Macroni e emëron Lecornun kryeministër të ri të Francës

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka emëruar besnikun e tij, Sebastien Lecornu, kryeministër të ri të vendit, pavarësisht pritshmërisë se mund ta zgjidhte dike nga e majta.

    Zgjedhja e 39-vjeçarit Lecornu lë të kuptohet se Macroni është i vendosur për të vazhduar me një qeveri pakicë, e cila nuk do të heqë dorë nga agjenda e tij probiznesit, në kuadër të së cilës taksat për biznesin dhe të pasurit janë ulur dhe mosha e pensionit është rritur.

    Megjithatë, në një lëvizje të pazakontë në politikën franceze, zyra e Macron tha se presidenti i ka kërkuar Lecornut të mbajë bisedime me të gjitha forcat politike në Parlament për të gjetur kompromise mbi buxhetin dhe politikat e tjera, para se ta emërojë kabinetin e tij.

    “Presidenti i Republikës më ka ngarkuar me detyrën për të ndërtuar një qeveri me një drejtim të qartë: mbrojtjen e pavarësisë dhe fuqisë sonë, shërbimin ndaj popullit francez dhe stabilitetin politik e institucional”, shkroi Lecornu në X.

    “Dua ta falënderoj për besimin që tregoi ndaj meje duke më emëruar kryeministër”, shtoi ai.

    Lecornu do të bëhet kryeministri i pestë i emëruar nga Macroni në më pak se dy vjet, pasi Parlamenti, i ndarë thellësisht mes tri kampeve ideologjike kundërshtare, e rrëzoi të hënën François Bayroun për shkak të planeve të tij për ta frenuar borxhin e shtetit që po rritet me shpejtësi.

    Lajmi për emërimin e tij u prit me përqeshje nga partitë e majta, të cilat bënë thirrje që votuesit të shprehnin kundërshtimin e tyre në protesta mbarëkombëtare “Blloko Gjithçka” të mërkurën.

    Partia e majtë ekstreme Franca e Papërkulur tha se do ta paraqesë një votëbesim për Lecornun, megjithëse duket se nuk do të mundë ta bëjë këtë, sepse presidenti i partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar (RN), Jordan Bardella, shfaqi gatishmëri për të bashkëpunuar me Lecornun për buxhetin – tani për tani.

    Kjo do ta bënte Lecornun dhe Qeverinë t’i varë shpresat në tekat e RN-së, e cila ka qenë vendimtare në rrëzimin e Bayrout dhe paraardhësit të tij Michel Barnier.

    “Ne do ta gjykojmë – pa iluzione – kryeministrin e ri mbi meritat e tij, mbi veprimet e tij, mbi politikat e tij për sigurimin e një buxheti për Francën, dhe këtë në dritën e vijave tona të kuqe”, shkroi Bardella në X.

    RN-ja ka thënë se nuk do të pranojë rritje taksash për punëtorët. Kjo parti gjithashtu kërkon shkurtim të pagesave për emigrantët, shpenzimet e larta të nëpunësve civilë dhe kontributin e Francës në Bashkimin Evropian.

    Lecornu e ka pasur herë pas here vëmendjen e lideres së RN-së, Marine Le Pen, dhe të Bardellas, me të cilët pati darkë të fshehtë vitin e kaluar.

    Lecornu hyri në politikë duke bërë fushatë për ish-presidentin Nicolas Sarkozy kur ishte 16 vjeç.

    Ai u bë kryetar bashkie i një qyteti të vogël në Normandi kur i mbushi 18 vjet dhe më pas këshilltari më i ri i Qeverisë i Sarkozyt në moshën 22-vjeçare.

    Ai la partinë konservatore Les Republicains për t’iu bashkuar lëvizjes politike qendrore të Macronit kur ky i fundit u zgjodh president në 2017.

    Pesë vjet më vonë, ai drejtoi fushatën e rizgjedhjes së Macron. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Pse fëmijët finlandezë shkëlqejnë, edhe pse e nisin shkollën 7 vjeç?

    Lajmi i rradhës

    Fyerjet e Vuçiqit ngrenë në këmbë BE-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë