Kërkohet arsim falas në RMV, standard më i mirë, digjitalizim dhe autonomi

    Parlamentet studentore universitare nga pesë universitete shtetërore dhe një universitet privat prezantuan ditë më parë dokumentin Manifesti Studentor për afirmimin e zërit studentor, sfidave studentore dhe përballjen me të ardhmen, shkuan Meta.mk

    Manifesti përmban shtatë qëllime kryesore: Arsimin Falas, Cilësinë kundrejt sasisë, Parlamentin Kombëtar të Studentëve, Standardin Studentor, Ndërkombëtarizimin, Digjitalizimin dhe Autonominë – për të cilat studentët kërkojnë miratim nga shteti.

    Manifesti, thuhet aty, bazohet në Deklaratën e Studentëve të miratuar disa vite më parë dhe me të nderohen përpjekjet e bëra të parlamenteve të atëhershme universitare.

    Në rubrikën “Arsimi falas”, në përputhje me praktikën në rajon, studentët kërkojnë të prezantohet një sistem i ri i financimit të arsimit të lartë, me çka ai do të jetë falas për studentët në ciklin e parë të studimeve.

    “Qeveria në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Financave dhe anëtarët e Konferencës Ndëruniversitare (përfshirë këtu edhe studentët) do të punojnë për hartimin e një dokumenti strategjik që do të mundësojë një sistem të ri financimi të arsimit të lartë në përputhje me praktikën në rajon”, thuhet në Manifestin Studentor.

    Pastaj, kërkohet një vlerësim gjithëpërfshirës i programeve ekzistuese studentore në universitete dhe një rishqyrtim i nevojës për ekzistencën e tyre.

    “Ndërdisiplinariteti është bartës i vizionit reformist për arsimin e lartë të së ardhmes. Prej këtu lind nevoja themelore për një komunitet akademik që ofron programe studimi inovatore me një diplomë të përbashkët (joint) dhe një diplomë të dyfishtë (double). Këto duhet të ofrohen në tre nivele: në vetë njësitë e çdo universiteti, nëpër universitete në nivel kombëtar dhe nëpër universitete në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, thuhet në Manifest, duke shtuar se është e nevojshme të investohen burime financiare dhe infrastrukturore në punën mësimore dhe kërkimore shkencore.

    Përveç kësaj, kërkohen ndryshime ligjore për t’u mundësuar studentëve të rregullt të hyjnë në punë me orar të plotë ose të shkurtuar, gjë që do t’u japë atyre mundësinë për të fituar gjatë studimeve. Për studentët që janë në marrëdhënie pune kërkohet të lirohen nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat.

    Manifesti përmban edhe një pjesë që parashikon ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, me qëllim themelimin e Parlamentit Kombëtar të Studentëve në të cilin do të anëtarësohen parlamentet studentore universitare të universiteteve në vend, në përputhje me praktikën evropiane sipas të cilës çdo vend ka një trup studentor kombëtar.

    Në rubrikën “Standardi i studentëve”, studentët angazhohen që të respektohen afatet për rikonstruksionin e nëntë konvikteve të studentëve sipas projektit të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Bankës Gjermane për Zhvillim, të bëhet analizë dhe përmirësim e masës së Ushqimit të subvencionuar të studentëve dhe zbatim i një zgjidhjeje afatgjatë, zgjerim i masës së vauçerëve për transportin ndërqytetës, transport publik falas në qytet për studentët e të tre cikleve të studimit, rritje e shumës së bursave sipas rritjes së inflacionit dhe zhvillim i jetës kulturore-argëtuese dhe sportive të universiteteve.

    Në rubrikën “Ndërkombëtarizimi”, kërkohet hartimi i një strategjie për tërheqjen e një numri më të madh studentësh të huaj në vend, nëpërmjet thjeshtimit të procedurave administrative, lidhjes së marrëveshjeve bilaterale dhe kushteve dhe të drejtave të barabarta me studentët vendas.

    Në manifestin e tyre studentët kërkojnë respektimin e afateve të përcaktuara në të cilat parashikohet digjitalizimi i plotë i proceseve administrative në të gjitha institucionet e arsimit të lartë.

    Pika e fundit e Manifestit Studentor është “Autonomia”, e cila kërkon autonomi më të madhe për universitetet dhe njësitë e tyre në procesin e krijimit të programeve studimore.

    Nënshkrues të Manifestit Studentor janë parlamentet studentore universitare në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universiteti “Goce Dellçev” – Shtip, “Sh. Klimenti i Ohrit” – Manastir, Universiteti i Evropës Juglindore, “Nënë Tereza” – Shkup dhe “Sh. Apostull Pavli” – Ohër.

    Lajmi Paraprak

    Shkup, çmimi i banesave shkon mbi dy mijë euro

    Lajmi i rradhës

    Demiri: fëmijët e pa vaksinuar nuk mund të shkojnë në çerdhe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë