Maqedoni, ZZhTI shpall thirrje të hapur për investime në termocentrale diellore

    Drejtoria e Zonës për Zhvillim Teknologjik dhe Industrial (ZZhTI) publikoi procedurë të hapur për ndarjen e lokacioneve në pesë zona të ndryshme zhvillimore teknologjiko-industriale për ndërtimin dhe vendosjen e centraleve diellore. Lidhja e partneritetit publiko-privat për projektimin, ndërtimin, ekonomizimin dhe financimin e këtyre centraleve është paraparë në ZZhTI Shkup 1 dhe Shkup 2, ZZhTI Shtip, ZZhTI Strumicë, ZZhTI Prilep dhe ZZhTI Strugë.

    “Me këtë, qëllimi është të shfrytëzohet një pjesë e tokës në kuadër të zonave, të cilat gjatë viteve të kaluara, e në disa raste më shumë se 15 vjet, është e pashfrytëzuar. Në pjesën më të madhe bëhet fjalë për parcela të cilat nuk janë të volitshme për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese. Me këtë ZZhTI dëshiron të kontribuojë në përforcimin e kapaciteteve energjetike të shtetit, si dhe përshpejtimin e tranzicionit ndaj ekonomisë së bazuar në energji të gjelbër, gjë që është trend global”, thuhet në kumtesën e sotme të ZZhTI-së.

    Në pajtim me studimin e përpunuar për realizim, siç thuhet në kumtesë, priten investime prej 40 milionë euro dhe kapacitet të instaluar maksimal prej 50 megavatëve. Procedura është e ndarë, që hapë mundësi të investojnë më shumë kompani. Në thirrjen vlejnë kushtet e njëjta për investim edhe për kompani nga vendi, edhe për ato të huaja.

    “Shteti do të fitojë një përqindje nga të ardhurat e çdo kompanie që do të investojë, ndërsa është paraparë edhe kompensim shtesë fiks për tokën. Marrëveshjet do të lidhen në 25 vite, ndërsa sipas vlerësimeve të Studimit, të cilin e ka pëpunuar shtëpia e renomuar ndërkombëtare revizore Grant Tornton, vetëm kompensimi fiks për këtë periudhë është projektuar në 14 milionë euro. Këto mjete do të dedikohen për mbulimin e harxhimeve për përgatitje të vet tokës në Zonat, si dhe intervenime tjera infrastrukturore, me qëllim të realizimit më të shpejtë dhe më të suksesshëm të këtyre projekteve investuese. Një pjesë e të ardhurave do të shfrytëzohen edhe për financimin e iniciativave tjera vijuese në ZZhTI për përkrahje të të rinjve”, informojnë nga ZZhTI.

    Lajmi Paraprak

    Putin fut në listën e “agjentëve të huaj” ish kryeministrin Mikhail Kasyanov

    Lajmi i rradhës

    Tropojë, njëqindvjetori i shkollës së parë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë