Shkup, çmimi i banesave shkon mbi dy mijë euro

    Çmimet e banesave në vend kanë shënuar një rritje tejet të madhe. Në komunën e Çairit vështirë së mund të gjendet edhe banesë e vjetër nën 900 euro për një metër katror, edhe pse ofrohen edhe banesa me çmim pak më të lirë por me mungesë të ashensorit. Përderisa banesat e reja ofrohen edhe me 1200 euro e më shumë për një metër katror.

    Në bazë të shpalljeve për pasuri të patundshme edhe çmimet në Tetovë luhaten në së paku 1000 apo edhe 1200 euro për një metër katror për banesa të reja, dhe metrin katror nën 1000 euro për banesat më të vjetra. Në më shumë lagje të Shkupit si tregun më të fuqishëm në vend, çmimet luhaten shkojnë maksimalisht edhe në 2000 deri 2500 euro për metër katror banesash të reja në komunën Qendër apo “Debar Maalo”. Në lagjen tjetër po të kësaj komune në Kapishtec, banesat më të lira arrijnë 1700 euro, ndërsa banesat e vjetra deri 1600 euro.

    Njohësit e kësaj problematike thonë se shtrenjtimi i banesave sidomos në Shkup me mbi 25 për qind, vjen si rrjedhojë e shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit, kostos së fuqisë punëtore në rritje e sipër ku vështirë po gjendet fuqi punëtore, kërkesës së madhe si dhe çmimeve që i ofrojnë pronarët e parcelave për ndërtim si dhe ndalesës për ndërtim në qendër të Shkupit. Gjithashtu për shkak se vlera e parasë po bie, qytetarët po blejnë apartamente sepse mendojnë se ai është një investim i sigurt. Në të njëjtën kohë, ekziston kërkesa e madhe për dhënien e banesave me qira, ku nuk mund të përfitoni aq shumë, ndërsa edhe njerëzit nga jashtë Shkupit janë blerësit kryesor të apartamente në kryeqendrën e vendit.

    Siç raporton Enti Shtetëror i Statistikave, në tremujorin e katërt të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, kostot e ndërtimit për objektet e reja të banimit individual kanë qenë më të larta për 5.4 për qind, kostot materiale janë më të ulëta për 6.4 për qind dhe kostot e punonjësve janë më të larta për 29.8 për qind.

    Nga Shoqata e agjencive të patundshmërive vlerësojnë se çmimet e banesave në Maqedoni sivjet vështirë se do të lirohen, por shtojnë se pritet stabilizim afatgjatë i tyre por jo edhe një korrigjim që nënkupton çmime më të lira.

    Çmimet janë rritur, sidomos në tre vitet e fundit. Ato u ndikuan nga kriza e Kovidit, inflacioni, dallimi midis ofertës dhe kërkesës, rritja e shërbimeve komunale dhe kostot e ndërtimit.

    Kryetari i shoqatës së ndërtimtarisë pranë Odës Ekonomike, Andrea Serafimovski thotë se e gjithë kjo ka bërë që çmimi për metër katror në komunat qendrore të Shkupit të arrijë mbi 2500 euro për metër katror. Ai pohon se kërkesa është ende më e madhe se oferta. Ai pret që çmimet të stabilizohen, por jo të kthehen në nivelet e para krizës.

    “Ai stabilizim i çmimeve do të reflektojë kostot reale, fitimet e kompanive, por do të reflektojë edhe shpërndarjen ndërmjet kërkesës dhe ofertës. Pra, në vitin 2025 presim një stabilizim të një farë çmimi, i cili për dallim nga çmimi para krizës do të jetë 30 deri në 40 për qind më i lartë në komunat me aktivitet më të madh transaksionesh”, shton Serafimovski.

    Nga Shoqata e agjencive të patundshmërive thonë se akoma ka një kërkesë të madhe për disa lokacione dhe lloje të objekteve , kështu që kërkesa për oferta cilësore është më e madhe se oferta.

    Lidhur me atë se kush i “mban” çmimet lart, nga ky grupacion thonë se tregu është një kategori ekonomike që rregullohet vetëm në bazë të tendencave të tregut apo të kërkesës dhe ofertës.

    “Çmimet nuk qëndrojnë lart nga askush , por ato formohen në përputhje me ofertën dhe kërkesën. Pra kërkesa për pasuri të paluajtshme cilësore është ende më e madhe se oferta e mirë, dhe kjo i mban çmimet në një nivel më të lartë. Pronat me cilësi më të ulët në lokacione më pak tërheqëse shiten me çmime më të ulëta”, shtojnë nga kjo shoqatë.

    Nga ana tjetër, analizat e Bankës Popullore tregojnë se në periudhën e kaluar po rritet oferta e banesave.

    “Në tre tremujorët e parë të vitit 2022, oferta mesatare e banesave arriti në 25.901 apartamente, që është një rritje prej 13.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thonë nga Banka Popullore.

    Çmimet e banesave janë rritur pas pandemisë dhe përpara inflacionit të madh në vitin 2022. Në analizën e Finance Think “Standardi jetësor në një vijë të hollë”, thuhet se kjo rritje vjen kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të lëndëve të para për ndërtim, por një rol të rëndësishëm luan edhe kërkesa. Tremujori i katërt i vitit 2022 pati një rritje prej 20.6 për qind të çmimeve të banesave, ndërsa për gjithë vitin 2022 çmimet e banesave u rritën me 17.8 për qind.

    Banka Popullore njoftoi se në Shkup ka pasur rritje prej shtatë për qind të çmimit të banesave në tremujorin e fundit të vitit 2023 , krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022. Njëherësh, përveç faktit se ndërtimet masive po zhvillohen jo vetëm në Shkup, por edhe në të gjithë vendin dhe investitorët pohojnë se qytetarët janë në kërkim të banesës plus, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021 treguan se në vend ka gjithsej 839.174 apartamente, nga të cilat 531.987 janë të banuara, që do të thotë se 307.187 banesa mbeten të pabanuara, që është gati një e treta e numrit total të apartamenteve në vend. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    GRATË E RMV NË POLITIKË! / Ndërmjet stigmatizimit dhe faktorizimit

    Lajmi i rradhës

    Kërkohet arsim falas në RMV, standard më i mirë, digjitalizim dhe autonomi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë