Manastiri ende në pritje të bibliotekës shqipe

    Nisma e filluar gati një vit më parë nga aktivistja Emira Selimi, për hapjen e bibliotekës shqipe në qytetin e alfabetit në Manastir si duket nuk po sheh dritë. Edhe pse shqiptarët nga të gjitha anët u trojeve të tyre u organizuan për ta ndihmuar këtë nismë fisnike dhe u grumbulluan afër 30.000 libra dhe njoftimet e para ishin që ajo do të hapet në muajin mars të këtij viti, deri më tani ende nuk po gjendet një vend për t’i sistemuar dhe për t’u hapur biblioteka shqipe. Nismëtarja Emira Selimi, për hapjen e bibliotekës shqipe në Manastir, deklaroi për gazetën KOHA se tashmë është e qartë që iniciativa ka pasur dy etapa, e para grumbullimi i librave dhe e dyta hapja legjitime e bibliotekës në Manastir.

    “E para është realizuar me sukses, janë grumbulluar me shumë se 30.000 tituj librash nga e gjithë rajoni, me shumë tematika produktive për të gjithë , tashmë jemi në etapën e dytë e cila u planifikua që në qershor të hapet por për arsye të paqarta nuk kishim sinkron institucional , andaj ajo që është e sigurt e kemi planin B që po funksionin mjaft mirë dhe besoj në nëntor edhe do finalizohet me çdo kusht edhe iniciativa jonë”, deklaroi Selimi.

    Selimi njoftoi se ajo po planifikon që biblioteka në Manastir të ketë hapësirë dinjitoze, të mjaftueshme, profesionale dhe e përshtatshme për karakterin që e posedon dhe se gjithçka po shkon mirë dhe sipas planit.

    Nga ana tjetër, drejtori i Institucionit Nacional “Muzeu i Alfabetit” Manastir, Zait Aliu, tha për gazetën KOHA se kërkesa për hapjen e bibliotekës shqipe në muzeun e Manastirit ju bë Ministrisë së Kulturës, mirëpo me përgjigje negative.

    “Pas iniciativës për hapjen e bibliotekës shqipe në Manastir, ne parashtruam kërkesë te Ministria e Kulturës, por që përgjigja ishte negative. Kurdo dhe kudo që të vendoset hapja e bibliotekës, ne si institucion do ta mbështesim”, theksoi Aliu.

    Ndërkohë, zëvendësministri i Kulturës, Daim Luçi, për KOHA ka theksuar se në bazë të ligjit për Kulturë janë dhënë sqarimet në lidhje me zgjerimin, ku vendimet për ndryshime i jep Qeveria.

    “Ministria e Kulturës me shkresë drejtuar IN Muzeu i Alfabetit Shqip – Manastir ka nënvizuar udhëzimet apo hapat se si mund të zgjerohet veprimtaria e institucionit në fjalë, konkretisht me veprimtari bibliotekare. Personalisht jam marrë me këtë çështje dhe kam komunikuar me drejtorin por edhe me përfaqësuesit e iniciativës për bibliotekë në kuadër të hapësirave të Muzeut. Po e potencoj, në bazë të ligjit për Kulturë janë dhënë sqarimet dhe hapat se si mund të zgjerohet: duke bërë ndryshime dhe harmonizimin të statutit me ligjin për Kulturë e pastaj të jepen pëlqimet dhe mendimet e institucioneve përkatëse, gjegjësisht të Ministrisë së Kulturës e cila jep mendim për ndryshimet statutare e pastaj edhe Qeverisë si përgjegjëse për dhënie pëlqim zgjerim të veprimtarisë të institucioneve nacionale”, tha Luçi.

    Ai njoftoi se deri tani nuk kanë informacion se është vepruar konform shkresës drejtuar Muzeut të Alfabetit Shqip, apo të ketë ndonjë iniciativë tjetër.

    “Me gjendjen aktuale, të them të karakterit juridiko-statutar të IN Muzeu i Alfabetit Shqip – Manastir është e pamundur zgjerimi i veprimtarisë të muzeut edhe me veprimtari bibliotekare”, tha ai. Ndër të tjera informata të sakta në lidhje me vendosjen e librave nuk ka ende për arsye sigurie, njoftoi Selimi.

    Lajmi Paraprak

    Gjykata Supreme e Francës hedh poshtë apelin për kostumin abaja

    Lajmi i rradhës

    A u bë një hap para për ndryshimet kushtetuese?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë