ZBEHET KULTIVIMI I KANABISIT NË RMV | Pa eksport nuk ka leverdi

    Me ndryshimet ligjore në Maqedoni në vitin 2016 u mundësua që kompanitë private të fitojnë licenca për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Pas kësaj me dhjetëra biznese u regjistruan dhe morën leje për prodhimin e vajit mjekësor të kanabisit. Kultivimi i kanabisit në Maqedoni sipas ligjit lejohet vetëm për persona juridikë, të cilët do ta bëjnë për qëllime mjekësore dhe shkencore. Ata duhet së pari të pajisen me licencë nga Ministria e Shëndetësisë, pas miratimit paraprak nga Qeveria.

    Sipas Ligjit për kontrollin e substancave narkotike dhe substancave psikotrope, një kompani mund të marrë licencë nëse ka siguruar hapësirë, sipërfaqe ose tokë të përshtatshme për kultivim, tharje dhe ruajtje. Kanabisi për qëllime mjekësore janë të gjitha pjesët ajrore të freskëta ose të thata të bimës, duke përfshirë edhe farat.

    Mirëpo përderisa disa vite më parë janë dhënë dhjetëra licenca për rritjen e kanabisit në vetëm një vit, në vitin 2022 janë dhënë vetëm dy licenca. Në ndërkohë më shumë kompani kanë mbetur edhe pa licenca. Lejet janë tërhequr si rrjedhojë e humbjes së interesimit të kompanive pas pamundësimit të eksportit, mbylljes së vetë bizneseve me largimin e punëtorëve, apo edhe të heqjes së vetë bizneseve që nuk shohin leverdi nga një veprimtari e tillë.

    Në ndërkohë gati dy vite më parë Qeveria tërhoqi nga procedura parlamentare projektligjin për kontrollin e narkotikëve dhe substancave psikotrope, i cili duhej të eksportonte lule të thata dhe për të cilin kompanitë protestuan dhe kërkuan votimin e Kuvendit. Gjithashtu më 9 shtator të vitit 2021, ekzekutivi e ka tërhequr projektligjin që ishte dorëzuar më 19 korrik 2021.

    Më 20 korrik të vitit 2021 nga partia opozitare VMRO-DPMNE, theksuan se kur propozim ligji për kontrollin e narkotikëve dhe substancave psikotrope do të kalojë filtrin parlamentar me flamur evropian, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do t’i bllokojë të gjitha ligjet e ardhshme. Sipas tyre, licencat e kanabisit ishin dhënë vitet e fundit si licenca për përpunimin e vajit të kanabisit dhe produktit përfundimtar për qëllime mjekësore, por jo për eksport në formën e lules së tharë të kanabisit, siç parashikonte kjo zgjidhje ligjore.

    Në shtator të vitit 2021, nga kjo parti opozitare informuan se falë përpjekjeve dhe këmbënguljes së Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për “Rindërtimin e Maqedonisë”, koalicioni qeveritar dhe shumica qeverisëse, pas iniciativës dhe kërkesës së mëparshme të Grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, e tërhoqi Propozimin – Ligjin për kontrollin e narkotikëve dhe substancave psikotrope, i njohur në opinion si Ligji për Marijuanën.

    Nga shoqata “Maccanabis” disa herë i kanë bërë apel Qeverisë që të lejojë eksportin e lules së kanabisit. Shumica e kompanive që kanë licencë nuk kanë arritur të prodhojnë vaj kanabisi sipas standardeve evropiane, ndaj kërkonin leje për eksportin e luleve të thata të kanabisit, gjë që ligji ekzistues nuk e lejon. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mitet e rreme rreth ushqimit dhe metabolizmit

    Lajmi i rradhës

    Kryqi i Kuq: Rriten rastet e dhunës fizike dhe psikike ndaj migrantëve në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë