Maqedonasit në Shqipëri nuk i pranojnë rezultatet e censusit

    Rezultatet preliminare të Censusit të mbajtur në Republikën e Shqipërisë në vitin 2023 nuk e pasqyrojnë në mënyrë adekuate numrin real të maqedonasve etnikë në vend, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe ka njoftuar se do ta thërrasë ambasadorin Danço Markovski për konsultime urgjente për të saktësuar mangësitë dhe mospërputhjet në këtë proces. Reagime të mprehta erdhën edhe nga organizata më e vjetër maqedonase në Shqipëri “Shoqëria Prespa”, Shoqëria Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, si dhe Partia e Lirisë për Prespën e Vogël, të cilët akuzuan për falsifikim të madh të regjistrimit.

    Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi dje se vëren me shqetësim serioz rezultatet e publikuara paraprake të Censusit të mbajtur në Republikën e Shqipërisë në vitin 2023 dhe reagon ashpër ndaj përdorimit të termit “Maqedonasit e Veriut” dhe përdorimit të emrit të një vend si zëvendësues i një bashkësie etnike. “Parregullsitë teknike në mënyrën e realizimit të tij, të cilat vazhdimisht janë vënë në dukje nga shoqatat maqedonase në Republikën e Shqipërisë në prag të regjistrimit, por edhe gjatë realizimit të tij, kanë rezultuar në publikimin e të dhënave paraprake, të cilat fatkeqësisht, nuk pasqyrojnë në mënyrë adekuate numrin real të maqedonasve etnikë në vend. Po ashtu, Ministria shpreh pakënaqësi dhe reagon ashpër ndaj përdorimit të termit ‘Maqedonasit e Veriut’ dhe përdorimit të emrit të një shteti si zëvendësim për bashkësinë etnike”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

    Ministria po ashtu njoftoi se do ta thërrasë ambasadorin Danço Markovski për konsultime urgjente me qëllim të sqarimit të mangësive dhe mospërputhjeve në këtë proces, shqyrtimin e mundësive për korrigjimin e duhur të lëshimeve të bëra dhe gjetjen e rrugëve më adekuate për veprim të mëtutjeshëm të përbashkët dhe promovimin e marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Shqipërisë. “Në periudhën e ardhshme, Ministria do të bashkëpunojë intensivisht me përfaqësuesit kompetentë të autoriteteve në Republikën e Shqipërisë dhe me përfaqësuesit e komunitetit maqedonas në Republikën e Shqipërisë në drejtim të promovimit të tyre kulturor dhe social në shoqërinë shqiptare, e cila për fat të keq dhe më shumë se dukshëm u neglizhua plotësisht nga struktura e mëparshme politike në vendin tonë. Të gjitha çështjet e hapura ndërmjet dy shteteve fqinje duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë dhe respektimit të rregullave, parimeve dhe vlerave të rendit juridik ndërkombëtar”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

    Ministri i Jashtëm Timço Mucunski dje në mbrëmje tha se përdorimi i termit “Maqedonasit e Veriut” në rubrikën e kombësisë në regjistrimin e popullsisë në Shqipëri ishte një gabim teknik. Ai theksoi se ka biseduar me ministrin e Jashtëm shqiptar, i cili ishte i pranishëm në forumin në Dubrovnik dhe shprehu mirënjohjen për ndërhyrjen e shpejtë që korrigjoi gabimin. Organizata për mbrojtjen e të drejtave të maqedonasve në Shqipëri “Shoqëria Prespa”, njoftoi se refuzon rezultatet preliminare të regjistrimit në Shqipëri nga regjistrimi i vitit të kaluar i mbajtur nga 18 shtatori deri më 30 tetor, më pas i zgjatur deri më 16 nëntor, për numrin e maqedonasve dhe “bullgarët”, dhe i konsideron falsifikim i përgjithshëm i regjistrimit. “’Shoqëria e Prespës’ shpreh shqetësimin për njoftimin e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) se në Shqipëri jetojnë 2281 ‘Maqedonas të Veriut’, megjithëse në regjistrimin e vitit 2011 janë regjistruar 5512 maqedonas. Kujtojmë se nuk bëhet fjalë për të shpërngulur në Shqipëri nga shteti ‘Maqedonia e Veriut’, i cili, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ekziston me atë emër që nga 11 janari 2019 sipas Marrëveshjes Dimitrov-Kozias të datës 17 qershor 2018, por për popullsinë autoktone maqedonase që me shekuj jeton në shtëpitë e veta dhe në territorin e tij të lindjes”, qëndron në reagimin e Shoqatës.

    Siç thonë ata, numrin e publikuar prej 7957 “bullgarëve” në Shqipëri e konsiderojnë falsifikim të vrazhdë të regjistrimit, më shumë se regjistrimi në Maqedoni në vitin 2021 – 3504. Ata këmbëngulin në pretendimin se “nuk ka bullgarë etnikë në Shqipëri”, në asnjë regjistrim nga viti 1912 deri në vitin 2023, nuk ka as edhe një “bullgar” në të gjithë territorin e Shqipërisë.

    Në të njëjtën kohë, Shoqëria i dërgon protestë Presidentit, Parlamentit dhe Qeverisë së Shqipërisë, pasi siç theksojnë , ata iu nënshtruan kërcënimeve bullgare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nëse Tirana nuk shkruan “Bullgarët” në ligjin për pakicat kombëtare dhe nëse nuk deklaron “bullgarë” në regjistrimin e fundit të popullsisë.

    Edhe shoqëria maqedonase “Ilinden”-Tiranë ka reaguar ashpër pas rezultateve të publikuara të regjistrimit, të cilat i referohen numrit të maqedonasve në Shqipëri. “Ne nuk i njohim dhe refuzojmë me indinjatë rezultatet paraprake të regjistrimit në Republikën e Shqipërisë, të cilat i konsiderojmë falsifikim të përgjithshëm të regjistrimit, me kërkesë të Bullgarisë. Është sekret publik që Bullgaria ka kontrolluar regjistrimin, gjë që vërtetohet edhe nga fakti se në Bullgari gjatë periudhës së regjistrimit në Republikën e Shqipërisë janë publikuar në rrjetet sociale foto të formularëve të regjistrimit ku janë deklaruar banorët e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në reagim. Ato shtuan se “këto të dhëna mbrohen me ligj, por materialet e publikuara treguan se shërbimet bullgare kishin akses në to”.  /Koha/

    Lajmi Paraprak

    “Djalit iu bëra asistente” – Sfidat e shkollimit nga karroca

    Lajmi i rradhës

    Ku shkon borxhi prej 1 miliard euro?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë