta akuzojmë se nuk ka arrit të bëje diçka, sepse nuk ka pasur dhe kohë, por nuk mund të themi se brenda një kohe kaq të shkurtër ka arritur një sukses nga i cili mund të veçohet”, tha Ilir Luma, ish zv. ministër i Shëndetësisë.

    Problemet e pacientëve nuk ndryshuan, pavarësisht ndërrimit të shpeshtë të ministrave.

    “Ndërrimi i secilit ministër, për ne është vonesë e ilaçeve, vonesë e tenderëve, vonesë e furnizimeve. Gjithçka që kemi folur me ministrin paraprak duhet ta riflasim me ministrin e ri. Nëse kemi arritur deri diku bisedime me ministrin e kaluar, përsëri duhet nga e para të flasim për atë çështje. Ne varemi nga nënshkrimet e ministrit të Shëndetësisë. Më së miri do ishte që ilaçet t’i marrim përmes Fondit Shëndetësor. Të ketë njëfarë sistemi ku nuk do të vareshim nga një person – ministri, por do vareshim nga administrate që ajo ta kryente punën dhe të rrjedhë puna pa dallim se kush është drejtor, apo kush është ministër. Shumë pacientë vdiqën duke pritur blerjen e ilaçit e nevojshëm , duke pritur procesin e tenderimit”, u shpreh Vesna Aleksoska, Kryetare e shoqatës për sëmundjet e rralla.

    Nga viti 2017 e këndej Maqedonia e Veriut ka pasur tre ministra të Shëndetësisë. Pas formimit të Qeverisë së Zaevit, Arben Taravari u zgjodh ministër, i cili në këtë kolltuk qëndroi vetëm për disa muaj pasi u zgjodh në krye të komunës së Gostivarit, më pas me këtë resor e udhëhoqi Venko Filipce nga radhët e LSDM-së. Pas dorëheqjes së tij nga posti, drejtimin e ministrisë e mori Bekim Sali nga Alternativa. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Superekspertiza mund t’ia ngarkojë tërë fajin shoferit të autobusit në aksidentin në Llaskarcë

    Lajmi i rradhës

    Parlamenti Europian nga viti 2035 ndalon veturat me naftë dhe benzinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë