MAQEDONIA dhe BE! | Nga shansi për afrim, në valë të reja tensioni politik

    Një ditë pas përfundimit të takimeve dyditore mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian në Shkup, reagimet politike në Maqedoninë e Veriut kanë nxjerrë në pah tensione të reja në lidhje me kursin euro-integrues të vendit, qëndrimin ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe trajtimin e çështjeve të identitetit. Sidomos, kjo pasi kur komisionerja për zgjerim Marta Kos u pyet se si komenton kërkesën e euro-deputetëve bullgarë që gjuhës maqedonase ti shtohet shtesa “moderne”, ajo tha se identiteti pasqyron vlerat e një shoqërie dhe si e tillë nuk mund t’ia merr askush dhe në këtë kontekst theksoi se identiteti i maqedonasve është pogaçja, fasulja në tavë e specat e mbushur. Kjo deklaratë e saj shkaktoi reagime të forta në opinionin publik në vend.

    LSDM: NUK BESOJMË SE KOS KISHTE QËLLIME TË KËQIJA

    Nuk besojmë se komisionerja evropiane kishte qëllime të këqija, por apelojmë që kur flitet për çështje të ndjeshme dhe tema që për fat të keq hapen pa nevojë edhe pse janë qartësisht të mbyllura, duhet të ketë kujdes në deklarata, thonë nga LSDM, lidhur me deklaratën e komisioneres Kos.

    “Ne prisnim që Komisioneri Kos të theksonte atë që vetë BE-ja e ka konfirmuar në të gjitha dokumentet dhe të gjitha marrëveshjet, që është se gjuha dhe identitetet maqedonase njihen plotësisht nga Unioni. Ky është një fakt i padiskutueshëm, ne si qytetarë të Maqedonisë e dimë se kush jemi, çfarë jemi dhe nga vijmë. Si gjuha ashtu edhe identiteti janë konfirmuar qartë në të gjitha marrëveshjet e nënshkruara tashmë me BE-në. Nuk besojmë se komisionerja kishte qëllime të këqija, por apelojmë që kur flitet për çështje dhe tema të ndjeshme që për fat të keq hapen pa nevojë edhe pse janë qartësisht të mbyllura, duhet të jetë i kujdesshëm në deklarata”, thonë nga LSDM.

    BDI: QEVERIA PO LARGON MIQTË E SINQERTË

    Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si qeveria, sipas tyre, ka dështuar të përfitojë nga momenti diplomatik për të forcuar raportet me BE-në.

    “Në vend që Qeveria ta njihte këtë mundësi dhe t’i forconte këto lidhje, e humbi shansin për të shfrytëzuar samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, dhe në mënyrën më negative demonstroi mungesë mikpritjeje dhe intolerancë, madje edhe ndaj miqve më të sinqertë të vendit. Nuk duhej të lejohej që deklarata e Komisioneres se “identiteti nuk është çështje e kushteve politike, por thelb i dinjitetit njerëzor dhe shprehje e veçantisë së tij”, tëkthehej në objekt fushate urrejtjeje dhe përqeshjeje. Aq më pak të nxitej një reagim i tillë nga burime afër pushtetit”, theksojnë nga BDI.

    Nga BDI kanë nënvizuar se është tronditëse që ministri për integrime evropiane Orhan Murtezani e ka parë të arsyeshme të hesht , e jo të mbrojë publikisht këtë qëndrim, as t’i japë kuptim vlerave që vetë institucionin e tij e bëjnë të nevojshëm.

    “Me qëndrimet e tij të pasakta dhe relativizuese, ai u bë pjesë e një qasje që rrezikon marrëdhënien me një prej zërave më të fuqishëm që mbështet rrugën tonë drejt BE-së. Në një kohë kur vendi ka nevojë për partneritete të qëndrueshme dhe udhëheqje të qartë në procesin e integrimit, kjo heshtje dhe në disa raste justifikim i qëndrimeve nacionaliste nuk është dështim teknik, por dështim politik. Ministri për Integrime Murtezani ka një përgjegjësi thelbësore: të mbrojë kursin evropian, jo të heshtë kur ai sulmohet”, theksojnë nga BDI.

    Për çështjen e identitetit foli sot edhe ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, i cili tha se gjuha, historia dhe bashkëjetesa shumëkulturore janë shtylla të identitetit maqedonas dhe se disa vende evropiane po përpiqen ta kontestojnë këtë identitet në mënyrë të padrejtë.

    “Sidomos në këtë rajon, identiteti është një kategori komplekse. Po, për fat të keq, edhe në shekullin e 21-të është një kategori që vendet që e quajnë veten evropiane po përpiqen ta kontestojnë, por për ne nuk ka dilemë se figurat historike si Dellçevi, Gruevi, Sandanski janë pjesë e identitetit tonë, ashtu si manastiret e bukura, xhamitë e bukura. Identiteti ynë është edhe bashkëjetesa, por edhe gjuha që flisnin gjyshërit, stërgjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, dhe absolutisht askush nuk ka të drejtë ta kontestojë këtë, domethënë të kontestojë të drejtën tonë për të respektuar atë që është pjesë e jona si maqedonas”, nënvizoi Mucunski pas forumit të biznesit maqedono-italian në Shkup.

    MICKOSKI: NUK KEMI TË PËRBASHKËT ME “BOTËN SERBE”

    Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski u pyet sot nga gazetarët në lidhje me raportin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), në të cilin dyshohet se përmendet promovimi i projektit “Bota Serbe” nga individë të qeverisë së vendit. Mickoski nuk beson se kjo mund të jetë e vërtetë.

    “Nuk e kam parë atë raport. Kur do ta shoh do ta komentojë, por absolutisht mohoj kontatim të tillë dhe nuk besoj se ajo është pjesë përbërëse e ndonjë raporti zyrtarë të BE-së, sepse do të ishte shumë naive dhe nga ato kontakte që i kam me përfaqësues të lartë të BE-së, së paku prej se është kjo qeveri, jo vetëm që kemi ndonjë pikë të përbashkët me një konstatim të tillë, por përkundrazi, nëse dikur në kohë ekzistonte nisma “Ballkani i Hapur”, prej kur është kjo qeveri një gjë të tillë nuk ka, sepse humbi kuptimi i gjithë asaj”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

    Këto zhvillime vijnë një ditë pasi deklaratat për identitetin kombëtar u bënë pjesë e debatit publik. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Mickoski, eurokomisionerja Marta Kos theksoi se identiteti nuk është objekt i negociatave politike, por përfshin vlera të jetuara e të ndara nga një komunitet, duke përmendur edhe simbolet e kuzhinës maqedonase si fasulja në tavë, pinxhuri dhe specat e mbushur.

    Kryeministri Mickoski reagoi menjëherë në konferencë, duke kundërshtuar interpretimin që identiteti mund të përmblidhet vetëm me kulturën e përditshme: Mickoski, në përgjigjen e tij ndaj deklaratës së Kos, theksoi se për të, identiteti maqedonas nuk janë vetëm specialitete maqedonase, por edhe Goce Dellçev, Dame Gruev dhe Sandanski.

    “Për mua, identiteti im nuk është vetëm kuzhina e mrekullueshme maqedonase, por edhe Goce Delçev dhe Shapkarev, dhe Miladinovci dhe Kryengritja e Ilindenit dhe Damjan Gruev dhe Jane Sandanski… Nuk e di nëse kolegët e mi nga lindja do të ndajnë të njëjtin mendim, por këta janë njerëzit që janë pjesë e identitetit tonë, identitetit maqedonas”, ka thënë Mickoski. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Rrjeti i vjetruar i ujësjellësit në Tetovë shkakton mungesë uji – nis zëvendësimi i tubacioneve në disa lagje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë